Suplementi Pena Shqiptare: Mimoza Çobo: Buzët magjike të gruas

247
Sigal

Mos mungoftë pjalmi i zotave në buzët e tua,
apo vera që rrëshqet, kur buzët flenë në paqe!
Si një fill i zjarrtë i pamatë janë buzët e tua , grua.
Prej andej shprehjet e dashurisë rrjedhin me afshe,
se buzët e tua i ngjajnë trëndafilit të kuq me vesë,
kur zgjohen ledhatuar, nga flladi çdo mëngjes,
teksa shkasin të lëmuara dhe plot jetë,
mbërthejnë burrin në kurth me gjallërinë e beftë.
Se buzët e tua grua, janë krua me ujë të bekuar,
nga burojnë puthjet e pashtershme femërore,
ku fëshfërijnë erëra ndjellëse, me tinguj ujërash,
që nën lëkurën e burrit, hyjnë pa droje.
Por kur buzët e tua, shkrumbohen përmalluar,
cipa mishtore çahet e shpirti mbytet në gjak,
nga thellësitë e kroit të buzëve, fryn llahtaruar,
një fllad përvëlonjës, që çdo burrë përflak.
Kur buzët e tua grua, rrëzojnë petale trishtuar,
malet ulin kryet, në heshtje të thellë mortore.
Përrenjtë shpërthejnë digat e shpirtit pikëlluar,
Hëna nga hidhërimi, bëhet një grusht dore.
Mos thith ujin e bekuar, në buzët e një gruaje,
nëse dhunon rrënjët e kroit të saj mijëravjeçarë.
Kroin e puthjeve idilike, nga thatësira vrastare ruaje,
se puthja e gruas, ngjall të vdekurin në varr.
Askush s’ma kthen pranverën!…
Sa pak fjalë thamë nën dritën e hënës,
nën qortimet e saj, na pushtoi heshtja,
dhe pse flokët m’i ngjeu me ngjyrat e zemrës.
Shpirti më djersiti nëpër lotë nga tretja.
A do mundemi vallë të rrimë të vetmuar?!
Do mundemi pa parë njëri-tjetrin përditë ?!…
Sikur ta prekje shpirtin, që digjet përvëluar,
lotin e çmendur, do ma fshije me qerpikë.
Burrat si ti, të vrasin pabesisht me zemër,
të falin dashuri dhe ta rrëmbejnë papritur.
Sa shumë më fute në ëndërrime pa emër
dhe pastaj më hodhe humnerës së ngritur.
Sa keq, që zemrën me tradhëti e ke gatuar
dhe pse mundohem të gjej një të vërtetë,
e di, se asnjë femër, ty s’ka për të dashuruar,
se ti, në darkë ia puth zemrën, në agim e vret.
Askush tani s’ma kthen pranverën e bekuar,
por ëndërrat dhe shpresat dua të m’i kthejnë!
Burrat si ti, sa gra fisnike kanë shkatërruar,
sa të tjera përkushtohen e dashuri nuk gjejnë!
A nuk jam qenie njerëzore për t’u dashuruar?
A nuk jam unë, ajo që mbjell filiza jete në botë?!
Sikur emri tradhëti të mos kishte ekzistuar,
yjet s’do lindnin vetëm në qiell , por edhe në tokë.