Kur Bashkim Hoxha më dhuroi romanin e ri “Shtëpia e Verdhë”, sapo e mora në dorë, e prisja që do të ishte një sukses tjetër i rradhës së shkrimtarit,
Lexoja dhe forca e fjalëve qëndisur me mendimet, me përshkrime mahnitëse, ku lëvizja mes dy botëve të shkrimtarit e skenaristit, me detaje sa konkrete aq domethënëse, më befasoi. Çdo rresht, të bën të përfytyroje emocionalisht realitetin e ngjarjeve faqe pas faqeje, si në ëndërr…
Të shkruash për këtë roman të ri të autorit B.Hoxha, një prodhimtar botimesh me subjekte sa filozofike aq dhe poetike, mes jetës e kapriciove të saj, për fatet e rrokullisura e shpirtëra të bukur e herë të lodhur, ku trysnia e ngjarjes të sjellë në kujtesë “ Shtëpinë e Verdhë” emblemë e dhimbjes, fyerjes , poshtërimit, natyrisht është një angazhim tepër i fokusuar. Ndjesia e përgjegjshmërisë të harkohet me enigmat e ngjarjeve, për ti argumentuar pa pendesë edhe me superlativë që shpërblen talentin e punën e shkrimtarit….
Emocionet që të mbështjellin, janë ngjyrues të luhatjes së shpirtit sa të lënduar aq dhe qetësia e ndërgjegjes së njerëzve të mirë. Me një shtjellim të jashtëzakonshëm të fillesës së përmbajtjes së ngjarjes në roman, me një alternim artistik dhe me fragmente të skenarit që do të realizohej në film, autori zbulon brendësinë psikologjike dhe atmosferën e papërballueshme të furisë së presioneve, trysnisë, denigrimit të një familje që jetonte në truallin e tyre, lënë brez pas brezi, pa cënuar parimet me të cilat ishin edukuar, pa cënuar askënd, bënë që krenaria e tyre të penalizohet.
U paragjykua e gjithë familja që iu ngriu buzëqeshja.Duke filluar nga Destani, i zoti i “Shëpisë së Verdhë,” një burrë i urtë, me shpirtin e rënduar që desh të varte dhe veten nga trysnia e tmerrshme shpirtërore, shprehet “Përse na zuri ne kjo e keqe e shëmtuar?! Meremja, e shoqia , një grua e imët me sy të shëndritshëm dhe shumë rrudha në fytyrë, mban një shami të bardhë që ia rrumbullakos trajtat. Me një zë të butë përlotet e thotë ” Ditën që bota u përmbys, askujt nuk ia kena mohuar të gjejë të vërtetën se nuk kemi asgjë për të fshehur” ”, Naimi, djali i shtëpisë, që hap derën e një dhome e tregon “ Kjo është dhoma e oxhakut. Mund ta fotografoni. Është dhoma e madhe, sepse këtu mblidheshim në mbrëmje, përpara se të na prishej ekuilibri. Fotografo trishtimin e një shtëpie të zbrazët. Fotografo se si na u shkatërrua jeta nga historitë që nuk kanë ndodhur. Trishtimi më i madh nuk vjen nga ajo që ngjet. Në këtë shtëpi nuk ngjet më asgjë. E ka mbuluar turpi. E ka mbuluar heshtja”.
Këto shpifje u bënë orteku mbytës për familiarët e kësaj shtëpie. Vetëm ajrin sua helmuan fyerjet, poshtërimet e akuzave të llahtarshme. Shtëpia e Verdhë, në një vend të largët e të thellë në Shqipëri, shërbente si vendi, ku rrëmbeheshin civilë serbë, i merrnin organet për t’i shitur dhe pastaj i varrosnin të vdekur?! Po asnjëri se pranoi e s’u ndal për të drejtën nga pjestarët e kësaj shtëpie se kishin të drejtën me vete.
Autori i ka bërë një skaner artistik tepër fshikullues, Karla Pontes e Dik Martinit. Përfaqësues të dy institucioneve, që para se të akuzonin, duhet të hetonin e të provonin akuzën e fajësisë. Qëllimi ishte i qartë. Anësia e tyre politike përbalti Luftëtarët e UÇK dhe luftën e drejtë të tyre. Të dy gjetën guximin për të akuzuar dhe një shtet si Shqipëria dhe një shtëpi simbol i shpifjes, që i cënoi jetën, nderin, dinjitetin, familiarëve të saj.
Shumë e dinë që kam shkruar disa herë për krijimtarinë e suksesshme të B,Hoxhës, por ky roman i ri i Tij, konkretizon Pafajsinë e solli ndjesën për shpifjet me Mesazhin që të shërbejë dhe si Kujtesë për të gjithë.
Bashkim Hoxha, gjigandi i penës, me këtë roman, bën Gjyqin Popullor, për shpifjet e tmerrshme e shpirtin e vrarë të njerëzve, luftës së drejtë të UCK në Kosovë, ku egërsia politike e marrëzia, desh të errësojë trimërinë e vuajtjet e Luftëtarëve e Popullit të Kosovës. Vërshimi i polifonisë së këtyre shpifjeve, shënjestër kishte dhe Shqipërinë me Shtëpinë e Verdhë, emblem e kësaj çmendurie të ndyrë, për ta goditur në arenën ndërkombëtare. E përgëzoja në heshtje Autorin duke nënvizuar fragmente, figura e shprehjet e Penës Mjeshtërore të shkrimtarit.
Shpërblimi më i madh që ju bë kësaj kauze, është triumfi i së drejtës. “Akuzat e hedhura në librin e kujtimeve të Karla Pontit e Dik Marty, janë rrëzuar si të pa vërtetuara”, nënvizon B.Hoxha, te Shënimi i Autorit.
Pafajsia dhe e Drejta triumfoi, po dhimbja në shpirt ngeli. Ata fituan nderin që ia nëpërkëmbi shpifja.
Në marrëzinë e akuzave, pena mjeshtërore gërryen të vërtetën dhe i kërcënon me pasqyrimin ‘Gjetën gjurmë gjaku te oxhaku, ku familiarët thernin qingja e pula. Gjetën me një solucion, njollat e gjakut të tretura, kur 10 vjet më parë kishte lindur fëmija I Naimit…se ata nuk besonin që gratë tona lindin fëmijët dhe në shtëpi” ku nuk e im agjinonin se çndodhte në atë zonë të humbur, ku ishte e pamundur të realizohej akuza e veprimeve makabre.
Krenaria e madhështia e shkrimtarit , B. Hoxha, veç vlerave artistike, është te qëndrimi prej Patrioti që i është përgjigjur dhe kundërvënë këtij faji politik, me këtë roman plot mesazhe për të gjithë, ku s’mund të nëpërkëmbët nderi dhe e drejta për liri.
Natyrshëm, bindës, Ai shkruan” Te nënë Meremja e mirë, e butë, u zgjua luanesha që mori rrugën deri në Tiranë, për të protestuar. Trokiti dhe në ambasadën Zvicërrane. Pa u bërë pishman që bërtiti për paudhësitë e ligësisë së shpifarakëve që i mjegulluan lumturinë e jetës.
Pikërisht, reagimi i gjykimit tim, i mbante ison me krenari, Temës së trajtuar e gërshetuar me gdhendjen e përsosur të personazhit si Felice Marzzullo, Drejtor fotografie, që pyet – Ku bie Shqipëria…?! e rendit vëllezërit Belushi, Dua Lipa, Nënë Tereza e Kalkutës, Rita Ora, etj “ që me pjesmarrien në këtë film , shpreson “ti ketë dalë gjumi Fatit?” Viktor Oberth, gjerman nga Rumania, regjisori, që shprehet “Një njeri i talentuar nuk pret çmim të shfaqi vlerat”. Kevin Johns, Producenti i suksesshëm që bërtet se ky film do jetë film i buxheteve të mëdha. “Bazuar në ngjarje të vërteta” E vërteta, që kur e panë dhe dëgjuan rrëfimet e përbetimet e sinqerta të banorëve, s’thanë asnjë fjalë, po u tronditën në heshtje dhe mezi prisnin të largoheshin. prej të Pavërtetës.
Shumë e arrirë është dhe linja e vecantë e dashurisë së Barbarës që vetëm me mesazhin e përsosur në letrën që i shkruan Feliksit të prek me thellësinë e përjetimit. “Ti për Mua ishe njeriu për të cilin do të ndjeja mall sapo të ndahemi, ishe njeriu që kam pritur…Të dua pa kushte Njerëzisht. ” mbetet Etalon i dashurisë së vërtetë, të bukur, të dlirë. Triumfi pas pasigurisë së Feliksit Don Zhuan, që të eklipson jo rrallë ndjenjën e bukur që përpëlitet në stërkalat e shpresës, të frymëzon.
Më sipër përmenda vlerat poetike të Romanit, prej pasurisë së figurave artstike si: epitetet, metaforat, hiperbola, esklamacioni, që të mrekullojnë gjatë leximit. Po edhe shprehjet frazeologjike, janë koncentrat filozofik. Janë sa emocionale po aq frymëzuese. Formulimi i këtyre shprehjeve filozofike të strukturuara me trashëgiminë e tabanit popullor, janë shumë impresionuese. ”
“Gjëmbat e mërzitjes i fshehin brenda vetes”, “Njeriu i përdorur është si Gazeta e ditës së djeshme” “ Njeriu i përdorur është si çakmaku që i ka mbaruar gazi” “‘ Uniforma e kurvave është lakuriqësia”, “ Loti është sythi i dhimbjes”, “Tradhëtia e ëndërrës është e padurueshme” ose “ E ka puthur Fati”, “Do t’i ketë dalë gjumi Fatit”, ose “ Vetmia është forma më e keqe e Lirisë” etj.
Me romanin e ri “Shtëpia e Verdhë”, shkrimtari i ynë i nderuar, tregoi se është një Penë e fortë dhe e guximshme, ku zëri i tij, veshur me një figuracion mahnitës, i dha përmasa kësaj ngjarje që se shuan në kujtesë.
Jam e bindur se pas vlerësimeve e çmimeve të shumta për krijimtarinë e tij shumëdimensionale, me këtë roman, Bashkim Hoxha, ka marrë Çmimin Kombëtar të Respektit, Mirnjohjes si Personalitet i Letërsisë Shqipe.
Vlerat e çmuara artistike që nga gjuha, figuracioni, stili mjeshtëror, portretizimi i personazheve dhe ndjeshmëria patriotike, në pasqyrimin e kësaj teme të ndërlikuar me fantazinë e tij si Skenarist dhe stilin si shkrimtar, janë të përsosura.
Është i pashmangshëm dhe kuptimplotë, profesionalizmi i Shtëpisë Botuese “ONUFRI”, që di të zgjedhë e të bëjë të shkëlqejnë botimet e saj, me cilësi e vlera. Meritat i takojnë Botuesit, Bujar Hudhri e stafit të Tij, që tashmë ka kohë që ka triumfuar duke e bërë të njohur brënda e jashtë vendit. Botimet që kalojnë në duart e Tij, të Zanës, bashkëshortes së mënçur e të palodhur , vajzës së tij bukuroshe që mbulon artin e punës me botimet dhe kopertina e përgatitur nga Indrit Domi, tepër i suksesshëm, tashmë i pandarë në bashkpunimet me Autorin, ia kanë shtuar shkëlqimin Librit.
Uroj që Shkrimtari Bashkim Hoxha, krenaria e qytetit dhe e vendit tonë, të gjejë gjithmonë frymëzim, për të na sjellë Romane kaq të mrekullueshëm!