Suplementi Pena Shqiptare/ Luljeta Dano: Votimet e para pluraliste

16
Sigal

Xha Bani një herë në javë shkon t’i vizitojë të tre: motrën në azilin e pleqve, djalin e madh që banon në lagjen industriale në periferi dhe vajzën në një fshat aty, po në rrethinë e që kot quhet fshat, sepse është shumë pranë qendrës së qytetit dhe Pazarit të Vjetër. Dyqanet e lagjes ku psonis gjithçka i duhet për familjen e djalit të vogël me të cilin jeton, i ka ngjitur me shtëpinë.

Pavarësisht moshës së shtyrë ka mbetur një gjigand i shëndetshëm, që ecën me të njëjtën hap të panxituar duke rënduar mbi bastun.

Kur xha Bani rrëfente historitë e qëmoçme, zëri i tij më nanuriste dhe nga ai efekt i pashlyer kuptova se të kesh një histori për të rrëfyer nuk është asgjë, sado tërheqëse të jetë ajo, nëse nuk ke zërin e duhur që dridh ajrin përqark e pushton qenien duke shumëfishuar në imagjinatë çdo fjalëz të dëgjuar.

Nuk bënte gjeste me duar, vetëm fjala e tij e zbulonte historinë.

Nëpër fijet e barit e gjer lart në majat e pemëve ku mbesnin gjatë dimrit frutat e paarritshme fëshfërinin shpirtërat e lashtë, që tanimë pushonin kushedi ku, por jo shumë larg nesh, e që një ditë do të ktheheshin për të tjera ndodhira ende të pangjara.

Pas votimeve të para pluraliste dhe fillimin nga puna të qeverisë së re, xha Bani, njësoj, pa e ndryshuar ritmin e tij bën pazaret e ditës ngjitur me shtëpinë dhe viziton njëherë në javë të tre familjarët e tij: motrën në azilin e pleqve, djalin e madh që banon në lagjen e naftëtarëve dhe vajzën në një fshat katër minuta larg në këmbë nga qendra e qytetit.

Bastunin e mban nën sqetull.

–   Ta kem ndonjëherë, kur më vishen sytë nga tensioni, – thotë.

–   Xha Bani, po rinohesh, – bëjnë shaka djemtë e mëhallës.

–   Jo, mor djema, por është qeveri e re dhe nuk dua të le gjurmën time nga shkoj e vete.