Suplementi Pena Shqiptare/ Kujtim Mateli: Poezia e Bardhyl Londos kritikë me nënteks

494
Sigal

Poetët- heronjtë e viteve `80 që projektuan përmbysjen e rregjimit komunist

Bardhyl Londo bën pjesë në atë plejadë të shquar krijuesish që nuk u bë pjesë e rregjimit komunist. Niveli i lartë i poezisë së tij u gërshetua me frymën qytetare që në ato vite kishte filluar t`i kundërvihej në mënyrë të heshtur. Më mirë se poezia, këtë kundërshtim, nuk mund ta shprehte asnjë formë tjetër e artit. Po duhej guxim të shpreheshe kundër atij rregjimi, sepse dyert e burgut ishin të hapura për cilindo që do t`i kundërvihej qoftë dhe me nënkuptime largëta. Vigjëlohej ngado: në politikë dhe ekonomi, në art dhe kulturë.
Një shprehje e mençurisë popullore që përbënte dhe filozofinë e popullit tonë dhe që përdorej vazhdimisht në bisedat e përditshme të asaj kohe ishte: “me zjarrin dhe me qeverinë nuk luhet”. Ndoshta, në këtë mënyrë, ata shfajësoheshin për atë që u kishte ndodhur duke treguar pafuqinë e individit dhe të shoqërisë përballë makinës shtetërore që të shtypte pa pikë mëshire, nëse do t`i dilje përpara.
Në vitet 80-të, Bardhyl Londo merr vendimin e guximshëm për të thënë të vërtetën. Poezia e tij shprehte shqetësimin qytetar për gjendjen në të cilën kalonte Shqipëria. Në vend të furnaltave që i sillnin mirëqënie e begati vendit, zuri vend thirrja e poetit, thirrje që konvertohej për përmbysje të një rregjimi që u ishte larguar idealeve të atyre që ranë për lirinë e vendit.
“Gjaku që u derdh dhe s`kërkoi pasuri, grada,
Gjaku që s`ëndërroi favore, lavdi”. (Bardhyl Londo, Thirrjet e gjakut”).
Po kush kërkonte pasuri dhe grada, favore dhe lavdi të pamerituar?
Në këtë mënyrë njerëzit e pushtetit identifikoheshin me njerëzit e korruptuar që luftonin për pasuri dhe grada, që luftonin për favoret që përfitonin apo ia bënin njëri-tjetrit. Në kohën e sotme këto veprime të pushtetarëve janë baras me korrupsionin. Për këtë korrupsion bien qeveri dhe kjo është normale që qeveritë e korruptuara të largohen. Po në sistemin socialist qeveria identifikohej me rregjimin. Nëse binte qeveria, rrëzohej edhe rregjimi politik. Ky ishte një guxim i madh për kohën dhe jo kushdo mund të ngrihej kundër pushtetit duke e cilësuar atë si të korruptuar, guxime të tilla përfunduan me burgime e pushkatime. Po kjo është cilësia e poetëve. Londo u ngrit kundër partisë-shtet që kishte projektuar rregjimi komunist, kundër privilegjeve të tyre:
“Ç`je ti vallë? Presidium, a pronë private?
Rrogë e majme… Privilegje….Një tufë servilash te pragu …
Pronë absurde, pa investime nga xhepi
Dikush tjetër investon për të: gjaku”. (Bardhyl Londo, Thirrjet e gjakut”).
Kjo është poezia e Bardhyl Londos e cila doli në pararojë të letërsisë shqiptare. Ajo e dha qartë portretin e zyrtarit më të lartë të Shqipërisë, atij që organizonte dhe zinte vend në presidiume.
Cili ishte ky njeri që i kishte kthyer institucionet në pronë private?
Cili ishte ky njeri me rrogë të majme e privilegje të vecanta?
Cili ishte ky njeri që i rrinin një tufë servilash te pragu?
Kuptohet që Londo me vargjet e tij iu drejtua drejtpërdrejt piramidës shtetërore. Po në periudha kritike, në të cilën gjendej Shqipëria në vitet 80-të, ajo u bë dhe alternativa politike e shqiptarëve. Kjo qeveri dhe kjo klasë politike duhej përmbysur. Vite më vonë shqiptarët e përmbysën rregjimin për të cilin Londo kishte bërë thirrje vite më parë
Duke folur për letërsinë e kësaj periudhe shkrimtari Zija Cela do të shprehej:
“Më kujtohet se, ndërsa lart rrudheshin buzët, poemat e Londos duartrokiteshin poshtë”. (Zija Çela ” Për shkakt të cilësive të artit”).
Nëse do të ketë një vlerësim ndërkombëtar, siç janë dhe vlerësimet me çmimin Nobël, këtë vlerësim e meriton letërsia që lindi në vitet 80-të.
Poezia e Londos është një majë në letërsinë shqiptare, edhe për nivelin e saj të lartë artistik. Vlerësime të tilla ia ka bërë dhe vazhdon t`ia bëjë kritika letrare:
“Bardhyl Londo është një nga poetët më të mëdhenj bashkëkohorë dhe do të thoja nga më modernët… Merita e Londos është shpalosja e forcës nëpërmjet fjalëve sa të gjetura, aq edhe të brishta. Forca morale e një kulture letrare (dhe jo vetëm letrare) e dhënë nëpërmjet mënyrave shprehëse me një semantikë tejet të thjeshtë, si dhe aftësia për të bërë poetike shprehjen e thjeshtë, është padyshim mjeshtëri e spikatur…” (Kostantino Marko, Itali)