Të falenderoj nënë, që më bëre të mbarë,
hamall të brengave të botës,
adhurues të njeriut që nga dekada e parë.
Jam i kënaqur me formën e kokës sime,
sepse bota mund të futet lirisht
për të hapur biseda intime.
Me flegrat e hundës jam i kënaqur,
sepse që larg nuhas hileqarët;
të varfër qofshin a të pasur.
I kënaqur me forcën e këmbëve jam
për të shkelur çdo cep të vendlindjes,
prej Gramozit deri në Ivan.
Shtatëdhjetë diej zemrën ma kanë përshkuar,
shtatëdhjet zjarre më ka ndezur çdo herë,
durimi im kalvarin ka përshkuar.
Ngjyrat e ylberit mbledh çdo agim,
botës në vargje t’ia shpërndaj
me nuancat e shpirtit tim.
Fanitje
Qëndroj para pasqyrës së madhe
në vetmi,
si ishull i vogël i ndarë nga toka.
Përfytyroj ardhjen e saj nga pas
përmasat e shtatit,
mesin, bustin, vithet,
fustanin stinor.
Po në vend të saj më faniten
këngët e zogjve,
pranvera e zhytur,
në kundërmimin e luleve.