Jehonat
Jehona e fyellit, tinguj që lodrojnë.
Jehona e pushkës, oshëtimë e gjatë.
Jehona e mallit, flutura që vallëzojnë.
Jehona e braktisjes, një kërcitje e thatë.
Fati
U lodhën shumë duke pritur
që fati derën t’ua trokiste…
Pastaj…ah!…
…Me ashensor poshtë kanë zbritur
ndërkohë që fati shkallët ngjiste.
Drejt shpirtrave të vuajtur shtigjet janë të zëna
me rrjeta metaforash ku kollaj ngatërrohesh!
Frazat e magjishme tashmë janë të stërthëna
ndaj lere atë shteg se shpejt do të pendohesh.
Ndërmerr një rrugëtim brenda shpirtit tënd.
Zbulo ku rrinë demonët, ku ëngjëjt shkojnë të flenë:
mundohu të vesh rregull, secilin nëpër vend.
Se shpesh ata rrinë bashkë e fshehtazi dëfrejnë.
Ti s’e ke vënë re, por i ke jashtë kontrollit!
Demonët edhe ëngjëjt rrinë të përqafuar.
Në gjuhën e përditëshme ky quhet korrupsion
dhe s’bën dot poezi me shpirt të korruptuar.