OPTIKË KRITIKE
– Erdhi në letërsi, pa trokitur, si shkrimtar modern
– “Në një humbëtirë këtej rrotull” bashkëjetojnë e bukura me të shëmtuarën, e ulta me të lartën, realistja me modernen
- Rikard Ljarja është i mirënjohur , si aktor i artit dramatik dhe kinematografisë, por i panjohur si artist i artit pamor, pak i njohur si muzikant, i shquar si regjisor dhe skenarist filmi. Në fund të vitit 2001, boton romanin e parë “Në një humbëtirë këtej rrotull”. Për shokët e afërt të Institutit të Lartë “Aleksandër Moisiu” që shkruanin poezi, tregime dhe artikuj kritikë, nuk ishte e papritur që Ljarja është edhe prozator. Lexuesit që e njihnin vetëm si artist teatri e filmi mund të befasohen. Ndërsa shkrimtarët që e konsiderojnë veten: “ i madh”, “i klasit të parë” etj, rrudhin buzët të cilat shprehin mosbesim, por në të njëjtën kohë edhe kërshëri, për ta lexuar romanin me titull fantastik e provokativ. Sipas meje shkrimtari Rikard Ljarja me këtë vepër hyri në letërsi pa trokitur me një prozë moderne e postmoderne të nivelit te lartë dhe me personazhe artistike unike.
- Romani është krijuar me një fantazi të jashtëzakonshme, të arsyeshme. Që t’i flas të sotmes Francisko Goja thoshte: “Fantazia e paarsyeshme pjell përbindësha, e arsyeshmja është mëma e dijes dhe mrekullia e artit”. Falë talentit dhe mençurisë, Ljarja ka krijuar një realitet fiction: – një fshat i humbur, diku, në Ballkanin fuçi baruti. Qëllimi: të përcjellë ide dhe kumte me gjuhën e artit, ku esenciale të jetë filozofia e ndryshimit dhe progresit mishëruar artistikisht..
- Mënyra si e ka shestuar e formësuar romanin në subkoshiencën e tij, pa skicuar e hedhur më parë në letër apo kompjuter përmbajtjen dhe bëmat e personazheve, – është krejt origjinale . “Të gjithë lëndën e romanit – thotë autori – e kam ngulitur në kokë, pas një pune të gjatë hulumtimesh, studimesh e vëzhgimesh te realiteteve historike e aktuale”. Reflektimet nga realiteti i regjistron në memorie, i përpunon dhe kur arrin që gjithë përmbajtjen: subjektin, ngjarjet, situatat, veprimet e personazheve, dramat e konfliktet e tyre, i ka ngulitur në memorie dhe ia tregon vetes si një histori që e ka përjetuar, – atëherë fillon të hedh gjithçka në kompjuter, me një frymë, duke punuar ditën, natën, e duke fjetur pak, fare pak, siç më tregonte ne biseda, pasi kishte përfunduar së shkruari romanin e nguronte ta botonte. Unë isha lexuesi i parë i këtij libri dhe ngula këmbë ta botonte. Ishim shokë të kahershëm dhe të përhershëm, e dëgjonim dhe mirëkuptonim njeri-tjetrin
4.Në romanin “Në një humbëtirë këtej rrotull” bashkë jetojnë e bukura me të shëmtuarën, e ulta me të lartën, realistja me modernen surealistja me absurden, e zakonshmja me të jashtëzakonshmen, dhuna dhe egërsia me njerë zoren. Këto e të tjera mjete figurative,që aplikohen në këtë libër, më bëjnë ta shoh atë si një vepër moderne e postmoderne: në formë dhe përmbajtje..
*** Nuk përcaktohet as koha, as hapësira Personazhet luftojnë për mbijetesë. Autori përshkruan me realizëm veprimet e tyre, përpjekjet, shqetësimet, ankthin, frikën, tmerrin, kaosin, tragjiken dhe dramatiken, por edhe gëzimet dhe hidhërimet e jetës, ndonëse këto të fundit janë minimale. Me realizëm dhe vërtetësi artistike përshkruan mungesën e rregullit dhe të ligjit në këtë realitet të ashpër ballkanik, të frikshëm e rrumpallë, ku njerëzit janë të pasigutë, shpellarë, në disa raste: vrasin njeri-tjetrin me thika; me mjete të tjera vrasin edhe njerëz të pafajshëm.
- Përqasja e shumë dukurive me realitetin tonë në këto dy dekadat e fundit, është kahu i duhur që jo vetëm i jep informacione lexuesit, por edhe kënaqësi artistike dhe estetike, e në të njëjtën kohë, mundësinë të meditojë mbi përmbajtjen e tekstit që lexon. Urtaku do të thoshte “Një libër që e ve lexuesin në mendime pasi përfundon faqen e fundit, është libër i suksesshëm, me vlera të larta.
*6. Shkrimtari Rikard Ljarja, është njeri i heshtur, i matur. I qetë në dukje, përbrenda zien, akumulon, bluan në kokën e tij. Kjo mënyrë e veprimeve psikofizike të tij është e lindur te Rikardi -njeri. E zhvilluar te Rikardi -shkrimtar. Madje ajo ka përcaktuar edhe stilin e të shkruarit i cili është lakonik, dramatik, herë i qetë, herë i vrullshëm, herë i ngathët, herë dinamik dhe shpërthyes, kur arrin pikën e vlimit.
- Formësimi i tekstit është rikardian: me një fjalë, togfjalësh, fjali e shkurtër; herë prozë poetike, herë narrative, herë dialog dramatik, herë poezi moderne. Edhe struktura e veprës është rikardiane: Pas çdo situate të qetë, kemi situatë dramatike, apo tragjike. Që në fillim të librit, pas një atmosfere pune, qetësie e gëzimi, papritur shpërthen furtuna dhe stuhia natyrore. Ky shestim artistik strukturor ka elemete te dramës, por edhe te filmit që ngjizen me elementet e prozëz, gjatë gjithë romanit si veçori stilistike e autorit që padyshim janë vlera specifike artistike dhe estetike.
*** Edhe mënyra si i portretizon personazhet pa emra është e jashtëzakonshme. Ato emërtohen: a). Sipas profesionit : Poçebërsi, Farkëtari, b). Sipas shenjave dalluese dhe karakterit: Kuqoja, Paterica, Kakapëri. c). Sipas gjinisë: Vajza, Djali etj. Ndërsa veçoritë psikofizike, jepen kryesisht nëpërmjet bëmave të tyre. Autori është në plan të dytë.
*** Përshkrimi dhe rrëfimi zenë vend të pakët në roman. Ato përdoren vetëm në raste të domosdoshme. Ndërsa dramatizimi e përshkon tejembanë, si element parësor, ashtu edhe tragjizmi në situata tragjike; lirizmi është i kursyer.
- Në ngjarjet, situatat, episodet, konfliktet dhe veprimet e personazheve, elementet dramatike dhe tragjike dallohen menjëherë në shtresën e sipërme të tekstit, ndërsa elementet tropologjikë, gjenden në nënshtresat e tij, nën “mutaf” do të thoshin dibranët. Lexuesi i vëmendshëm i zbulon, shijon dhe mediton mbi to. Kështu p.sh. figura e Kuqos, (i huaj dhe emigrant në fshatin humbëtirë), mund të kuptohet duke depërtuar tropologjikisht te bëmat e tij, te dukurit e jashtëzakonshme, që shfaqen në to, ku lufta për ekzistencë, për ta jetuar jetën sipas mënyrës së vet, si në rrafshin social, por sidomos në marrëdhëniet seksuale ku ai shfaq vetveten si personazh i egër, enigmatik, misterioz, surrealist dhe absurd.
- Në linjën e Kuqos shfaqen edhe elemente frojdiste në raportet mashkull-femër që jepen si uri seksuale, si dukuri gjenetike, kryekënaqësi, por edhe dhunë fizike e përdhunime të egra që sjellin tragjizëm, siç është rasti i të fejuarës së Bariut, e cila arrin t’i japë fund jetës pas përdhunimit kafshëror nga Kuqoja. Ndërsa në raste të tjera, ndonëse ai rrëmben gruan e Patericës dhe e shtrin në bajgat e lopës në haur, poshtë gjinjve të saj dhe e përdhunon egër, ajo e pangopur me burrin e saj, ndjen kënaqësinë seksuale me Kuqon, dhe, shpërthen në orgazëm, që se kishte provuar kurrë. Një situatë tjetër ndodh me gruan me vithe të mëdha, të Kakapë rit, i cili është një skilipec mburravec, që s’ishte i aftë për asgjë, as për t’i plotësuar nevojat seksuale të shoqes, e cila fshehtas shkon te Kuqoja në Guvë (shpellë) ku ai banonte si njeri i egër.
“Gruaja vithemadhe – thotë autori- që kur e kishte parë për herë të parë, Kuqon shquajti epshorin, atë njeri me trup të madh, me këmbë e duar të mëdha, hapa të mëdha; krahë e shalë të gjata, duke përfytyruar edhe gjëra të tjera të mëdha.
- Bëmat e Kuqos përshkruhen me elemente të realizmit magjik, të fantastikes, mitikes, bestytnive, të absurdit etj.. kur ai natën në fshehtësi në fshat vepron si hajdut: rrëmben pula, vezë, fruta, prish vazo me lule në oborre, troket mbi çatitë e shtëpive të banorëve, herë te njëri herë te të tjerë. Fshatarët të shqetësuar dhe frikësuar pyesin një ri-tjetrin dhe pasi konfirmojnë se te secili ka dëgjuar trokitjet mbi shtëpinë e tij, tronditen, pëshpëritin me vete se diçka e keqe po iu ndodh. Hapen fjalë se lugati ka dalë nga varri… Nuk dinë ç’të bëjnë… Fobia , pasiguria ankthi e makthi pushton tërë fshatin e zhytur në errësirë.
“Lugati” në këtë roman personifikon të keqen e jashtëzakonshme, ndonëse jemi në rrafshin e absurdit. Përshkrimi i autorit është mjeshtëror dramatik e tragjik.
- Një vend të rëndësishëm në roman zenë edhe elemente realiste. Këtu është momenti të theksoj se shkrimtari Rikard Ljarja, është vëzhgues i mprehtë, i thellë dhe i hollë i realitetit, si në paraqitjen e mjediseve, ku jetojnë e veprojnë njerëzit, ashtu edhe në përshkrimin e fenomeneve të natyrës në funksion të veprimeve të personazheve. Kjo është vlerë tjetër e artit të shkrimtarit në paraqitje me vërtetësi të jetës dhe të personazheve tipave e karaktereve. Nënvizoj se elementi realist, ndonëse nuk është parësor, ngjizet me elementet moderne të realizmit magjik, surealzmit, absurdit dhe me elemente të tjera postmoderne.
- Sipas meje si në letërsi, ashtu edhe në të gjitha fushat e dijes përsosmëria nuk ka limit. Parë nga ky këndvështrim edhe romani “Në një humbëtirë këtej rrotull” nuk përjashtohet. Mendoj se autori mund ta kishte pasuruar romanin me nje linjë satirike për fshikullimin e dukurive negative; mund t’i kishte kushtuar vëmendje mënjanimit te një linje hermetike ndonëse nuk është e theksuar dhe e treta, mund të jepej më e kthjellët përqasja e dy realiteve dje dhe sot. Do të dëshiroja që në rrafshin e drejtshkrimit, të zbatoheshin rregullat e aplikimit të shenjave të pikësimit, shkronjës “ë:” etj.
*** Nënvizoj për lexuesit se përshtypjet e mia nuk ia zbehin vlerat e larta romanit i cili ka një pasuri të larmishme të mjeteve figurative: metaforike, simbolike, realiste e surrealistë, moderne e postmoderne dhe elementeve ironike, mitike dhe groteske. Dyrrenmat do të thoshte: “Grotesku është forma mbizotëruese e letërsisë moderne dhe artit modern, që përbën fytyrën e botës personale dhe të shëmtuar.”
- Kur përfundon së lexuari faqen e fundit të romanit, – si në një ekran televiziv të dalin para syve të memorjes, dukuri të trishta të realitetit të sotëm, ngjarje dramatike e tragjike, vrasje, hajdutëri, krime, perversitete, imoralitete, një atmosferë frike, tmerri, pasigurie, – tunel i gjatë, i errët pa dritë, pa shpresë…. Lufta për mbijetesë ishte dhe është në duart e horrave dhe gangsterë ve. Prej kësaj përqasje artistike dhe jetësore të kohëve të ndryshme formuloj mesazhin: Filozofia e ndryshimit dhe progresit është domosdoshmëri historike dhe emergjente për realitetin e sotëm pa liri, pa demokraci, pa drejtësi. Romani “Në një humbëtirë këtej rrotull”, i jep mundësi lexuesit që pasi përfundon leximin, të formulojë vetë mesazhe sipas perceptimit, përjetimit dhe nivelit te leximit e në të njejtën kohë merr kënaqësi artistike, estetike dhe mesazhore.
KONKLUZË:
Romaini “Në një humbëtirë këtej rrotull” i shkrimtarit Rikard Ljarja, është një vepër moderne dhe postmoderne, me elemente të realizmit magjik, të absurdit, reales e sureales, një vepër shumëdimensionale dhe polisemantike, me ide të fuqishme dhe mesazhe tronditëse për të sotmen që burojnë nga shtresat e nënshtresat e romanit, madje edhe në mënyrë tropologjike- vlera këto që promovojnë shkrimtarin Ljara si romancier dramatik, tragjik dhe tropologjik, me personazhe artistike unike që i jep autorit pasaportën e identitetit RIKARD LJARJA SHKRIMTAR i përveçëm.
























