MILTIADH DAVIDHI
Erë trëndelinë
(Nënës në pesë vjetorin e ndarjes nga jeta).
Nëna ime! Kur ti filloje e flisje
Zëri yt pikonte nga hojet qiellore
Në shpirtin tim,
Si pikëz mjalti në gojën
E një fëmije të uritur,
E ndjehesha degëza e një peme
Me shumë vlerë,
E lëvizja i lumtur duke fishkëllyer,
Si gjethëz nëpër erë.
*
Kur ecje, ecje ngadalë,
Si fëshfërimë mëngjesi
Duke trokitur lehtë me këmbë
Në tokën e lagur
Me shira dhimbjesh,
Sikur kërkoje një vend pa lot,
Ku të varrosje shpirtin.
*
Eh, nëna ime e mirë, tashmë je kthyer
Në një hënëz të bukur,
Se, hëna s’ka qenë hënë, por grua,
Ndaj, sa herë, që del hëna,
Më duket, se ke dale ti,
Nga meraku, e malli për mua.
*
Mëngjeseve, nëpër vazo mbillje lule,
E ato mbinin ndër varre.
Shpirti yt lotonte e qante për to,
E ndoshta, sërish aty, lule mbjell.
Vdekjen dot se shmangim,
Ndaj duhet të kemi një shpirt të bukur
Si në tokë dhe në qiell.
*
Erë trëndelinë: Rrugët,
Shtëpia, kopshti ku rrije.
U përkujdese së gjalli
Trëndelinat t’i fusnin
Edhe në arkivol, edhe te varri.
Eh, nëna ime, degëz e vogël,
Gjethe e tretur,
Trëndelinë erëmove,
Si në jetë edhe e vdekur.
*
Çudi! Qyteteve, njerëzve, e varreve,
Që dua më shumë, u largohem,
Kështu largohem nënë
Dhe nga ti, e varri i yt,
Duke ecur jetës shteg më shteg,
E të ngroh si dielli me rreze nga larg,
Si të kem frikë, se të djeg.