Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Ti meriton respekt e dashuri

423
Sigal

 

 

Ti meriton gjithçka të bukur, o grua !

Grimcën e ngazëllimit të pamatë,

dritëzën e currilit, që pjellë një krua,

drithërimën e dashurisë së parë.

Ti do pjalmin e fjalës së bekuar,

kur stuhitë godasin pa mëshirë,

fletët argjend të shpirtit të vuar,

ku çel livadhi me aromë të mirë.

Ti s’duhet të qash stinëve vetmuar,

ëndërrimeve zhytur në qiell të nxirë,

skllave mesjete lidhur këmbë e duar,

gjakosur dhe çnderuar pa mëshirë.

Frëngjive, sa zëra vijnë dridhmuar,

sa të tjera rrëzojnë lotë në errësirë,

sa ngrijnë kristale për të dëshmuar,

tmerrin makabër,mbetur syve shëllirë.

Pse ti , o burrë matesh me një grua?

Forcën shtazarake asaj ia tregon!

Asaj që rrit filiza lëndinës lulëzuar ,

e stinët mbush me cicërima plotë ?

Ti grua meriton të ëndërrosh gazmuar,

të mos mbytesh turpeve nga të tjerë,

si të jesh Eva, që vajton e penduar,

për mëkate, që si ke bërë asnjëherë …

Ti mbin nëpër gjak , trëndafil i mishtë ,

petalkuqe flladitur nga era dhe retë,

duke u përkëdhelur kurmit të fildishtë,

me ledha dashurie nga burr’ i vërtetë.

Ti meriton lotin përgjërues të burrit,

pendesën për çdo plagë të marrë

të falet para teje, si Krishtit para gjumit,

para hyjnisë, që lind krijesën e gjallë.