Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Kur një grua të do

768
Sigal

Kur një grua të do, të lidh me fashë të zjarrtë,
avullon djersën e saj të ngjitesh reve lartë,
zbret ujvarë nga alpet mbi përroin e thatë,
spërkat me bulëza uji, zambakët e pritjes së gjatë.

Kur një grua të do, lumturia troket në derë,
dimri me flokë ngrice nga dritarja del,
se dashuria e një gruaje kthen dimrin në verë,
goxhes së paçelur, me frymë i thotë,çel!

Kur gruaja loton, si reja në vjeshtën e parë,
ti mblidhi gjithë ndjenjat në tufë jargavan
shtratin martesor, bëje luadhin e ëndrrave të saj,
sa t’i japësh një puthje, ajo dashurohet prapë.

Shpirti i gruas ëngjëll, s’ka mister nëpër fletë,
është besnike fronit , ku ulur presin të tjerë,
nëse e do me zemër, s’ngrihet sa të ketë jetë
edhe vdekjen ëmbëlsisht sipër fronit e pret.

Kur të do një grua, të lidh me fashë të zjarrtë,
avullon djersën e saj, të ngjitesh reve lartë,
zbret ujvarë nga alpet mbi përroin e thatë,
një bulëz uji nga shpirti i saj, ushqen një oqean.