Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Mall…

150
Sigal

Ky mall më rrjedh si një shi i ngrohtë

ardhur nga qiej të tjerë.

Shi nga sytë e një gruaje;

peizazhe të copëtuara në njëqind imazhe.

Koshere të ngrohta pëshpërimash

në ditë rendjesh, pritjesh, ikjesh,

puthjesh dhe vetmish!

Imazhe që tani më shkasin duarsh,

bashkë me fjalë që më ikin, s’dihet ku

shtegtim krillash.

Qullem i tëri në mall

dhe një lumë i ngrohtë më merr njëherësh

dhe unë i jepem të më çojë larg;

aty ku shpirti do

në vende pa kufij;

ku perëndimi puth agimin.

Ky mall më është bërë një nanurisje e pafund,

ku buka më është me tjetër shije.

Dehem me frymën e tjetërkujt

në livadhet e kuajve të marrë,

livadheve të botës.

Herë-herë ky mall më merr frymën

pa mundur të klith!

Atëhere mbyll sytë:

thërras natën pa hënë dhe ciganë

dhe verbazi nisem në udhën e njohur,

ku ajri ka frymën e saj.