Qemal Cenaj: Zogu iku, por matjanët luftuan fashizmin

480
Sigal

Organizimi dhe pjesëmarrja e matjanëve në Luftën Naçl. mbetet një shembull model, i padiskutueshëm

 

Ndjen keqardhje si po trajtohet nga disa, periudha e Luftës Nacionalçlirimtare, por qëndrimi i tyre ndaj Matit e matjanëve, të habit! Fuqinë dhe vlerat që shpalosi krahina e Matit në këtë luftë, si  në të gjitha luftrat për liri, janë realitet i gjallë. Edhe pse ata që organizuan e bënë luftën nuk jetojnë më, ose janë të rrallë, dëshmitë e tyre nuk mund të futen në “arkivol”. Rrugët e përshkuara nga kryengritësit, kundrejt objekteve të zaptuara, baza të fashizmit, të rrethuara me tela gjembash dhe mbrojtur me forca të shumta, armatosur deri në dhëmbë, u shenjuan me gjakun e bijëve të Matit, të ndërgjegjshëm e të vendosur për ta shporrur pushtuesin. Pavarësisht marrëdhënieve të mbretërisë e qeverisë shqiptare me Italinë, misioni i fashizmit do të shfaqej real me kërcënim për pushtim të tokave shqiptare. Kjo e kishte vënë në pozicion të vështirë mbretin Zogu I. Dilemën, e kish bërë të njohur më parë se të merrte vendimin e largimit. Populli i Matit kishte nisur organizimin për qëndresë me armë, në pritje të urdhërit, por siç u bë e ditur më vonë, nuk u shpall organizimi masiv, pasi përballë forcave fashiste të armatosura në maksimum, “u pa si e pamundur” përballja për kthimin mbrapsht të tyre. Dy ditë më parë se forcat e fashizmit të preknin brigjet shqiptare, matjanët e kishin marrë sinjalin dhe, siç e kishin në traditë, nga të gjitha zonat u morën masa për t’u organizuar. U grumbulluan rreth 1600 forca, të cilat u nisën në dy drejtime: Qafë-Shtamës dhe Milotit për t’u bashkuar më pastaj në rrethinat midis Tiranës e Krujës.

Pas grumbullimit, në pritje për detyrat e mëtejshme, u njohën me lajmin e hidhur të asaj ç’ka kish ndodhur; zbarkimin e forcave armike fashiste në Durrës. Duke kuptuar se çdo tentativë për më tej ishte e kotë, vendimin për t’u kthyer djemtë dhe burrat e Matit e kishin pritur me dhimbje dhe mllef. Ishte e para herë në nismat për aksione luftarake, që të ndërpriteshin pa arrirë në vijën e frontit, pa u përballur. Aq më keq lajmi për largimin e mbretit nga vendi i kish indinjuar së tepërmi. Vendimi i kthimit ishte tepër i vështirë, siç ishte tradita, “sa vetë vdekja”, por gjithnjë me logjikën e ruajtjes së qetësisë, se djemt do t’i duheshin vendit, siç u muar dhe zotimi: “Të mos i linin qetësi e vend askërkund pushtuesit fashist”. (Të paktën në më shumë se pesë shekuj tradita njihet). Midis grupimeve për vendosmërinë e mosnënshtrimit ndaj pushtuesëve kishte njerëz të sprovuar në luftra që ndaj pushtuesëve osmanë, serbë e italianë. Ata ishin të njohur dhe në qendër, ashtu si të rënët, heronjtë e aksioneve, jo vetëm dëshmi e rrëfimeve dhe këndoheshin në këngë, por ishin frymëzim e krenari në përleshje me armiqtë për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Pse mbreti shqiptar, nuk e pa të mundur përballjen me luftë të hapur ndaj fashizmit Italian, porositë e tij nëpërmjet njerëzve të besuar ishin: Të mos nënshtroheshin, por të vijonte organizimi e përpjekja me kundërshti, për t’i dhënë të kuptojë atij, se shqiptarët nuk do e pranojnë e s’do i prisnin si miq! Matjanët e dëshmuan këtë, sapo skalionet e para fashiste shkelën në kufinjtë e krahinës së tyre, vetëm një javë pas 7 prillit 1939. Në të gjithë krahët e mësymjes për në Mat, forcave pushtuese iu organizuan prita. Ndaj tyre nisën goditje, për të mos u lënë asnjë çast qetësi. Ajo që ndikoi pozitivisht në masat e njerëzve, ishte fakti se, thirrjes së komandës të ushtrisë fashiste kundrejt ish-kuadrove ushtarakë e oficerë të Zogut, për t’u rreshtuar me grupet e regjencës, matjanët nuk iu përgjigjën. Përkundrazi, nga ish-ushtarakët e qeverisë së Zogut, numër jo i vogël, pati lëvizje të shumta, që mos pajtimi, urrejtja e rebelimi ndaj pushtesit fashist të mos mungonte në asnjë çast dhe në asnjë pozicion. Midis të shumtëve ishin Demë Kazhani nga Burgajeti, Rrahman Marqeshi nga Lisi, Hysen Salaj nga Shoshaj, Rrahman Hysa nga Shëlliu e shumë të tjerë që nuk e pranuan rrobën e fashizmit. Me krijimin e partisë fashiste në teritorin e Matit, asnjë matjan nuk pranoi të vihej në krye të saj, duke detyruar regjimin të sillte këtu një jabanxhi nga Nikaj-Mërturi, i quajtur Nik Sokoli. Roli i politikës së tij, që përpiqej t’i krijonte hapsirë e terren regjimit fashist, ishte mjaft i zbehtë, për faktin se ajo nuk përcillej nga matjanët, aq më tepër nëpër raste, në odat e burrave bëhej bisedë e propogandë për të kundërtën, duke pritur ditën e një shporrjeje të gjëmës fashiste, që kishte errësuar vendin. Në Burrel, i cili vetëm emrin kishte qytet në atë kohë, por që njihej si qendër e rrethit, u krijuan dy grupe aktive që zhvillonin propogandë të programuar kundër fashizmit italian. Njeri në shkollën e Iternatit Burrel, që drejtohej nga Ramazan Velçani, student nga fshati Cërujë, ndërsa tjetri kryesohej nga Rexhep Dobra prej fshatit Burgajet. Këto dy grupe u mbështetën nga Muhamet Gjollesha (dëshmor i atdheut), luftëtar i paepur kundër fashizmit, që në atë kohë punonte në Ndërmarrjen Batore, si dhe nga Beqir Minxhozi, antifashist i vendosur që në orët e para. Në këto kushte kishte hyrë në Mat lëvizja për krijim të celulës komuniste dhe nuk të habit fakti që ajo u krijua në shtëpinë e Sulë Hakikut, fshati Lis. Meqenëse kjo shtëpi, familja, kishte prejardhjen “fezllabegj” (bejlere), si dhe duke u vënë në krye të celulës djali i shtëpisë, Hakik Fejza, ndikoi shumë në krahinën e Matit, te gjithë familjet me prejardhje bejlere, që lëvizja antifashiste të merrte një vrull të shpejtë, në të gjithë fshatrat. Celula u kthye në bazë, mbi të cilën u krijua çeta partizane e Matit, ndër të parat në vend. Kjo u realizua më 18 korrik 1942 në Klos-Katund, në shtëpinë e Hysen Bozhiqit. Vetë Hyseni vinte nga një familje bejlerësh, “kryetar semti”. Në ditën e krijimit të çetës partizane ai u zgjodh në krye, komandant i saj. Menjëherë, çeta, krahas nismës për shtimin e radhëve të saj, nisi aksionet dhe veprimtaritë për t’i prerë krahët dhe rrugëkalimet pushtuesit. Dëmtoi sistemin e ndërlidhjes duke këputur segmente të linjave, vendosjen e pengesave në rrugët ku lëviznin me mjete të motorizuara dhe më 8 shtator të vitit 1942, në fshatin Vig, me një grup partizanësh e nacionalistësh kryesisht nga Shëlliu e Lisi, u organizua dhe u kry’ me sukses aksioni i parë i çetës, kundrejt postës sekrete ushtarake të ushtrisë fashiste. U muar armatimi, u dogj një nga makinat, ku pati dhe të vrarë nga radhët e ushtarëve fashiste. Tre muaj më pas, më 30 dhjetor, në vendin e quajtur “Xhere e Çelës” çeta kreu një tjetër aksion edhe më të fuqishëm, ku ushtrisë fashiste iu shkaktuan humbje të shumta, duke lënë 17 të vrarë nga radhët e saj. Aksionet u bënë moto e sulmeve partizane, për marrjen e armatimit në n/prefekturë, prishjen e shkatërrimin e postkomandave fashiste, duke i vështirësuar dhe paralizuar në veprimtaritë dhe misionet qeverisëse. Sulmet e veprimtaritë luftarake kishin tërhequr vemendjen e banorëve, popullit, i cili i mbështeste, duke përqëndruar vemendjen edhe te fiset që njiheshin si parí e Matit. Madje mbi këto binte një përgjegjësi e madhe, për arsyen se populli i kishte ndjekur tradicionalisht në të gjitha kryengritjet dhe për çdo thirrje, në mbrojtje të tokave, interesit dhe ligjit të vendit. Kështu u ndez, u pleqësua dhe konsolidua vendimi për një nismë me karakter të gjërë, organizimin e kryengritjes së përgjithshme. U arrit marrëveshja, ku në shenjestër ishte futur shtabi i garnizonit fashist italian me qendër në Burrel dhe çerdhes së partisë fashiste që vepronte në krahinën e Matit. Për ndërmarrjen dhe kalimin në veprime konkrete duhej mirëorganizuar puna me veprime të kordinuara. Duheshin sa më shumë forca dhe mjete me të cilat do të niste sulmi, si dhe drejtimi e organizimi i kontakteve për të kurorëzuar me sukses aksionin që synohej. Përpara çdo sipërmarrjeje matjanët kanë pasur moto të punës organizimin dhe mbledhjen në kuvend, (çdo kryengritje e çdo luftë në Mat, të paktën që pas kohës së Skënderbeut, është zhvilluar mbi bazën e vendimeve të një kuvendi, me qartësim të misionit e detyrave për secilin pjesmarrës e grup). Kjo nisi me fshatrat. Më pas, krerët kryesor u mblodhën për vendimarrje. U vendos që Kuvendi të mbahej në krahinën e Prellit, konkretisht në fshatin Bruç. U caktua data 26 korrik 1943. Kuvendi u nis dhe përfundoi në shtëpinë e Nezirajve. Kjo datë hyri e mbeti në histori si Kuvendi i Bruçit. Morën pjesë gjithë palët përfaqësues të zonave, fshatrave dhe krerëve të njohur, (shtëpitë e para), përfaqësues të partisë komuniste, të cilët vepronin pa emrin e forcës që përfaqësonin. Pas diskutimeve e shtrimit të detyrave, vendimi unanim ishte: Organizimi dhe pjesmarrja e gjithë matjanëve në luftë. U bë ndarja e detyrave, detajuan veprimtaritë dhe lëvizjet, me qëllim për t’a kthyer kryengritjen në masive deri përgjunjen dhe shkatërrimin e forcës fashiste.

Në shtabin drejtues, u zgjodhën njerëzit më aktivë dhe reputacion nga të gjitha palët përfaqësuese dhe zonat. Kryengritja nisi më 31 korrik, me pjesmarrje të mbi 3000 matjanëve. Luftimet kundër garnizonit fashist dhe reparteve ushtarake të disllokuara në Burrel, nisën pas mesnate. Në të njejtën kohë u sulmua kampi fashist në Komsi, ku mbaheshin mbi 250 të burgosur patriotë e kundërshtarë të regjimit, të cilët në mënyra të ndryshme kishin shfaqur pakënaqësitë dhe revoltën ndaj pushtesit. Ra në sy forca dhe vullneti i disa prej pjesmarrësve në aksionin e luftimeve. Shumë nga të grupit komunist duke i vënë përgjegjësi vehtes edhe si palë organizative, u vunë në korent të ndjekjes dhe evidentimit të veprimeve të caktuara për realizimin me sukses në çdo aksion të ndërmarrë. Në një situatë të papritur dhe të vështirë që iu krijua, pushtuesit kishin kërkuar te komanda eprore fashiste ndihma me përforcime nga Tirana. Këto ndihma ishin nisur nga dy drejtime: Qafë-Shtama dhe Perlati, nga ku mund të lëviznin autokolonat e mjetet fashiste. Ngado që nisën të hynë në teritorin e Matit, forcat pushtuese u përballën me zjarret e pritave të krengritësve popullorë, duke krijuar panik për ‘ta dhe lënë dhjetra kufoma, të vrarë prej radhëve të ushtrisë fashiste. Vetëm në përleshjet e Qafë-Shtamës lanë mbi 100 ushtarakë të vrarë. Përleshjet në Pujkë, Suç, Klos, Qafë-Buall, bashkë me humbjet në radhët e forcave, fashistëve iu krijuan humbje e vështirësi prej prishjes së urave, rrugëve hyrëse për në Mat, duke e çorientuar dhe prerë krahët për reprezaljet që synonte dhe kishte vënë si qëllim ndaj Krahinës së Matit. Forcat kryengritëse nisën të dominonin në prita e sulme, që i tmerruan pushtuesit.

Kryengritja e 31 Korrikut 1943 ia arriti qëllimit. Jo vetëm që i uli kokën fashizmit në Mat, por e shtriu për tokë, në kërkim të rrugëdaljes me të mbeturit, pa asnjë mundësi. Radhët e luftëtarëve për liri erdhën duke u shtuar dhe më e rëndësishmja, gjithë populli i Matit, jo vetëm e përbuzi pushtuesin, por qëndroi vigjilent për t’a goditur në çdo moment dhe kudo me urretjen masive. Përpara bashkërendimit dhe unitetit të matjanëve fashistët nuk mundën të krijonin më qeverisje të re në teritorin e Matit. Qeverisje e re do të arrihej vetëm më 15 gusht të vitit 1944, kur pushtuesit do të shporreshin përfudimisht nga krahina e Matit. Ajo ishte qeveria e vendit, qeveria demokratike e dalë nga flaka e luftës dhe era e barotit që s’ishte shuar. Më këtë datë, u krijua këshilli i rrethit Mat, që i përkiste regjimit të ri dhe që vinte nga forcat nacionalçlirimtare, përfaqësues të popullit trim e patriot, strehë për luftëtarët dhe bashkëpunëtorë në këtë luftë të shejtë. Lufta Nacionalçlirimtare ishte e përbashkët, e gjithë popullit, pa paragjykime, që vuri në një front të gjithë matjanët, pa dallim, të varfër e të pasur, fshatarë dhe intelektualë, shëpitë e para dhe familjet e thjeshta, të gjithë për një qëllim: çlirimin nga pushtuesi. Ajo nxori dëshmorët e parë, të rinjtë antifashistë. Rriti rolin dhe kotributin e vajzave matjane në luftë, nën shembullin e Sabije Selmanit, vajza e Isuf Selmanit, bashkëshorte e Hakik Fejzës; Feride Çela, vajza e Dyleman Çelës nga Patini, bashkëshorte e Beqir Minxhozit; Mane Skënderi nga Klos-Katundi, bashkëshorte e Mustë Palit në Burrel; Zene e Ylldize Bozhiqi, lindur në Klos; Hamdije Kurtaga nga Kurdaria etj. Organizimi dhe pjesëmarrja e matjanëve në Luftën Nacionalçlirimtare mbetet një shembull model, i padiskutueshëm, për të gjithë, dhe të gjitha kohërat.

   Qemal Cenaj,

publicist, studiues i historisë