Suplementi Pena Shqiptare/ Maksim Çollaku: Ti nuk ishe si helena

Ti, nuk ishe si Helena që Paridin marrosi.

Gjë tjetër ishe, që për ty ëndërroja.

Sigal

Por dhe mua durimi nga pritja më sosi

sepse ishe e lakmuar si Troja!

Por s’hodha në luftë kalorës, as ushtarë.

( një zemër me ushtri dot nuk merrej.)

S’dhurova dredhisë të drunjtin kalë,

si Odisea, kur dita të errej.

U futa në ëndrrat e tua pa ftuar.

I papërmbajtur, maramëndjes dëshirë.

nën tinguj sonetash dashurisë kërkuar.

Mes drithërimës , shpirtin përfshirë.

Rob ramë ndjesisë ,mëkuar n’ëmbëlsi.

Mes vorbullës shpërthyese e të marrë,

nën qiejtë e mbrëmjes, blu, kristalin.

Shpenguar delirit të paparë.

Ti, nuk ishe si Helena, mëkatare në shpirt.

Gjë tjetër ishe që më bëre për vete.

Thjeshtësisë mbizotëruese, gjer në madhështi.

Në gjithçka, aq të brishtë e të ndjeshme !!

 

VJESHTË.

Kitarat vajtonin mbrëmjeve,

për dashurinë e munguar.

Ju ndjeja dhimbje këngëve,

tingujve, si në të shuar.

I njënti refren përsëritet çdo mot.

Sërish qyteti mbetur pa jetë.

Braktisjen askush se ndalonte!

Në dhimbje rrënkonin pleqtë.

U rrudh atdheu, u thinjën nënat,

nga pritja, mallit për bijtë.

S’ju thotë dot buza, as zemra,

se vallë ata s’do vinë !

Rëndon pritja, si kjo vjeshtë gri.

Rrënkon dritarja nga pikat e shiut.

Rrënkon zemra ime në shqetësim.

Rrënkon në heshtje shpirt’ i njeriut.

Kitarat, vajtonin mbrëmjeve,

për njerëzit e munguar.

Pjesë ju bëra këngëve,

Mallit, për kohën e shkuar.