Suplementi Pena Shqiptare/ Botohet në Spanjë romani “Vajzat e mjegullës” i Namik Dokles

137
Sigal

Këto ditë, shtëpia botuese Ginger Ape Books & films, në Spanjë, botoi romanin “Vajzat e mjegullës” të shkrimtarit Namik Dokle, i botuar më parë edhe në Turqi, Bosnjë dhe Bullgari. Libri është përkthyer nga Maria Roces Gonzales, përkthyese shumë e njohur tashmë, me përkthimin në spanjisht të veprave të Kadaresë, Kongolit, Bashkim Shehut etj. Në shënimet përcjellëse të librit nga botuesi, shkruhet: “Sikur të ishte një version komunist i legjendës mitologjike të “rrëmbimit të Sabinave”, vajzat e fshatit Bukojna rrëmbehen nga “aksioni”, një mobilizim i urdhëruar nga partia, dyfish i rëndë për to, sepse ndodh para festës së Shën Gjergjit dhe ritualit të miqësimit, dashurisë e më pas edhe të martesave të tyre. Nisur nga kjo ngjarje, vështrimi i protagonistit rrëfimtar të romanit, një djalë 13 vjeçar, evokon dekadën e viteve pesëdhjetë në krahinën e Gorës , të jetuar nën peshën e rëndë të diktaturës së Enver Hoxhës. Rini e prerë me sëpatë, ashtu si edhe vetë gjeografia, thuajse imagjinare, e Gorës, e ndarë nga fuqitë e mëdha në tre shtete: Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia e kohës jugosllave. Falë romanit VAJZAT E MJEGULLËS, që përshfaqet si një baladë e mrekullueshme, në sytë e lexuesit Bukojna magjike e shtatë portave reziston përballë represionit të pamëshirshëm në kohërat e dashurisë për Stalinin. Dhe kështu, në këtë enklavë të krijuar nga ngulimet mesjetare të heretikëve bogomilë dhe bashkimi i ardhësve vllehë, hebrenj dhe malësorë, dielli lind dy herë çdo ditë dhe hëna perëndon dy herë çdo natë e vdekja i përcjell të vdekurit në varreza, mbështjellur me qefin prej mjegulle, përveç rastit, kur ajo i ka harruar apo nuk i ka gjetur ende, të humbur në bjeshkët e Kallabakut, si Majka, plaka magjistare 300 vjeçare, bartësja besnike e traditës së fuqishme gojore ballkanike, e mbushur me mite, legjenda dhe këngë epike, që mbijetojnë ngulmueshëm në këtë roman.”