Suplementi Pena Shqiptare/ Albert Z. Zholi: Dashuria nuk ka kombësi

42
Sigal

Mbas kontrollit të dy policëve për dokumentet, në dalje të metrosë në Omonia, ende nuk e kisha mbledhur veten. Edhe pse isha me dokumente të rregullta, mënyra si më kontrolluan dhe tre personat, që rrinin pas tyre me pranga në duar, më frikësuan pa masë. Ecja kuturu për te stacioni i autobuzit 228. Te shtylla e një semafori, një burrë me një bastun në dorë qëndronte duke u lëkundur. Thuajse nga çasti në çast do të binte. Herë pas here përsëriste fjalën “Voithja” (ndihmë), por asnjëri s’po e dëgjonte, apo nuk donte ta dëgjonte. Iu afrova.
-Të lutem më ndihmo-më foli me zë të këputur.
I kish kaluar të tetëdhjetat. Kështu e mendova.
-Ndalo ndonjë taksi-më tha duke u dridhur i tëri.
Ashtu bëra. Sa ndaloi taksia, ai nisi të lëvizte me tërheqje të këmbëve nga 5-6 centimetër.
-Nga gjuha dukesh i huaj-më foli plaku.
Më gjeti ngushtë. Ç’t’i thoja. E dija psikologjinë e të moshuarve grekë për ne. po t’i thoshja se jam shqiptar ai nuk do e pranonte ndihmën time dhe do të mbetej aty i vetmuar…
-Jam nga “Rusia”- i thashë me ironi duke zier nga inati (edhe është për ndihmë dhe kërkon kombësi!).
Rrugës për në Pagrat, ku mori udhë taksia, nuk folëm fare. Sa zbritëm e ndihmova deri te dera e pallatit ku banonte.
-Dëgjo mor bir, edhe dy policëve ju kërkova ndihmë, por s’ma varën fare. As qindra grekë të tjerë. Ti le çdo punë për të më ndihmuar mua. Më ler numërin e telefonit dhe merri këto dhjetë mijë dhrahmi për atë që bëre.
-Nuk e bëra për para. E bëra si për babanë tim. Por dua të të kërkoj falje për një gënjeshtër. Nuk jam rus por shqiptar. Të gënjeva se mendova se nuk do të pranoje ndihmën time.
-Shqiptar?!-dhe u mbështet pas derës.-me të vërtetë nuk do ta pranoja ndihmën tënde. Ju urren televizori ynë edhe ne që e shohim. Nuk mund ta besoj këtë që më ndodhi – merri këto, merri, të takojnë miliona sonte.
-Natën e mire xhaxha!
-Merri të lutem! Të paktën më jep telefonin. E dua një telefon shqiptari si ti…