Suplementi Pena Shqiptare/ Jeronim de Rada themeluesi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare

1152
Sigal

Jeronim de Rada (lindi në Maki të Kozencës, më 29 dhjetor 1814 – 28 shkurt 1903), ishte mësues, botues, folklorist, filolog, poet dhe shkrimtar italo-arbëresh, themeluesi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Në fjalinë e dytë të veprës Autobiologia Rada shkruan: “Stërgjyshërit e mi qenë mbase pinjoj të Pietro Antonio Radës nga Arbëria – në Arkivat e Venedikut të shek. XIV gjendet një kontratë shitblerjeje ndërmjet tij dhe Doxhës”. De Rada nuk e jep burimin e kësaj të dhëne, mirëpo më 1392 është shënuar në një dokument venedikas “Radacha serve, bijë e Gjonit nga Arbëria” (venetisht Radacha serva filia Joan de Albania), kurse një “Radoslav albanese” nga Dukagjini del në një tjetër dokument venedikas. Radët qenë zhvendosur nga Morea në shek. XVI, saktësisht nga Koroni, pas një garancie që u dha Mbretëria e Napolit fisnikëve koroniatë, të kërcënuar nga asgjësimi, mund të udhëtonin për në Kalabri dhe Pulje. Fisnikërimi i Radave e ka zanafillën në shekullin e XVI. Lindi në Maki, atëbotë nën sundimin e Mbretërisë së Dy Siçilive (sot provinca e Kozencës, Itali) i biri i Mikele Rada dhe Brailes. Në prill të 1822-shit hyn në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitre Koronës, ku i ati ishte profesor i greqishtes dhe i latinishtes. Më 1827 përjeton një periudhë kritike, duke dashur të hynte murg. Përfundoi shkollën në Shën Adrianit më 1833. Më 1 dhjetor 1834 nisi studimet për letërsi në Universitetin e Napolit, italisht në shkollën e Markez Puotit. Mësoi frëngjisht. Verën e 1836 fitoi një Lurea Franca për letërsi në Universitetin e Napolit. Në tetor të 1836 largohet nga Napoli, ku kishte rënë kolera, dhe kthehet në vendlindje. Më 21 qershor të 1837, pasi u bë pjesë e një grupi revolucionarësh të fshehtë të udhëhequr nga Pasquale Rossi – tek i cili ishte mik në Tessano, vihet në krye të një grupi prej dhjetë kalabrezësh, të cilët shkojnë në një takim grupesh komplotiste për një kryengritje në Kozencë, të planifikuar për ditën e nesërme. Por paraqitet vetëm një grup arbëreshësh kalabrez dhe kryengritja dështon. Një numri komplotistësh u pritet koka; nga gushti deri në dhjetor të atij viti jetoi në gjysmë ilegalitet. Nëntorin e 1838-s kthehet në Napoli. Gushtin e 1840-s, pas një viti të trazuar të vëllezërve, i dyshuar për veprimtari ilegale, arrestohet dhe burgoset në Santa Maria Apparente; lirohet një muaj më vonë për mungesë provash. Më 1 nëntor 1840 me rekomandim nga Cesare Marini u pajtua si mësues privat në familjen e Kavaljer Nicola Spiriti. Më 8 dhjetor 1840 preket nga tuberkulozi me hemoptizi. Më 1841-1842 janë vitet më të lumtura të jetës së tij, i dashuruar me Gabriela Spiriti, bijë në familjen ku u pajtua. I zhgënjyer nga lëvizjet revolucionare, refuzon më 1844-n ftesën e Komitetit Kushtetues në Napoli për të kryesuar revolucionin kalabrez që do të përfundonte në dështim.

Pranverën e 1847 prishet me Gabrielën. Pas një viti më 25 janar 1848 mori pjesë në një demonstratë për kushtetutën dhe luan rol në politikën e kohës, kur takon edhe Demetrio Lecca (Dhimitër Leka) të cilit i kushtoi “Milosao A”. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës, pas dështimit të revolucionit. Më 1848-n e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer, shtator-tetorin e atij viti kthehet në vendlindje, i vendosur për të mos u përzier më me politikë. Më 1849 emërohet profesor i arbërishtes në kolegjin e Shën Adrianit, mbajtës i katedrës së letërsisë krahasuese të themeluar për të. Më 1851 shkarkohet nga katedra për shkak të veprimtarisë së tij kundër Burbonëve. Më 1868 emërohet drejtor i gjimnazit komunal në Corigliano Calabro, prej ku dha dorëheqjen më 1873-shin. Më 1891 u riemërua në katedrën e arbërishtes në Shën Adrian. Më 1893 ndodhi shpërngulja e katedrës në Shën Mitër. Më 1896 organizoi Kongresin e Parë të Arbërishtes në Corigliano Calabro. Më 1897 merr pjesë në kongresin e dytë të gjuhës shqipe në Lungro. Më 1900 falë De Gubernati dhe së bashku me Giuseppe Schiròin themeloi katedrën e arbërishtes në Institutin Oriental në Napoli, ku për zhgënjimin e thellë të tij nuk iu dha vendi i profesorit të arbërishtes. Ndërroi jetë më 28 shkurt 1903 në Maki.