Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Zenellari: Njoh një grua

Njoh një grua ngjyrë dielli,

që më pret me padurim në të gjitha ditët,

NOA

e nuk lodhet kurrë nga kjo pritje.

Pret në pragun e shtëpisë së thinjur

duke më thirrur në emër.

Në zërin e saj unë ndjej këngën e malltë,

që me përket vetëm mua që nga lindja,

(ninullë e bardhë përrallash)

 

Njoh një grua me shpirtin e gjerë si livadhet e gjelbra,

në prehërin e saj ëndrrat mësova t’i thurr

bashkë me kurorat e luledeleve.

Dallëndyshet mësuan të rrahin krahët qerpikëve të saj,

fluturat të shfaqin befas ngjyrat e prushta,

 

Njoh një grua me flokët e larë prej borës.

Kur vonoj t’i shkoj pranë

ndjej zërin e saj të merakosur thellë zemrës,

ku je!

 

Më pret!

në duart e saj ndihet përherë aroma e bukës,

gatuar e blatuar me dashuri të pafundme!

 

Sa herë më sheh, i mbushen sytë me dritë

brenda tyre harkohet madhështor

një ylber mijëra ngjyrësh,

hap krahët dhe gjoksin për mua.

Dhe unë ndjej thellë mishrave të saj

aromë qumështi, mjalti dhe lulesh…

Bibla ime shkruar në gjuhë mëmësie.

 

Ndaj kur mbetem larg

më therr në shpirt çdo thinjë,

çdo rrudhë e shenjtëruar e saj.

 

Dhe ndihem me faj!