Suplementi Pena Shqiptare/ Vasil Tabaku: Naim Frashëri, simboli i marrëdhënieve kulturore Shqiptaro- Perse

549
Poeti i njohur i Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri veç vlerave të njohura, me veprën e tij të parë poetike “Ëndërrimet”, në origjinal “Tejhyjylat”, e shkruar në persisht, vlerësohet nga ekspertët e kulturës shqiptare edhe si simbol i marrëdhënieve kulturore Shqiptaro-Perse.

Kjo figurë kombëtare si dhe marrëdhëniet mes dy shteteve, u diskutuan të mërkurën në sesionin shkencor me temë “Trashëgimia kulturore Perse në Ballkan”, si një bashkëpunim mes UNESCO-s, Arkivit Qendror të Shtetit me fondacionin “Saadi Shirazi”.

Sipas Prof. Nasho Jorgaqit, “Naimi ka zgjedhur të shkruajë në persisht, që aso kohe konsiderohej si gjuha e letërsisë, e bukur, harmonike, tingëlluese dhe forma të tilla synonte të përdorte një poet si Naim Frashëri për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e veta”.

Pikë-takimet e tjera mes dy kulturave shqiptare dhe perse, sipas Prof. Emin Lafes, janë faktet se të dy gjuhët i përkasin familjes indoeuropiane, si dhe feja myslimane. “Ne jemi pjesë e një familjeje gjuhësore, pavarësisht largësisë gjeografike. Gjatë shekujve të kaluar në Shqipëri kanë ardhur shumë fjalë perse, afërsisht 600, përmes turqishtes, pasi të dy vendet ishin pjesë e perandorisë osmane. Pikë e ngjashme e dy kulturave është dhe feja myslimane, pasi siç dihet një pjesë e shqiptarëve e kthyen fenë e tyre në mysliman, ashtu si dhe persët”. 

Kultura perse është bërë e pranishme në ambientet shqiptare falë përkthyesve të shumtë shqiptarë si Fan Noli, Vexhi Buharja etj.

Elida Petoshati, sekretare e Përgjithshme e UNESCO-s në Tiranë, vuri theksin në njohjen dhe respektimin e diversitetit kulturor. “Të njohësh diversitetin kulturor, do të thotë të njohësh gjuhët, pasi nuk mund të ketë diversitet kulturor pa legjitimitet të tyre. Njohja e rëndësisë së gjuhëve dhe krijimi i kushteve për vazhdimësinë e tyre përbën një objektiv politik po aq të rëndësishëm, sa dhe respekti për mjedisin, arsimin, shëndetin, etj”, tha ajo. 

Lidhur me përhapjen e kulturës Perse në Shqipëri, Petoshati u shpreh se “gjurmët e kësaj trashëgimie në botën shqiptare e ballkanike, dëshmojnë pikë-takimet e shumta që kanë lindur nga aspiratat për të komunikuar e shkëmbyer këto dy kultura, ku përmes tyre lind dialogu i sinqertë, ndërkulturaliteti dhe miqësia mes popujve”.

Ambasadori i Iranit në Shqipëri, Ekbali Zaveç përshëndeti të pranishmit me disa vargje të poetit Saadi, duke theksuar faktin se “kultura jonë është bërë e njohur nga ju, falë emrave të mëdhenj të letërsisë dhe kulturës Shqipe si Naim Frashëri, Fan Noli, etj”.

Sipas drejtoreshës së Arkivues së Shtetit Shqiptar, Nevila Nika, “për studiuesit do të kishte qenë më e lehtë për të evidentuar fillimet e këtyre marrëdhënieve, nëse se ne si shtet, do të kishim mundur të shpëtonim materialet e djegura dhe të dëmtuara 40 vjet më parë”.

Konferenca u mbajt në ditën e festës kombëtare të Iranit dhe shpalljes të vitit 2008, si “viti ndërkombëtar i gjuhëve”, nga UNESCO, ku studiues shqiptarë dhe iranianë hodhën dritë mbi marrëdhëniet e hershme mes dy kulturave. Në të u prezantua një ekspozitë me materiale, dorëshkrime në gjuhën perse, punime artizanale, etj.
GJUHA JONE
Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm’ udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria
N’atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s’kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q’i shkruan istoria!

Ajo ish koh’ e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s’është koh’e parë,
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm’ gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç’është e ç’ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

Pa shihni ç’gjuh’ e mirë!
Sa shije ka e hije,
Ç’e bukur’edh’e lirë,
Si gjuhë perëndie.

Shum’e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s’e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t’i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S’mbulohetë me remë.
Sigal