Shkova për të blerë (me lek borxh) një kondicioner për të zbutur sadopak nxehtësinë tiranase që termometri e tregon 43 dhe trupi e ndjen 48 gradë Celsius. U bënë tërë formalitetet shitës-blerës në firmën serioze “Neptun” dhe kur erdhi puna te pagesa, mua më mungonin një mijë lek që të plotësohej 59 mijë. Se si isha ngatërruar me xhepat e mi nuk e mora vesh. Helbete, këto janë etiketa të pleqërisë. I premtova shitësit që do t’ia sillja ato njëmijë lek kundrejt lënies aty të kartës së identitetit, por përfaqësuesi i kompanisë nuk pranoi kurrsesi! Lexojeni me kujdes: pagova 58 mijë dhe nuk m‘u ndodhën për çastin e dhënë një mijë lek, e për këtë kompania ‘prestigjioze’ nuk lejon shitjen!? Mendova: Këtu kemi sedër apo idenditet, tregti apo primitivitet, nuk e kuptoj dot! Diçka bie erë të keqe. Ika pa blerë kondicioner. Mbas disa ditësh gruaja ma tejmbushi mendjen dhe shkova në një tjetër degë shitjeje të po asaj kompanie (sepse është më e mira de!) për të blerë kondicionerin. Është bërë i domosdoshëm, sepse”vapa nuk do që të iki me gushtin”, por do të shtrydhë edhe shtatorin. Pagova këtu 59 mijë lekët dhe meqë kompania ka shumë ‘fluks dhe mbingarkesë’ ramë dakord me shkrim, që pas 5-6 ditësh do të ma sjellin dhe ta vendosin aparatin ftohës-ngrohës në murin e dhomës ku jetojmë orët më të shumta të ditë-netëve tona pleqërore. Kaluan shtatë ditë, dhe askush nuk erdhi të më sjellë e vendosë aparatin. Telefonova dhe si zakonisht e me shumë mirësjellje përgjigja telefonike ishte se” thirrja ime do të rregjistrohet, do t’iu informojmë, sepse telefonata juaj ka shumë rëndësi për ne!? Prisni në linjë sa të lirohen operatorët tanë!” Doli më së fundi një zonjushë zëri i së cilës sa nuk qante duke justifikuar se kompania ka shumë punë, ka shumë transferta, ka qenë shumë nxehtë, nuk kemi pasur mundësi, disa probleme na kanë shqetësuar etj.- justifikime me “shumë shumicë”. Kur mbaroi i thashë “më lër një datë kur do të sillni kondicionerin që e kam parapaguar”. “Nuk e di unë këtë punë, por do t’ua referoj shefave dhe personave përkatës!”-qe përgjigja. Iku edhe dita e nëntë. Telefonova përsëri. I njëjti avaz, por tani ishte një zë burri mesomoshë. Iku edhe dita e 11-të. Që në mëngjes i telefonoj dhe kërkoj që të ma sjellin urgjent atë të mallkuar kondicioner. Por zëri i folses në receptorin tjetër larg meje nisi’ arsyetimet’ e formatuara ashtu si ditën e gjashtë. Pyes veten: vallë ky duhet të jetë shërbimi ndaj klientit në një shtet modern? Ky është serioziteti i shërbimeve ndaj popullit në vendin tonë kur kemi arritur kaq e aq suksese në shkallëngjitjet e rrëpirta e të pista drejt Europës, e cila na mburr e lëvdon, por mezi na sheh me sy! Neise! Nga mesdita me re e mjegull, e ditës së 15-të, erdhi një dyshe djemsh pa mjekër që i përkisnin një kompanie tjetër. Kompania “Neptun” i kishte marrë borxh te “Midea” pikërisht për të vendosur aparatin tek shtëpia ime! Ata m’i thanë këto fjali dhe nisën punë me vrull djaloshar. Borxh i mora lekët për këtë palo plaçkë, borxh qënkan marrë edhe punëtorët,…tek e fundit borxh ka marrë edhe Shqipëria, borxh merr tërë bota, paçka se fjala e popullit thotë, “mos merr borxh se ai të rrëmben gruan”! I lashë meditimet se më duhej që t’i shoqëroja dy punëtorët rrëzë murit, te dritarja, te dera dhe te cepi i ndërtesës. Njëri syresh duke punuar hodhi pyetjen stampë historike prezantuese shqiptare-”Nga jeni ju, o gjyshi!?” Dhe unë, tashmë tek të tetëdhjetat, i regjur me këtë lloj interesimi ia kthej:”Unë jam nga Shqipëria!” Ai nuk e priste këtë përgjigje. Iu prek sedra, apo u ndje i fyer, apo u ndje bosh, nuk e kuptova dot. Por sakaq, ngriu duke më vështruar mua, ndaloi punën, i ra vegla nga dora, pas saj ra edhe aparati në tokë e u bë djall ajo punë! Unë po bëja sehir nga poshtë paksa larg tij, pa lëvizur dhe disi i sëkëlldisur. Më hyri një frikë se qenë hapur llafe se këta kondicionerët shkaktojnë edhe djegie në mure. Dhe hajde merru me zjarrin që po ra do të djegë gjithçka deri sa të shuhet vetë! Mirëpo për fat, ai qerrata aparat ngrohës-ftohës, prodhuar, siç thoshin ato të shkruarat, në Gjermani, paskësh qenë tepër i fortë! Nuk u prish, vetëm se u ciflos pak në një cep. U gëzuam të dy. M’u prek edhe mua sedra që shkaktova këtë gjendje. Shoku i tij në atë çast ishte brenda në dhomë të merrte tubin. Djaloshi pyetjebërës nuk foli më, por turfulloi duke rinisur pa folur punën në mur, në vida e në llamarinë. Nisi shiu i aq shumpritur. Kishim dëshirë që të punonim pa ombrellë, por djali ezmer pa hequr vështrimin nga objekti më thotë: ”O gjyshi, a ke ndonjë ombrellë se na pengon ky dreq shiu!?” Unë thashë një “po “ të shpejtë dhe shkova të marr çadrën! E hapa dhe po ia mbaja atij duke u zgjatur nga poshtë shkallinave që ai të mos lagej. Shiu shtrëngoi më tepër, por djemtë punëtorë të marrë borxh, me shkathtësi e realizuan detyrën. Para se të shkoja në katin e dytë te dhoma ku ata do të bënin provën se si punon kondicioneri, ombrellën e lashë te doreza e derës së kabinës së makinës së tyre “rrangall’, por që është mjeti më i mirë për ta. Prova doli me sukses. Çdo gjë në rregull. E zonja e shtëpisë me fytyrë të gëzuar shprehu kënaqësinë për punën e mirë. Meqë ishin fakirë, sepse as rrogën nuk e kishin marrë prej tre muajsh, paratë e punës së sotme do t’ua jepte “Neptun” në fund të muajit, e zonja e shtëpisë u dha nga një njëmijë lekshe, ‘kafe pensionistësh’! Dy punëtorët nxorën nga goja njëherësh fjalën ”faleminderit”, pastruan vendin, mblodhën veglat e mjetet e punës, mbyllën dyert e makinës dhe na përshëndetën me dashamirësi boshe. Shikova për ombrellën, por ajo kishte bërë këmbë bashkë me makinën që zhurmoi tutje asfaltit të lagur…