Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: “Një kohë pa kohë”

289
Sigal

 

Mbi romanin “Një kohë pa kohë”

(Tre romane në një)

Eleonora

Nata e gjatë e Alberto Savianit

Burri që donte të vdiste

Në vend të hyrjes

Në njëfarë mënyre koha sot është e përcaktuar. Eshtë një kohë e botës, e lëvizjes së yjeve, e sistemeve qiellore, një kohë e zhvillimit, e jetës, e ripërtëritjes. Lëvizje në kohë, ngjarje në kohë, e megjithatë në botën e shpirtërave duket se kjo kohë me një drejtim të caktuar jeton në një gjendje tjetër, jo fizike. Ajo herë zgjatet në kufijtë e së përjetshmes apo është konstante, herë-herë shkurtohet. Madje dhe historia e një dite apo e një jave merr dimensionet e të gjithkohëshmes, një vlerë të gjithkohëshme apo absolute siç e gjejmë tek filmi “The Bridges of Madison county” me Meryl Streep dhe Clint Eastwood. Pra ajo është relative në sajë të përcaktimit shpirtëror. Ç’dimensione kishte koha për Ana Frankun në atë dhomë të fshehtë e të errët të izolimit? Ç’dimensione kishte koha për Franc Kafkën apo për Arthur Rimbaud që pas pesë vjet së shkruari poezi ai humbi në shkretëtirat e Adenit aq sa kur ai vdiq, poetët parnasienë pyetën: vallë Rimbaud paska qenë gjallë deri tani? Ç’dimension kishte koha për Migjenin tonë apo për poetin francez Robert Desnos në kampin e Terezinës që kockë e lëkurë nuk arriti ta kapërcente atë kamp në ditët e çlirimit? Edhe koha e udhëtimeve të Odiseut apo e tregimeve të tjera homerike është po ashtu relative. Ndodh nganjëherë që njeriu të harrojë kohën në të cilën jeton, kohën që s’ka kohë edhe pse akrepat e kohës fizike ecin normalisht në të njëjtin drejtim. Stinët ndërrohen, vitet dhe shekujt gjithashtu. Ka njerëz që fizikisht jetojnë një fragment të shkurtër të kohës së jetës së tyre dhe e lënë këtë botë sikur kanë jetuar një shekull. Të tjerë jetojnë me të ardhmen, të tjerë me të shkuarën. Marsel Prust ishte gjithnjë në “kërkim të kohës së humbur”. Pikërisht në kërkim të kësaj kohe ai ndërtoi monumentin e tij letrar edhe pse kohën e tij, atë që jetonte, ai nuk e jetonte realisht, ai ishte në kohën tjetër, atë të shkuarën, kohën e personazheve të pikëtakuar në rini të tij, duke zbuluar kështu psikologjinë e një kohe që nuk jetonte më, por që jetonte me aromat, ngjyrat, ndjesitë për muzikën, zërat, heshtjet, hijet, në gjithçka delikate të salloneve letrare, të kësaj bote siç ishin dhe pikturat e Wermeer që e bënin të humbte vetëdijen. Duke medituar për kohën për një çast imagjinoj një tablo surealiste me shumë sahate të mëdhenj ku akrepat lëvizin në një mënyrë të ç’rregullt. Ka epoka ku ndodhin ngjarje të mëdha tronditëse dhe vetëm ato mbeten në kujtesën e humanitetit, ka epoka të tjera ku nuk ndodh asgjë, ku akrepat e kohës duket se nuk kanë ecur dhe s’ka mbetur asgjë në kujtesën njerëzore, siç ka ndodhur për Shqipërinë gjatë pushtimit të gjatë osman. Koha lëviz e shket sipas perceptimit tonë, pulsimi të shpirtit. Dhe ndodh jo rrallë që mund të themi: ç’kohë e gjatë, ç’kohë e keqe dhe e mbrapshtë, ç’kohë e madhërishme apo të pyesim veten: në ç’kohë jetojmë? Tri pjesë romaneske të këtij libri ku personazhet pikëtakojnë të kaluarën, rijetojnë me të dhe dalin nga skena me një shpirt tjetër që thua endet në ajër dhe me një dëshirë për të rijetuar kohën që ka mbetur…

Tre romanet

Pasthënie

—-

Koha reale dhe ajo e shpirtit

Koha planetare, galaktika, koha dhe fatet njerëzore… Shumë pyetje vërtiten rreth konceptit të kohës. E pamundur t’i japësh kohës dimensionet e veta reale, jo thjesht pse Anshtanji zbuloi relativitetin e kohës, por sepse ajo përjetohet në mënyra të ndryshme e ndërvarur nga kulturat, nivelet shoqërore, përmbysjet e mëdha dhe lëvizjen kaotike të kësaj bote të mbërthyer nga dramat e tragjeditë e mëdha, nga luftrat shkatërruese që njeriu pagan nuk i kishte menduar. Dhe atëherë ne e kuptojmë se nuk është koha ajo që shkon në mënyrë ritmike, të përcaktuar, pa u ndalur, matur me orën Grinuiç, koha e matur dikur në raport me diellin, me ciklet hënore apo kalendarët e vjetër egjiptian, roman, gregorian kopt, hebraik… Vallë, ne jetojmë këtë kohë të ndarë në sekonda, minuta, orë, ditë, muaj, vite, shekuj e mijëvjeçarë, apo secili nga ne jeton kohën e tij? Kohë që përjetohet në mënyrë të veçantë nga njëri cep i botës në tjetrin, kohë që shkon më përpara se ç’duam, apo që ecën mbrapsht, rikthehet në mënyrë të papritur, të çuditshme, nuk dihet për sa kohë, si të bjerë në letargji nga lodhjet, dhimbjet, vuajtjet e tronditjet e mëdha. Ç’rëndësi ka koha fizike që vazhdon të lëvizë me lavjerësin e tij të njëjtë kur koha e shpirtit e ndal, kur ne humbim kujtesën. Ç’mendonin vallë për kohën njerëzit e parë kur s’kishin matës special; ç’mendonin vallë paganët, njerëzit e Antikitetit, të Mesjetës, të kohës së Rilindjes? Cila është në fakt vlera e vërtetë e kohës. A nuk personalizohet në fund të fundit koha e çdo njeriu? Cila ishte koha e vërtetë në rrugët e qytetit të Hiroshimës apo Nagasakit. A nuk ndaloi koha në ato çaste kur këpurdha e tmerrshme bërthamore ngrihej furishëm mbi çatitë e mjera të qytetarëve anonimë. Sa zgjati kjo kohë nën përcëllimin e tmerrshëm prej mijra gradë C° duke mbuluar gjithçka me hirin e atomik të vdekjes? Sa koha reale apo më shumë? Ç’mendonte Salvador Dali kur sahatet e tij të pikturuar shkriheshin dhe deformoheshin s’dihej nga ç’vuajtje e madhe apo revoltë. Cili është vallë koncepti i kohës në qelinë e një të dënuari me vdekje që pret ekzekutimin e tij, e një njeriu që humbet lirinë, ndryshe nga jeta e një qytetari të lirë në jetën e tij të zakonshme. Si përjetohet koha në udhëtimin e vetmuar në një shkretëtirë. A nuk përjetohet ndryshe koha e dashurisë? A nuk ndodh që koha të nderet në ajër në jetën e dy qenieve të përgjërur, të ndarë dhe që pikëtakohen sërish? Ne asnjëherë nuk e dimë se sa kohë jetojmë, madje këtë nuk e kemi në dorë, ne jemi të pafuqishëm ndaj kohës.

Për personazhet e Mazit dhe Eleonorës tek “Eleonora”, 40 vjet të ndarjes së tyre shkurtohen aq shumë, sa ata ndjejnë se koha nuk ka lëvizur, është po ajo kohë e dashurisë, thua se papritur, pas një nate tepër të gjatë e të mjegullt, ku të gjitha hijet ishin shuar, ka ndodhur eklipsi. Vitet shkurtohen si me magji në kufirin e një dite. Po kështu dhe për Arturin dhe Adrianën tek “Burri që donte të vdiste” koha çuditërisht u kthye mbrapa sikur akrepat të fillonin të lëviznin me shpejtësi në kah të kundërt për tu rikthyer e rigjetur aty ku ishin ndarë, me të njëjtën ndjenjë dhe ku koha e kaluar, koha kur e kishin humbur njëri-tjetrin, harrohet, shuhet e kthehet në mister. Vallë ushtari italian Alberto Saviani, i harruar që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, përballë ish të dashurës së tij Laura, tek “Nata e gjatë e Alberto Savianit”, a do ta gjejë nocionin e kohës dhe identitetin e vërtetë të tij?… Kështu, koha në dashuri, ashtu si dhe koha në pasionin e madh të punës, të krijimit, të ndërtimit të bukur të botës, gati harrohet dhe të ngjan se askush nuk mendon për kohën që shkon, sikur të jetojmë në një lloj mistike. Mikelanxhelo harrohej nën kubenë e Siktinës dhe vetëm kur drita e bardhë e agut shfaqej nga jashtë, kjo e bënte të kujtohej se kishte kaluar gjithë natën në ethet e krijimit të figurave hyjnore. Sandro Botiçeli harrohej gjithashtu pas portretit të Simonetës dhe hireve të saj e po ashtu dhe Rafaelo pas syve dhe buzëve të së dashurës së tij Fornarina, të pikturuar kushedi sa herë në telajo dhe në ëndërr. Lui Aragon humbiste kujtesën para fytyrës së Elsa Triole, siç shkruan ai në librin e tij poetik “Sytë e Elsës”. Le ti rikthehemi përsëri Prustit: cila ishte koha e vërtetë e tij? Vallë koha e tij fizike, nga lindja dhe deri tek vdekja e parakohëshme në moshën 51 -vjeçare, apo ishte koha e kërkimit të kohës së humbur, e kërkimit dhe përshkrimit të atyre personazheve që kishte piktakuar dikur salloneve letrare, pranë vajzave të njoma dhe meshkujve të bukur si i dashuri i tij Agostineli, gjithë ajo atmosferë plot ngjyra e aroma ku ai shijonte vërtetë kohën e një jete të plotë dhe jo atë brenda asaj dhome të errët me perde të rënda në bulevardin Haussmann apo në Rue Hamelin të Parisit?

Ah, koha që aq rrallë mendojmë ta jetojmë atë plotësisht!…