Suplementi Pena Shqiptare/ Martin Cukalla: Pëllumbesha ime

171
Sigal

Isha ngatërruar pëllumbesha ime:
kisha gabuar…
ndoqa yjet nëpër pyll,
ndoqa hënën nëpër gjethet e lisave…

Në mëngjes duhet të isha tek ty

pëllumbesha ime!
Në mëngjes duhet të isha tek ty…
Isha ngatërruar pëllumbesha ime,
kisha gabuar

Shpresova se deti ishte qielli i kësaj nate
dhe hyra në det nga nxehtësia e botës
duke kërkuar mëngjesin.
Yjet e vesës ishin sytë e tu.
Nxehtësia e botës ishte afshi yt.
Fustani i gjelbër deti ishte bluza jote.
Zemra ku qe,
ku qe zemra?
Kërkoja shtëpinë e saj nëpër natë…

Ajo flinte në breg,
unë kërkoja në det

PYETJE QË VUAN

Era fryn! Dita lind! Agimi mbi gur
po lan trupin në një lojë me ujrat.
Në gjak fle zjarri: kujtimet e mbrëmjes që u shua

në një gotë verë.
Heshtin… gjithçka hesht!
Çmpin kockat fjalë e pa thënë.
Sikur rrezja e diellit që vjen përtueshëm
trup i djegur i saj…

Papritmas shpërthen në shkëmb e në mish
shija e helmet.
Një pyetje zhytet në buzët e tymit,
si një perëndim nëpër gjuhë,
që fiket në mbrëmjen tjetër.
Një ashtë kapërcen lëkurën
për në zemër…
etja etja etja…

Për çfarë po flet dita sot
për çfarë?!