Eurostat: Shqipëria me rritjen më të lartë të net-qëndrimeve të turistëve në Europë

41
Sigal

Shqipëria po përjeton këtë vit ecurinë më të mirë të turizmit në historinë e saj, ndërkohë që po shënon dhe rekorde europiane.

Sipas të dhënave të publikuara sot nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor, net-qëndrimet në akomodimet turistike, që përfshijnë hotele, akomodime të tjera afatshkurtra për turizëm, kapmingje e kampera, kishin rritjen më të madhe vjetore në Shqipëri në krahasim me mesataren europiane dhe të gjitha shtetet e Europës, për të cilat raportohen të dhënat e plota, për periudhën janar-qershor 2023. (të dhënat nuk janë të plota për Turqinë dhe Kosovën).

Net-qëndrimet në akomodimet turistike në 6 mujorin e parë të 2023 në Shqipëri u rritën me 44.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në krahasim me 12.9% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian.

Pas Shqipërisë renditet Qipro, me rritje 39.1% të net-qëndrimeve për të njëjtën periudhë, e ndjekur nga Mali i Zi me 37.2%, Malta me 30.5%.

Shqipëria kishte gjithsej për janar-qershor 2023 rreth 1.7 milionë net-qëndrime, pothuajse njëlloj sa Mali i ZI (1.79 milionë), ndërkohë që në vitin 2019 Mali i ZI kishte gati dyfishin e net-qëndrimeve të Shqipërisë (1.5 milionë, kundrejt 806 mijë), sipas statistikave të Eurostat.

Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur pak ditë më parë se në 6 mujorin e parë të vitit 2023, shpenzimet e të huajve që kanë udhëtuar në Shqipëri arritën në total 1.55 miliardë euro. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90 dhe reflekton kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik këtë vit. Shpenzimet e të huajve për udhëtime janë rritur me 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në periudhën janar-qershor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 3.396.932. Ky numër është rritur me 33,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Sipas Ministrisë së Turizmit, fronin vijon ta mbajë ai i turizmit patriotik dhe konkretisht shqiptarët e Kosovës, me 40% të totalit. Nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri për 6 muajt e parë të vitit mbi 1.38 milionë vizitorë apo 43 për qind më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Në vend të dytë janë italianët, me 310 mijë vizitorë nga shteti fqinj duke shënuar rekord që në 6 mujorin e parë. Italianët zinin 9% të totalit. Shifrat tregojnë se për nga numri Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë respektivisht grupi i tretë dhe i katërt që edhe këtu pjesë dominuese ndër vite kanë qenë shqiptarët e trevave.

Turizmi i BE-së në nivelin më të lartë të një dekade në gjysmën e parë të vitit 2023

Industria turistike e Bashkimit Europian po përjeton një rikuperim të fortë nga ndikimi i pandemisë COVID-19, sipas njoftimit të Eurostat.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, numri i netëve të kaluara në strukturat akomoduese turistike arriti nivelin më të lartë në dekadën e fundit, duke sinjalizuar një ringjallje të dukshme në performancën e industrisë në shumë vende.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë kaluar 1 193 milionë netë në struktura akomoduese, duke shënuar një rritje prej afro 11 milionë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019 (1182 milionë, +0,9%). Për më tepër, ka pasur 136 milionë natë qëndrimi më shumë se në gjysmën e parë të vitit 2022 (1057 milionë, +12,9%). Në krahasim me vitin 2021 (406.8 milionë), këtë vit janë regjistruar 786 milionë natë qëndrimi më shumë, dhe krahasuar me vitin 2020 (474.7 milionë), janë regjistruar 718 milionë natë qëndrimi më shumë.

Të gjithë muajt tejkaluan shifrat e një viti më parë, me rritjen më të lartë të shënuar në janar (45%) dhe shkurt (27%).

Eurostat: Shqipëria me rritjen më të lartë të

Sipas të dhënave për secilin vend, të gjitha shtetet anëtare kanë regjistruar një rritje të net-qëndrimeve në krahasim me vitin 2022, me përjashtimin e vetëm të Hungarisë, e cila ka pësuar një rënie të lehtë prej -0.3%.

Qiproja (39.3%), Malta (30.5%) dhe Sllovakia (28.7%) regjistruan rritje më të konsiderueshme të net-qëndrimeve.

Megjithatë, rreth gjysma e vendeve nuk kanë arritur ende shifrat e regjistruara në gjysmën e parë të vitit 2019. Veçanërisht, Letonia (-23,8%), Sllovakia (-16,0%), Hungaria (-12,2%) dhe Lituania (-11,7%).

Një rritje e fortë e shifrave të këtij viti erdhi nga rimëkëmbja e turizmit ndërkombëtar. Krahasuar me vitin 2022, numri i netëve të kaluara nga turistët e huaj është rritur me 22,5%, ndërsa turizmi vendas ka shënuar një rritje prej 5,8%.

Në total, turistët e huaj përbënin 545 milionë netë në gjysmën e parë të vitit 2023 ose 46% të të gjithë netëve të qëndrimit.

Vitet e fundit, përqindja e turistëve të huaj është ndikuar ndjeshëm nga pandemia. Duke filluar nga 47% në gjysmën e parë të vitit 2019, ai ra në 36% në gjysmën e parë të 2020 dhe më tej u ul në 21% në 2021, përpara se të shënonte një rikthim të fortë në 2022, duke u rritur në 42%.

Eurostat: Shqipëria me rritjen më të lartë të

Eurostat: Shqipëria me rritjen më të lartë të

Eurostat: Shqipëria me rritjen më të lartë të

 

Eurostat: Shqipëria me rritjen më të lartë të