Zemra e nënës asnjëherë s’mërzitet,
edhe pse fëmija ndonjëherë e lëndon.
Zemra e një nëne kurrë nuk svenitet,
me kthetra si klloçka skifterët largon.
Zemra e nënës i këndoi si një zane,
fëmijës së saj në djepe kur e tundi.
Zemra e nënës me furkë edhe çitjane,
rrugën e malit asnjëherë nuk e humbi.
Shkuan plot vite, edhe koha plaket,
por kurrë nuk plaket zemra e nënës.
Lëkura e faqeve fishket edhe thahet,
por kurrë nuk tretet malli i zemrës.
Ndoshta një ditë ajo zemër do të fiket,
atë ditë edhe nëna më s’do të këndoj.
Ndoshta në qiell shpirti do të ngjitet,
ndoshta në zemrën time gjatë do rroj.
E sotmja iku
E sotmja iku, shpejt do të harrohet,
ndërsa e nesërmja do bëhet e sotme,
dita e mëpasme, më s’do të kërkohet,
dielli nuk duhet në jetën e përbotme.
E sotmja qenka plot me rreze dielli,
shumëkush e quan edhe të tashme,
por këtu nesër, nuk ka kush ta sjelli,
çdo gjë pa diellin bëhet e avashme.
Erërat do ndalojnë, s’do ketë tufane,
s’do ketë as pyje, as edhe egërsira.
Detet do thahen, s’do ketë as oqeane,
nëse nuk zihen retë, s’do bien as shira.
Kjo tokë e rrezikuar prapë do mbijetojë,
varkat si të Noes qiellit do të fluturojnë.
Perëndia këtë herë e di kë të shpëtojë,
shkaktarët e rrëmetit, ende mëkatojnë.
Çfarë po ndodh me Diellin?
Më prit i fola diellit, ndalu, mos u zhyt,
për të nxehtin tënd, duhet të flasim.
S’ngopemi me frymë, pse po na mbyt?
Afër dot s’të vija, rrezet nuk më qasin.
Ti s’më prite, perëndove pa thënë gjë,
edhe për të nxehtin nuk fole asnjë çikë,
pyetjen e kuptove, por ike pa nxjerë zë,
arsyen nuk ma the, ndoshta pate frikë.
Me ngadalë zjarrëmadhi e valoi detin,
sa avulli i kriposur drejt qiellit fluturoi,
zjarri i vatërmadhit dogji edhe mbretin,
të valuarat dallgë në anë seç i dërgoi.
Valët e nxehta flakë e ndezën bregun,
në rërë këmbët tona u dogjën edhe më,
shputat e zbathura luftojnë me zhegun,
as hija e pishës poshtë saj nuk na nxë.
Të nesërmen nga gjumi u ngrit hijerëndi,
që nga maja e malit mirmëngjes na foli,
nga flakët e zjarrit po digjet gjithë vëndi,
i nxehti i çuditshëm, prej cilit diell doli?



















