Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Më lindi zana më e bukur e ilirisë

51
Sigal

Nën qiellin puplor, me ngjyra vjeshte,

më lindi Zana më e bukur e Ilirisë,

kërthizën ma lidhi me fije gjineshtre,

në buzë më vuri muzën e poezisë.

Flladi më përkundi në djepin e vjeshtës,

me ritmin e tingujve të lashtësisë,

mes vegimeve ndjej ende , dirigjimin e erës,

simfoninë e ëmbël të ninullës mbi gjinj.

Teksa vjeshta hidhte vallen e gjethes mbi mua,

puthja e nënës, rridhte ujvarë mbi faqe,

dyzet ditë dhe net me ëngjëj kam vallëzuar,

këtë valle hedh ende me ndonjë flutur nate.

Teksa shpirti lundron nëpër oazin e poezisë,

më ndjekin krakëllima korbash gjëmimtare,

me rrezen diellore që më dha Zana e Ilirisë,

lundroj drejt tempullit të Safos legjendare.

Ah, kjo nëna ime, me pamje të perëndishme!

Fytyrën vjeshtake më përkëdhel si dikur,

më nxit të kapërcej dallgët e jetës, si zogu i stuhive,

pasardhësve t’u lë një emër të ndritur.

 

 

E dashurua me jetën

Në shtegun e errët midis jetës dhe vdekjes,

përroi i jetës shter rrjedhën në çast,

kur vdekja thith me buzën e etjes,

çdo rremb të fshehur, që pikon pjalm.

Nuk di kur do t’i shkel sinorët e shtegut,

prej të cilit nuk ka më kthim,

por di se kam forcën e drurit të shelgut,

të hedh rrënjë burimeve në vrullim!

Të mbështes kokën në djepin e Tokës,

siç e mbështeta në barkun e nënës,

kur Zoti më mbronte brenda mikrobotës,

që ka krijuar në mitrën e femrës.

Në qiejt e stinëve të jem shqiponjë e lirë,

të mbush hapësirat me cicërima jete,

thuprat e erës, t’i bëj lastarë në gjethim,

t’u jap frymë, deri në inde e deje.

Nuk di kur do t’i shkel sinorët e shtegut,

prej të cilit nuk ka më kthim?

Por, ndiej se jetën kam dashuruar pareshtur,

në lakun e saj, ku ka rënë shpirti im.

Prandaj, kur demonët të rendin tërbuar

dhe dheun të gërryejnë me thundra,

ti, Tokë vishmë me membranat e tua,

dhe nën qiparis me jetën, do jem e dashuruar .