Suplementi Pena Shqiptare/ Romani “I humburi” i Fatos Gongolit botohet në Japoni

357
Sigal

 

FATOS KONGOLI, lindur në Elbasan më 1944 ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967.

Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një vargu librash. Shquhen sidomos romanet e tij, të vlerësuara nga lexuesi shqiptar dhe i huaj. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi, Britani e Madhe, Spanjë si edhe në gjuhën esperanto, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si “Le Monde”, “Le Figaro”, “La Stampa”, “Le Temps”, “Le Soir”, “L’Express”, “Magasine Littéraire”, “Der Tagesspiegel”, “The Guardian”, “The Indipendent”, “El Publico” etj.

Është tri herë fitues i çmimit vjetor “Për librin më të mirë në prozë” dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit “Velia” (2000). Është fitues i çmimit të Akademisë Kult (2008) dhe i çmimit “Rexhai Surroi” (Prishtinë, 2011). Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika” (2002).

Gjithashtu, është fitues i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-n, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Fatos Kongoli është shpallur “Qytetar nderi” i qytetit të Elbasanit në vitin 2010.

Po këtë vit ai është nderuar nga Presidenti i Francës me titullin më të lartë që jepet në Francë: “Kalorës i Legjionit të Nderit”.

Në vitin 2012 është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Shqipërisë.

Në vitin 2017 është nderuar me titullin Doktor “Honoris Causa” nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.

Dy fjalë rreth romanit:

I botuar për herë të parë njëzet e pesë vjet të shkuara, i përkthyer e i botuar deri tani në disa gjuhë të huaja, ndër të cilat frëngjisht, gjermanisht, anglisht etj., ky libër sjell një tablo të papërsëritshme të jetës së përditshme në epokën e zymtë të diktaturës.

Mars 1991. Thesar Lumi, banor në një nga qytezat pranë kryeqytetit, i hipën anijes në Durrës, bashkë me mijëra të tjerë, për t’u larguar drejt Italisë. Çastin e fundit ndërron mendje dhe zbret.

Me këtë skenë nis ky libër, i pari në ciklin e romanëve të shkruar prej Kongolit në fillim të viteve ’90, që shënoi një sukses të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë vendit.

Pse deshi të ikte personazhi dhe përse zbriti?!

Një eksod tronditës në brendësi të qenies.

 

Romani “I humburi” është përkthyer e botuar deri tani në frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, anglisht, greqisht, esperanto, japonisht.

 

VLERËSIME

“Asnjëherë më parë në letërsinë e vendeve ballkanike nuk është përdorur një ton i tillë, ku realizmi dhe lirizmi përzien me thekse të zhgënjyera beketiane.”

Le Figaro

“Një libër i zi, poetik, lirik dhe i zhgënjyer, një lloj takimi në terrenin e thyer midis Dostojevskit dhe Beketit.”

Lire

“Romancieri ecën fare pranë reales, larg legjendave heroike… Zëri i tij është para së gjithash i prekshëm, njerëzor, çnjerëzor, shkrihet në mjedisin e një fati të rëndomtë.”

Le Monde