Suplementi Pena Shqiptare/ Miltiadh Davidhi: Ha si në patokun tënd!

325
Sigal

(Ngjarje e vërtetë)

Secili prej nesh ka një njeri të vogël brenda vetes, të cilin duhet ta marrë prej dore, ta mësojë të ecë, ta rrisë e ta edukojë, ta bëjë të kulturuar që të jetë i aftë të ngjisë shkallët e jetës, i fortë e pa vese.  Për ndryshe do të turpërojë kopjen e rritur. Dhe kopja e rritur shikohet prej të gjithëve në çdo hap që hedh, ndërsa njeriu i vogël brenda nesh nuk shikohet me sy. Ai hedh gurin dhe fsheh dorën. Por fajtor mbetemi ne, të rriturit, ndaj duhet të merremi më seriozisht me njeriun e vogël, të cilin e kemi brenda qenies tonë. Në këtë rrëfenjë do të tregojmë se si Miti, njëri prej personazheve të këtij tregimi i jep një mësim të mirë njeriut të vogël që ndodhej i fshehur në trupin e shpirtin e komshiut të tij, Vasilit dhe kopjes së tij të rritur, të cilët të dy i binin qylit tek të tjerët dhe sidomos tek Miti, duke qenë se e kishte komshi. Për të mos e zgjatur tregimin me këto gjëra të kota e pa bukë, po filloj menjëherë nga rrëfenja. Vasili pasi e futi patokun në kotec dhe u sugurua që ia kishte mbyllur derën mirë, fluturoi jashtë në vend të patokut duke marrë frymë i lirë. Ndjehej i gëzuar me rritjen dhe shëndetin e mirë të patokut. E kishte futur në gjetkëz dhe e ushqente si bir të vetëm duke i dhënë të hante atë ushqim që patoku pëlqente më shumë. Prej shëndetit dhe rrezeve të diellit i shkëlqenin pendët e bardha e të bukura, ndërsa zbriste fluturim në ujë si një mbret i plotpushtetshëm. Kushdo që e shikonte, kur Vasili e nxirrte në dellin aty pranë, habitej nga madhësia dhe bukuria e patokut. -Si unë është shëndoshur dhe zbukuruar, – mendonte me vete Vasili dhe ndjehej i lumtur. Por, ato, të cilat gëzoheshin më shumë ishin patat e komshinjve. Ato fluturonin dhe i dilnin përpara të paduruara për ta parë e takuar mikun e tyre trupmadh e më të bukurin e gjithë pellgut. Në gjuhën e pakuptueshme të tyre i shprehnin mirëseardhjen duke u përpjekur të ngrinin sa më shumë stërkala uji në shënjë lumturie. Dhe pastaj i afroheshin sa më pranë duke e përkëdhelur lehtë me krahë e duke i shprehur keqardhjen që e kishin mbyllur në shtëpi dhe e nxirrnin jashtë kaq rrallë. Ato donin ta kishin midis tyre çdo ditë, të luanin e të kënaqeshin me njëri-tjetrin. E shikonin të habitura se si i frynte krahët madhështor e pinte ujë me sqepin e bukur e lundronte mes tyre triumfator e i lumtur që kishte fituar lirinë dhe tashmë ndodhej aty. Pastaj, si të kujtohej, se e kishte të kufizuar kohën e i duhej ta çfrytëzonte mirë, niste e luante me to duke i ‘’shkelur’’me radhë. Patokët e tjerë, sa e shikonin të futej në ujë, largoheshin nga sytë këmbët, duke e lënë kështu të qetë. Të mjerat pata, që megjithëse e dëshironin aq shumë, kur e kishin përsipër, vetëm ato e dinin seç hiqnin prej peshës së tij të rëndë. Por, megjithë vuajtjen, sërish i vinin vërdallë, si t’i luteshin t’ua përsëriste sërish këtë dhimbje të ëmbël, këtë akt jetësor dhe të shënjtë të kësaj bote, si dhuratën më të arrirë dhe për shpendët e ujit. -Patat dëshirojnë që prej vezëve të lindin pasardhës me trup të madh e të bukur si patoku im, -mendoi Vasili, teksa nisej në arë për të punuar. Por, ndërsa ai punonte në arë, Miti, në vënd të merrte për të therur patokun e vet, kapi patokun e Vasilit, të cilin e kishin lëshuar fëmijët për të luajtur dhe e kishin harruar pa e marë, atje, ku e kishte lënë Vasili. Gjithë patokët e tij, Vasili ia kishte rralluar. Le të hante njëherë mish prej patokut të vet, pa të shikonte se si do të reagonte. Mbasi e ropi dhe e pastroi mirë prej pendëve e ia hoqi të brëndshmet, e poqi në hell. Pikërisht atëherë, Vasili që po kthehej nga puna i lodhur dhe me zorrët që i kërcisnin prej urisë, ndjeu erën e mirë të mishit që piqej dhe në vënd të shkonte në shtëpinë e tij, ktheu për nga shtëpia e komshiut. Duke qënë se Miti ishte njëri i mirë e mikpritës e s’ia prishte qejfin kurrë, ai, më shumë ia shtronte me të ngrëna e të pira tek Miti, se sa në shtëpi. Kështu dhe sot, Miti sa e pa të futej në oborr, i doli përpara duke i thënë: -O sa mirë bëre që erdhe vetë, se, sa do të dërgoja djalin për të të thirrur. Miti ishte një burrë me trup mesatar dhe mbante kapele në kokë, se i kishin rënë flokët. Fshatarët e donin dhe e respektonin si njeri të urtë dhe burrë të mençur. Ndaj, ata, shkonin tek Miti për të biseduar e qarë hallet, e për të marrë mendime për problemet që kishin. Por, më shpesh nga të gjithë, kuptohet që vinte Vasili. -Epo, nuk të kam më kot komshi, – i thoshte me të qeshur, ndërsa futej në prakun e derës. Por, nga ana e tij, Vasili nuk fuste njeri në shtëpi dhe pse ekonomikisht  nuk ishte keq. Se në atë kohë, kur ka ndodhur  kjo rrëfenjë, njerëzit në një kazan zienin për nga niveli i gjendjes ekonomike. Që të gjithë, thuajse ishin njëlloj, si në numrin e gjësë së gjallë dhe në sipërfaqen e tokës që zotëronin. Po kështu dhe format e shtëpive e mobilimet e thjeshta brënda tyre, thuajse ishin njëlloj. Por, shpirtin dhe njeriun e vogël brenda vetes e kishin të ndryshëm. Dikush e kishte të pastër e të mirë, e i vezullonte në dritën e sinqeritetit si flori. Dikush të nxirë si një fund kusie të vjetër e të ndryshkur prej flakëve të veprimeve të paturpshme të kurnacërisë. Njëri i vinte fre kalit të revanshit të teprimeve, e tjetri, jo. Si njeriu i vogël i Vasilit. Kalin e qylit e kulloste shtëpi më shtëpi sipas qejfit të vet duke ia hequr fare litarin nga qafa. Dhe më shumë i pëlqente ta kulloste në çairen e shtëpisë së Mitit, se, dhe më afër e kishte e s’lodhej, por, dhe, se çairen Miti e kishte më të mirë. Vasili ishte një ‘’kalë’’ që donte mish dhe raki dhe ndryshonte nga kuajt e tjerë që ushqehen me bar dhe me tagji. Dhe këto, sipas tij, komshiu i kishte me shumicë. Por, Miti i varfër dhe kur s’i kishte në shtëpi, shkonte dhe i merrte hua tek komshinjtë e tjerë. Merrte herë një shishe raki e herë një gjë tjetër, se i vinte turp që ta priste keq. Se, jo vetëm që e kishte traditë shtëpie brez pas brezi mikpritjen, por, dhe sepse kishte merak se i nxirrnin në fshat namin e keq. Dhe më mirë t’i dilte syri, se nami i keq. Vasili i jepte dhe gojës ca si shumë. Ndaj kishte rënë në hall, por s’kishte si t’i thoshte ik nga shtëpia. I vinte turp t’i mbyllte derën e ta nxirrte përjashta. Me komshiun ke dhe të mirën dhe të keqen. Por, nga ana tjetër Vasilit s’i vinte turp fare. Me një ha, ha, ha, duke qeshur, futej në shtëpinë e Mitit e ulej këmbëkryq për qejf të zotit, në anën tjetër të oxhakut. Dhe ngrihej vetëm kur mbaronte dhe pika e fundit e rakisë, e kur i ishte zënë zëri prej të kënduarit. Kështu veproi dhe këtë pasdite. Fytyrëgëzuar dhe i dashur sa më s’kishte ku të vinte u ul në krahun e djathtë të oxhakut. Ky vend, nga të gjithë pjesëtarët e familjes, quhej qoshja e Vasilit dhe s’e zinte njeri. U ul dhe nisi të nuhaste erën e mirë të mishit, i cili piqej në hell nga dhoma tjetër. Kishte arritur nga era të dallonte në se ishte pulë, rosë, patë, apo shpend deti. Dhe vetë kishte një tufë të madhe me pata, rosa dhe shpend deti, të cilët fluturonin si avionë të vegjël e të bukur me sqepat plot me fije bari, pa u cënuar fare. Vetëm rrallë fuste ndonjë në gjetkëz, siç kishte vepruar me patokun. Ndërsa tufa e Mitit kishte filluar të rrallohej. Ishte katandisur siç i thonë, si kaposhi në një thelë. Por, le t’i lemë këto sqarime pa vlerë, para vlerës së mishit të pjekur dhe samzanes plot me raki që iu servir përpara nga i zoti i shtëpisë. Ndihej i paduruar për të filluar të ngrënët e të pirët, por i zoti i shtëpisë shkoi dhe solli djathë të njomë e vezë të freskëta të ziera, duke ia njohur mirë preferencat komshiut. Pastaj qetë-qetë, si të donte të luante me padurimin e Vasilit, duke i kërkuar falje shkoi e shkuli disa hudhra  të njoma në bahçe. Dhe, mbasi zuri vend përballë mikut me gotën e rakisë plot i tha: -Ja, gëzuar dhe të lumshin këmbët që na erdhe dhe sot, ashtu siç na vjen dhe na gëzon me praninë tënde të përditshme. Por, Vasili e kishte mëndjen tek mishi që ia bënte me sy duke nxjerrë avull të ngrohtë dhe nuk e kuptoi ironinë e komshiut. Duke kuptuar padurimin e urisë së mikut, i zoti i shtëpisë nuk e teproi me dolli të tjera siç e donte zakoni. Takoi gotën me gotën e tij e tha: -Gëzuar! Dhe ha tani si në patokun tënd! Por, atij, kjo thënie prej të zotit të shtëpisë iu dukë e tepërt dhe e pakuptimtë, se, ai ashtu kishte ngrënë gjithmonë. Turpin e kishte ngrënë me bukë me kohë e me vakt. Gotat zbraznin një nga një samzanen dhe copat e kollufitura të mishit sa vinin e pakësoheshin. I zoti i shtëpisë i përmëndte  atë shprehjen absurde dhe të pakuptimtë për të: -“Ha si në patokun tënd!” Ai ashtu po hante, si në patokun e tij. Uria e nxiste të ngopte barkun e s’kishte nge të merrej e të gjente kuptimin e vërtetë të fjalëve të komshiut. Ku e linte aroma e rakisë së rrushit të sapo zjerë për merak dhe shija e mishit të sapo pjekur të gjente fillin e atyre fjalëve? Por, ngopja me mish dhe raki ngadalë-ngadalë ia shuan urinë dhe njeriu i vogël brenda trurit të tij nisi të mendonte për të gjetur kuptimin e vërtetë të fjalëve të Mitit, në fillim të pakuptimta, por, që po e goditnin si çekan në kokë. Dhe si t’i kishin ngulur një gozhdë të madhe në tru, ndonëse me shumë vonesë, u hodh përpjetë nga një mendim i keq. -Unë, -mendoi, -kurrë s’ia kam dëgjuar Mitit në kaq vite që jemi bashkë shprehjen që sot m’a ka përsëritur shpesh: -„Ha si në patokun tënd!“  -Bo, bo, -tha Vasili,- patoku im! I mjeri unë, patokuuu! Dhe u ngrit të verifikonte në se ishte patoku atje, ku e kishte lënë në mëngjes, apo jo. -Ku vete? -i tha i zoti i shtëpisë. -Të shikoj patokun, -u përgjigj Vasili i skuqur në fytyrë duke mos e kuptuar ende kuptimin e vërtetë të fjalëve të komshiut. -Çfarë patoku, more?! – tha duke qeshur Miti dhe ngriti gotën: -Për shëndetin tënd, o komshiu im i kudogjendur… -“Ha si në patokun tënd!”