Ditët e mia
Ditët e mia me rreze diellore,
nga e hëna deri të shtunën;
e diela është si një “vajzë” punëtore,
sepse bën bilancin për punën.
S’e kuptoj se si zhduket si retë java,
dhe e hëna prapë del pararojë;
i thotë të martës: “Nuk të shava”,
dhe e mërkura mbetet pa gojë…
E enjtja, diplomate si ujëra neutrale,
si një arbitër që s’mban asnjërën anë;
e premtja ndjek skenat teatrale,
drama, komedi në ankand.
E shtuna i mban të gjitha ëndrrat në mitër,
siç mban fëmijët binjakë një nënë;
i nxjerr pastaj në jetë për t’u rritur,
identikë si yjet që janë në hënë.
E diela thotë: “Keni bërë gabime fatale”,
dhe mbi “i” vendos një pikë;
si fundi i një filmi: “The End”, finale,
të nesërmen nis cikli antik…



















