Suplementi Pena Shqiptare/ Kosta Nake: Behar për letërsinë

529
Sigal

Pesë orë lëviza në këmbë nëpër Romë dhe ajo që zuri kreun e përshtypjeve për të, ishte pasuria e madhe e monumenteve që nga antikiteti deri shekujt e fundit. Aty historia është e shkruar me gjuhën e gurit dhe të mermerit, të shatërvanëve dhe viadukteve. Duke përjashtuar Durrësin, qytetet tona kanë pak dëshmi të tilla të pazëvendësueshme. Atëherë mendova se ne mund ta plotësojmë këtë zbrazëti me vlerat që kombi sjell sot dhe në vendin e parë, pa dyshim, është politika. Mendoj se mund të krenohemi për numrin e partive që janë krijuar, për kryetarët e tyre vizionarë, për larushinë që i kanë dhënë mendimit politik shqiptar. Pjellë e natyrshme e këtij ndryshimi të madh janë analistët dhe opinionistët e pafund dhe çuditërisht, dhjetëvjeçari i fundit i ka bërë të dallueshëm portretet e tyre, sepse me aftësinë e tyre të pashoqe, kanë bërë që shikuesi të dijë se ç’do thonë, para se ta hapin gojën. Mediat televizive dhe të shkruara, të qepura pas pushtetit ose të shqepura prej tij, kanë futur në llogore gjithkënd që kanë mundur. Ata që kanë mbetur jashtë, më mire t’i quajmë jashtëtokësorë.

Kisha pritur që era e lirisë të sillte një zhvillim cilësor në letërsi dhe arte. Mjerisht kjo ndodhi vetëm në rrafshin sasior, në këto 30 vite tranzicion është shkruar e botuar më shumë se në 100 vjet. Por nuk ka pasur asnjë shkëlqim ose ka pasur vetëm yje që ngrihen mbi qytete ose zona të veçanta, pa kapërcyer kurorën e maleve që i rrethojnë.

Ngjarjet e gjysmës së pare të këtij viti më kanë ngjallur shpresën se po vjen një behar për letërsinë. Ashtu si gjysmë shekulli më parë kur Shqipëria socialiste çante shtigje të pashkelura nga asnjë vend tjetër, edhe sot beteja politike për pushtet, ka sjellë risi që po e lënë botën pa mend. Por mendoj se më e fituar në këtë mes do të dalë letërsia. Djegia e mandateve nga opozita ka sjellë në skenë shumë figura interesante, karaktere të gatshme për t’u fotografuar, vlerën e të cilave mund ta krahasoja me rrënojat e Romës. Kjo provon atë thënien e urtë, se “Jo çdo gjë e nisur keq, del për keq”.

Gjashtëmujori i parë nuk është mbyllur ende dhe sytë tanë kanë për të parë shumë.