Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: E diela e një fushe të përbaltur

108
Sigal

Qyteti nuk kishte stadium; vetëm një fushë, që në mot të keq mbytej në baltë. Por futbollistët gramshiotë nuk e merrnin në sy këtë situatë. Loja ishte ajo çka prisnin qindra njerëz. Dhe ata nuk u kursyen asnjë të diel. Përveç detyrimeve si punëtorë, specialistë, mësues a nxënës, e gjithë koha tjetër e tyre shkonte në stërvitje. Një ndër ta – Vladimir Dermyshi; shtatshkurtër, por shumë i fortë, i zgjuar, luftarak, mbi të gjitha një talent i madh në atë sport. Me Ladin u afruan në futboll edhe vëllezërit e tij: Ylli, që është edhe poet dhe Takja (me kontribute si futbollist dhe si trajnier). Duhej të ishe atje që të kuptoje mrekullinë e atij sporti; veças në ato rrethana. Jetike kontributet dhe sakrificat e tyre dhe të trajnierëve; (që për fat të keq, i kam parasysh si figurë, por nuk ua ndërmend dot emrat). Fundjava, jashtë rrethit apo në qytet, ishte njëlloj beteje; ata coptoheshin për një fitore a barazim, në atë baltë e në ato kushte, që vetëm Zoti mund të kujdesej për ta… Drejtuesit e Sportit – Ilia Ngjela, më pas Fatos Kishta, si dhe ai që ishte aq i përkushtuar për Arsimin e Kulturën, Hysen Godole – bënin përpjekje të mëdha. Por nuk e ndryshonin dot ‘kohën’. (Një fjalë me dy kuptime: pra, vështirësitë e sistemit dhe… motin.) Por ç’ishte e diela pa ata! Ato dy orë – javë pas jave, vit pas viti – ato dy orë plot emocione, ua kemi vërtet borxh atyre. Nefail Shyqyriu, Agim Duka, Ismail Mili Bajrami, Jakupi, Verushi, Hajdari, portierët Laze Hoxha, Luli e Arjani, kolegët e mi Pandi Prifti, Dervish Zaimi, Alfred Mullaj, Sotiraq Ziu, Velua nga Vlora, nxënësit e mi si Arjan Hasa. Një rol të madh në atë sport luanin Çoniksit, siç u thoshim ne, një pjesë e tyre futbollistë shumë të mirë: Bardhi Çoniku, vëllai i tij Lani, por edhe Lavdimi; për shkak të ‘biografisë’ shikoheshin me një sy… ç’të themi tani, se ishte turp, por ata gjithnjë punëtorë të mirë e qytetarë të mirë. (Kur punoja në fshat, njoha mësuesin model Kujtim Çoniku, që gjithashtu luante futboll aq bukur e pastër, një djalë fisnik; unë habitesha pse nuk e merrnin me ekipin e rrethit.). Çfarë i bënte ata të luanin me aq shpirt, të sakrifikonin aq shumë? Pasioni? Detyrimet? Orari i kufizuar i punës? Më kujtohet një film për Cirkun, në të cilin autorët pozonin emra të mëdhenj të tij dhe, herë pas here, pyesnin pse ata artistë rrezikonin aq shumë… Për para, për emër, për pasion? Përgjigjia – edhe në këtë rrëfimin tonë modest – shkon kah pasioni dhe shpirti qytetar. Ashtu ata çuan më tej eksperiencat dhe kontributet e futbollistëve të mëparshëm, gjithaq të njohur: Myslym Koçi, që vonë është vlerësuar me ç’di, si dhe Kujtim Llalla, që kishte luajtur më parë me Dinamon, mjek, një nga miqtë tanë më të mirë.

I kthehem sërish, sepse nuk ka fjalë që ta ‘vizatojnë’ tablonë me të gjitha ngjyrat. Të moshuar, burra, gra, vajza, ushtarë, fëmijë… e diela i mblidhte të gjithë tek ajo fushë modeste, me baltë. Mund të kishte varfëri e mungesa në dyqane, mund të kishte edhe probleme të tjera, përfshi përndjekjen… Por ato dy orë ishin të gjithë ‘të shpëtuar’. Ato dy orë ua hiqnin njerëzve mendjen nga çdo hall a preokupim tjetër. Ata, sikundër TV, por edhe artistët dhe amatorët e Shtëpisë së Kulturës, na ndihmuan ta bënim më të pranueshme atë jetë. Shumë nderim për gjithë sa përmenda; edhe për të tjerë që (kërkoj ndjesë) s’më kujtohen për momentin. Ne mund të harrojmë, administratat ca më keq; por koha nuk harron.