Suplemeti Pena Shqiptare/ Zhuljeta Grabocka Çina: Malli i vajzërisë

115
Sigal

Malli i vajzërisë kalon mbi vijën e supeve të maleve

e zbret, si rrezja e dritës mbi degët e pyjeve të murrmë,

kalon brinjëve mbi borën e pashkelur buzë pranvere,

si bukë e bardhë e pjekur mirë ma shuan urinë.

Malli i vajzërisë, lëndinave çel sytë e gjelbër të aguliçeve,

tek hedh hapat e ndrojtura, si një fëmijë në të parën ecje.

Duke harruar se jam një pemë e vjetër, e plakur në pritje,

si një gur i bardhë nën rrjedhën e ujit pa kohë e prehje.

Malli i vajzërisë është sy oqeani, fshehur thellësive:

aty, ku makrobota lëviz e gjallon në mijëra specie

dhe unë zhbiroj me ëndje të vërtetën hileqare.

S’mjafton një jetë për të njohur dashurinë e madhe!

Malli…

u bë lëmsh,

Hënë mbi glob.

 

Gota e fundit

Nuk duam t’ia dimë, si do ta pimë gotën e fundit

servirur pa luks, pa e ditur seç sjell çasti në çast.

E pangopura jetë, gotat i kthen në dhimbje e gaz…

pa e kuptuar kemi rënë në çarkun e çmendur të saj.

Më shumë kuptojmë jetën e tjetrit.

Pasqyrat e tyre përthyhen

belbëzim i verbër, i shurdhër

bie në diagramën e syve tanë.

Në gotën e fundit kuptimin e jetës duan të kapin,

të lodhur do të thonë:

shumë e hidhur gotë e tij, kaq edhe jeta e tij e pat…

Koha rrjedh edhe vitet ikin, asnjë jetë jetës si ngjan!