Nga Roma e lashtë na erdhi kjo farë:
“Botën e sundon, kur e ke përçarë”
Të tjerët e shkulën. Na mbiu në arë.
Shekuj që kaluan, ende s’është tharë.
Mes njëri tjetrit, sa shumë jemi vrarë,
Për qejfin e hasmit, kombit i hapim varr.
Hallku fërkon duart. Mbetëm duke qarë!
Ai shkon kaluar, ne mbajmë samarë.
Rilindësit na thërresin: “Mblidhuni shqiptarë!
Zini diturinë, mos rrini të ndarë!”
Bota gajaset, kur bëjmë si të marrë.
Ne zgjasim qafë, ajo mpreh hanxharë.
Si apostull foli, Pashko Vaso Shkodrani,
-Një flamur e kemi, kurrë mos u ndani.
Fenë e shqiptarisë, në zemër e mbani,
Ndarja prish atdheun, shkon edhe vatani!
Pa na doli Marksi, gjithë mjekër e lesh,
Me luftën e klasave, na bëri përshesh.
Përçarja rri ulur, këmbëkryq në shesh.
Sllavët na e sollën, na e bënë peshqesh.
Si mallkim i kohës, na lindën partitë.
Grindemi mes vedit, s’pushojmë një ditë.
Lamë urtësinë, pëlqejmë marrëzitë.
Të rrojë udhëheqja, t’i kemi si dritë!
Partia është nëna, njerkë Shqipëria.
Në humnerë vendi, u çmend marrëzia.
Ne kështu të ndarë, s’na do as perëndia,
Po na shuhet kombi, se po ik rinia.
Bashkim! Fjalë e shenjtë, e kërkon liria.
Si çiflig Mesjete, e ndarë Shqipëria.
Sundimtarët lart, poshtë njerëzia.
Për karrige bythe, na duhet partia.
