Jo rrallë entusiazmohemi nga filmat që shohim. Eshtë jeta në lëvizje ku aktorët, njerëzit e të gjitha kohrave, na flasin për dramat dhe ngazëllimet e tyre, për tragjeditë. Jeta humane në ekran në të gjitha dimensionet: peizazhe, portrete, fytyra në plan të parë ku ndryshe nga teatri, ekrani, kamera na bën të shohim dhe shndritjen e një pike loti. Shto këtu drithërimën e trupit, aktrimin, plastikën e lëvizjes, koreografinë e turmës njerëzore.
Mbrëmë pashë një film që më entusiazmoi. Një film i nisur nga një tablo. Vite më parë më kishte ndodhur që të frymëzohesha nga një tablo siç ishte “Origjina e botës”, (l’Origine du Monde” e Courbet që të shkruaja një roman (“Camera obscura – Origjina e botës”). Por filmi i regjisorit polak Lech Majeëski, nisur nga tabloja e Pieter Brueghel (l’Ancien – I Vjetri) me titullin “Mbajtja e Kryqit” (1564) ishte një mrekulli e veçantë, një mësim kinematografie, ku mjeshtri i imazhit ka ditur t’i afrojë shumë kinemanë me pikturën, madje gati t’i bëjë të padallueshme, pasi në momente kyçe ai e stopon kameran dhe përpara kemi një tablo, por kësaj radhe me aktorë që interpretojnë në film. Një Brueghel (1525-1565) i jashtëzakonshëm, aq i afërt me temën fshatare, ritualet, danset, lypësit, lojrat adoleshente dhe fytyrat që janë vetë gjurma më e dukshme e kohës, i të gjitha epokave. Ky film, me titullin “Mulliri dhe Kryqi”, frymëzuar nga Bibla dhe kryqëzimi i Jezusë, ka bashkuar tradicionin flamand me temën biblike, ku rreth mullirit dhe kishës ndërtohej dikur jeta. Herë-herë harron se je në film dhe vetja të duket sikur je në një galeri gjigande dhe ti shëtit duke parë nga një tablo e Brueghel në tjetrën, të këtij piktori të famshëm të Rilindjes flamande që bashkë me Jerome Bosch mbeten dy nga mjeshtrit më të mëdhenj të të gjitha kohrave të botës flamande.
Ky film referencë është një mësim i duhur për regjisorët e rinj nëse një ditë do të ndërmerrnin të realizonin një film nisur nga një tablo apo jeta e piktorëve si Onufri, Shpataraku, Zografët, të një piktori anonim të shekujve XV- XVII, etj, por kjo dhe për formën e përkryer në tërësi që duhet të ketë ekrani filmik me dekorin që na tregon imazhet e jetës reale dhe fytyrën njerëzore. A është e mundur që kuadri të jetë një tablo, një pikturë më vete? Një talent i ri duhet ta tentojë ndoshta këtë…