Suplementi Pena Shqiptare/ Nazmi Çela: Kur u promovua libri “TOMORRI NË ZEMËR”

Para 19 vjetësh në Malin e Tomorrit

-sipas kujtimeve të disa pjesëmarrësve-

Sigal

 

Nën kujdesin e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, Presidentit të saj z.Xhevahir Spahiu dhe me nismën e poetit kolonel Myslim Pasha, në mbrëmje të 21 gushtit 2006 në një mjedis turistik malor,”në Kulmak,ku mblidhen retë”,afër Teqesë që e ngriti Dervish Iljazi më 1916, krahas aktiviteteve të tjera mbresëlënëse u promovua edhe libri “Tomorri në zemër” i autorit Ilmi S.Qazimi. Morën pjesë gra e burra intelektualë të fushave të ndryshme ekonomiko, shoqërore, kulturore, njerëz të tre besimeve fetare nga Skrapari, Përmeti, Korça, Gjirokastra, Berati, Tepelena, Mirdita, Kruja, Mallakastra, Kolonja, Tirana etj. Merrte pjesë kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” Nuri Çuni dhe këngëtarët e grupit popullor “Demir Zyko”: Fatmir Greva, zëri aq i bukur i të cilit këndon perlat e këngës popullore skraparase; bilbili zë-ëmbël Xheladin Cërri; vëllezërit virtuozë Bashkim e S. Çela e melodiozi Pëllumb Gjata. Ishte në ketë takim promovues edhe z.Shkëlqim Qafoku, nipi i Dervish Iljazit. Morën pjesë edhe dy amerikanë dhe një italian. Ishin ftuar të merrnin pjesë një grup  intelektualësh kosovarë, tre studiues francezë shqipfolës që hulumtojnë për bektashizmin etj. Ishte i pranishëm edhe nipi i autorit gjenerali me tre yje Pëllumb Qazimi.

Takimin e çeli Prof.Dr. kolonel Myslim Pasha, i cili vuri në dukje vlerat artistike, historike dhe edukuese të librit.”Origjinaliteti i këtij vëllimi poetik të shkruar me ndjenjë të hollë, tha ndër të tjera ai,është se shoqërohet me një informacion të këndshëm historiko gjeografik, e për më tepër edhe me 35 fotografi për Tomorrin dhe objektet e kultit  bektashian në Shqipëri, të përzgjedhura nga albumi i autorit  dhe fotografë të ndryshëm shqiptarë si dhe  diplomatit të pasionuar për Tomorrin z.Zdenek Krejçi (tani ambasador në Kolumbi). Prof. Myslim Pasha foli edhe për botimet e tjera me poezi te autorit. Më pas ai recitoi me pathos tri nga poezitë e vëllimit që i kushtohen malit të Tomorrit.

Në takim foli poeti , publicisti dhe gojëtari i mirënjohur mirditor Agim M.Doçi. Ai me oratorinë e vet të spikatur, me dashamirësi e cilësoi librin “Tomorri në zëmër” si  “një skaner të fjalës shpirtërore të bektashizmit,që dhuron Tomorri dhe gjithë imamët bektashianë. Ne në Mirditë kemi një nëmë : “të vdektë fjala”. Ilmi Qazimi, vëllai i Xhafos, mikut tim , me këtë libër jep mesazhe të fuqishme pavdekësie, për bekimin e Abaz Aliut, për fjalën e urtë e të mirë bektashiane  për mbarë shqiptarët.”Pastaj ai recitoi dy poezi nga libri në fjalë. Gazetari dhe publicisti Bardhyl Gosnishti, nxorri në pah disa prej vlerave ideore të albumit poetik e fotografik dhe recitoi gjithashtu dy poezi.  Intelektuali Astrit Jaupi tha :”Të lumtë Ilmi, që paske vënë edhe shqiponjën dykrenore të Teqesë së Backës. Sa shumë do të gëzohet babai im kur ta shikojë këtë simbol madhështor, i cili prej afro dy shekujsh,ka qëndruar i gdhendur në gur në portën e Teqesë së Backës.”Z. Shpëtim Spahiu tha fjalë urimi e të mira për autorin dhe librat e tij. Të gjithë pjesëmarrësit i uruan autorit mbarësi dhe punë të palodhur atdhetare.

Autori pasi kish dhënë shumë autografe, më në fund falënderoi të gjithë të pranishmit, shqiptarë e të huaj, që e nderuan në këtë promovim libri.Ai shprehu mirënjohje të veçantë për z.Maksim Hamiti që krijoi kushtet në vendin e këtij takimi dhe premtoi se do të vazhdojë të shkruajë  për mirësitë që burojnë nga mali i Tomorrit, mal të cilin e kanë në zemër të gjithë shqiptarët.