Suplementi Pena Shqiptare/ Martin Cukalla: Për Detin m’u ankua Qielli mbrëmë

Fëmijë i llastuar është Deti!

Zemërak i hiç gjëje,

Sigal

vjedharak

më ka marrë ngjyrën dhe yjet m’i nanurit,

nuk ndihet!

 

I ujtë

e i lëvizshëm

nga pak erë

dhe çfryn marazet e njeriut!

Dhe unë i ajërt,

i pa anë sa të zë syri,

i gjerë e i thellë,

sa nuk më dihet fundi,

mbaj Diellin e Hënën mbi krye!

Ai,

përmbys varka sa një lëvozhgë arre!

Ai,

në një valë ere e tërbohet,

godet me kokë shkëmbinjtë e brigjeve

përherë i pa kënaqur.

Kurrë nuk qesh!

 

Dhe kur Dielli bujar

ia dërgon dritën me bollëk,

dhe kur Hëna i shtrin flokët e argjentë

për t’ia ledhatuar fytyrën e nxirosur,

ai klith

e i thyen shkëlqime në miliona pasqyra

si çmendurak i pa ndreqshëm …

 

Në nerva e sipër

m’i ngre avujt e nxitimit.

E kujt?

Mua!

Ia dërgoj breshër!