Suplementi Pena Shqiptare/ Lulëzime Malaj: Ata të dy…

68
Sigal

Ata të dy, ishin të dashur dhe aktorë

të drithëronin zërat e tyre, simfoni!

Auditori në heshtje lotonte prajshëm,

trandej skena, nga Hamlet dhe Ofeli!…

 

Mes duartrokitjesh ra Marrshi Funebër!

Sipari u ul ngadalë, në heshtjen prore,

trokitën takat, shkallëve të mermerta,

dhe ikën larg, skenave botërore!

 

Ajo, kthehet aty, pas shumë vitesh,

gjurmëve, në atë skenë dramatike.

Gjithçka ka vdekur, si në një libret,

kur luanin shfaqje – fantazmagorike…

 

Xhamava të teatrit, prajshëm bie shi,

akustika përcjell në ind, shijen mall,

hije mbas xhamit, fërfërim hapash,

dhe gurgullim’ e zërit të tij, kristal!…

 

 

Portreti i një dite

 

Nderet qetësia prej kakofoni lehjesh,

kjo uverturë, është mjaft tarapeutike,

ku luajnë qentë në skena ballkonesh,

me turbulenca zemërimesh sporadike!

 

Një kat më poshtë, dy gjitone pinë kafe,

bëjnë thashetheme e tregojnë me dorë,

nga dritarja e Profesore Magdalenës.

-Pse, se di ti?- ajo e përdala ka dashnor!

 

Nënë Sania punon shtiza e varfëra,

triko e çorape për djemtë në kurbet,

vështron celularin që s’bie asnjëherë,

e flet me vete, se s’ka me kë flet!

 

Po ndiej se po dridhet krejt pallati,

për një çast mendova mos ish tërmet!

Ah… jo, jo, është komshia me trapono,

që po shpon murin në katin e tetë.

 

Në rrugë duket xha Zequa i dehur,

si marinar anije vjen duke tundur,

me dorën lart ngre një shishe birre

sytë nga qielli, ndofta, duke u lutur.

 

Rrotullohem e ngrihem nga shtrati,

si të më zërë gjumi në këtë zallahi?!

Në mes të natës po digjet një dasëm,

qetësia, këngës ia ka marrë tani!

 

Po digjet shami e beqarit në valle,

në kremastar kalendarit i digjet një flet’.

Mes kakofoni lehjesh, e këngësh dasme

po ia pikturoj ditës, një portret!