Vepror Hasani: Ja pse rënkojnë kolonjarët sa herë dalin në qendër të qytetit të Ersekës

350
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Që nga viti 2014, Erseka qytet fantazmë, i shkretë dhe pa njerëz

Sheshi “luksoz” 881 mijë euro, çdo çast “prish” gjakun e banorëve

Gjithkush që del në qendër të qytetit të Ersekës, kryesisht të moshuarit, pasi mërmërisin një çast me vete (nuk e dimë çfarë thonë), por ajo që dëgjohet është rrënkimi i tyre, sepse nuk duan ta fshehin nga askush, madje pakënaqësinë ia shprehin hapur njeri-tjetrit pa asnjë droje. Për ta një shesh kaq i kushtueshëm, ku banorët janë të papunë, nuk i duhej qytetit, sepse ky shesh nuk bëri gjë tjetër veçse shtoi rrënkimet e banorëve. Sheshi i quajtur “Rilindja”, nuk kushtoi pak, por 881 mijë euro. Rikonstruksioni i sheshit “Rilindja”, u bë në dy faza: faza e parë  kushtoi 470 mijë euro, kurse faza e dytë 417 mijë euro; gjithçka u krye nga kompania fituese “AS shpk” dhe kompania e Ndërtimit “Eral”. Punimet e fazës së parë nisën në vitin 2014, kurse të fazës së dytë më 2016. Sheshi “luksoz” u shtrua me pllaka guri, ku u mbollën edhe pemë (kumbulla). Kur flasim për sheshin, mos kujtoni se po flasim vetëm për qendrën e qytetit, sepse si pjesë të sheshit janë konceptuar edhe rrugët hyrëse dhe dalëse të qendrës. Tashmë as rrugët nuk kanë më trotuare ,sepse janë pjesë të sheshit, nuk ka as hyrje dalje automjetesh, sepse sheshi është projektuar si një gjë vetëm për njerëzit, por në të vërtetë hapësira e krijuar i ngjason shkretëtirës së Saharas. Nëse del në qendër, syri të sheh vetëm zbrazëti dhe heshtje, tek-tuk ndonjë kalimtar të vetmuar. Qyteti ndihet tejet i braktisur, banorët e përjetojnë vetëm trishtim. Ja pse rënkimet e tyre janë të përditshme.

Rrënkojnë për largimin e gjysmës së popullsisë

Banorët e Kolonjës dhe  Leskovikut rrënkojnë për ikjen e vajzave dhe djemve në vende të tjera të huaja. Sipas burimeve zyrtare, Bashkia e Kolonjës u krijua nga bashkimi i ish-komunave Mollas, Çlirim, Novoselë, Barmash dhe ish-bashkia Leskovik, e cila tashmë ka një sipërfaqe gjithsej prej afërsisht 864.06 km2 dhe popullsi 22,261 banorë, por sipas Censusit të vitit 2011, bashkia numëron 11.070 banorë, që do të thotë se më shumë se gjysma e banorëve e kanë braktisur Kolonjën dhe Leskovikun. Ndaj dhe sheshi i madh i Ersekës duket gjithnjë e më i vetmuar.  Dhe, gjithnjë sipas burimeve zyrtare, “Kolonja vërtet është zonë e pasur me burime pyjore, ujore (në veçanti ujra termale), por shfrytëzimi i tyre për zhvillimin dhe mirëqenien ekonomike është sot në nivele të ulta dhe ende larg një shfrytëzimi të qëndrueshëm”. Ndaj para se qyteti i Ersekës të kishte një shesh “luksoz”, 881.000 euro-t duhej të ishin menduar për punësimin e të rinjve.

Rrënkojnë për mungesën e ujitjes dhe mekanizimit

Po, banorët e Kolonjës dhe të Leskovikut rrënkojnë edhe për mungesën e ujitjes dhe mekanizimit. Edhe kjo gjë, pohohet nga burimet zyrtare: “Burimi kryesor i të ardhurave të banorëve është bujqësia dhe pemëtaria. Kulturat më fitimprurëse janë drithërat (gruri, misri) e pemët frutore (molla). Shtimi i prodhimit bujqësor në çdo drejtim potencial kushtëzohet nga gjendja e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, e cila, aktualisht mundëson ujitjen e vetëm 40% të sipërfaqes së tokës gjithsej, shkallës së ulët të mekanizimit të punës për disa nga proceset e punës në bujqësi, dhe kapaciteteve magazinuese të pamjaftueshme të prodhimit të secilës prej kulturave më të kultivuara në zonë”. Pra, sheshi nuk mund të ishte kurrsesi prioritet i qeverisë. Nëse dikush mendon se qendra u mendua si një prezantim i mirë i qytetit për turistët  kjo nuk mund të merret kurrsesi në konsideratë, sepse edhe rruga e re Korçë – Leskovik la jashtë këtij komunikacioni jo vetëm qytetin e Ersekës, por edhe gjithë fshatrat e Kolonjës. Tani për secilin fshat duhet një udhë lidhëse me aksin kryesor të Jugut, Korçë-Leskovik – Sarandë, pra shpenzimet për investimet shtesë do të rriten ndjeshëm.

Rrënkojnë për mungesën e përpunimit të prodhimeve

Banorët e Kolonjës dhe Leskovikut, rrënkojnë edhe për mungesa të tjera. Sipas burimeve zyrtare:  “Prodhimi grumbullohet nga sipërmarrës privatë në frigoriferë dhe mbërrin në tregjet vendore dhe rajonale, por nuk përpunohet më tej në asnjë formë”. Gjithashtu të njëjtat burime pohojnë: “Turizmi përbën potencial për diversifikimin e burimit të të ardhurave të zonës, dhe mund të jetë nxitës i rëndësishëm për gjallërimin e jetës sociale të saj; si energjia që mund të krijohet me agro-bizneset është e vlefshme veçanërisht për punësimin e grave dhe rritjen e mirëqenies së tyre, por, megjithatë, sektori është ende i pazhvilluar…”. Dhe kur mendon se që nga dita e  vendosjes së demokracisë kanë kaluar 30 vjet, çdo rrënkim i banorëve është mëse e justifikueshëm nga gjithkush. Dhe mungesat nuk përfundojnë këtu: “Jo çdo fshat ka ambulancë dhe shpesh ata nuk lidhen me rrugë të asfaltuar me fshatin më të afërt që ka ambulancë. Fondi për mirëmbajtjen dhe administrimin e shkollave të zonave rurale është në shumë raste jo eficent për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Fenomeni i klasave kolektive është një pasojë e rëndë e migrimit të popullatës rurale dhe izolimit të fshatrave”. Kjo është e vërteta.

Rrënkojnë se po i vret papunësia

Banorët e Kolonjës dhe Leskovikut rrënkojnë edhe për papunësinë që ka mbërthyer të rinjtë. Burimet zyrtare pohojnë: “Indeksi i papunësisë për të rinjtë (mosha 15-24 vjec) dhe për femra paraqiten gjithashtu afër mesatares së vendit. Respektivisht, norma e papunësisë për të rinjtë është 53% (mesatarja kombëtare: 52.9%), ndërsa norma e papunësisë për femrat është 32.5% (mesatarja kombëtare 31.4%). Gjithsesi, këta tregues flasin për domosdoshmërinë e marrjes së masave urgjente, nëpërmjet projekteve, që synojnë rritjen e numrit të të punësuarve, pa lënë jashtë vëmendjes edhe fuqizimin e orientimin nga tregu i punës të arsimit profesional të mesëm”. Por, në vend që të mendohej për punësimin dhe mirëqenien e njerëzve, në plan të parë doli ndërtimi i një sheshi prej 881 mijë euro, kur Erseka ende nuk ka ujë të pijshëm. Ndaj tashmë mund të themi: Cili prej banorëve të qytetit të Ersekës do të dilte në sheshin super të eksagjeruar pa rrënkuar njëherë apo më shumë me marrëzitë “luksoze”, kur shumë njerëz me vështirësi sigurojnë bukën e përditshme të fëmijve.