Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu: Udhëtim në luginën e verdhë

SOT

Sot, në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare,
shpall para jush të vërtetat e shpirtit tim:
Pasi kapërceva lumenj, detra, male
kuptova mirë çdo të thotë triumf e dështim.
Sot, kur ndjehem i zhveshur si lisi në bjeshkë;
ku krihet e hirtë një re e pikëlluar,
ku grinden e ndërzehen erërat në vjeshtë;
ku gjak kaltëror rrjedh mbi peisazhin e cunguar.

NOA

Sot, kur nga duart e mia të mpira breron shi,
kur rrëke dhimbjesh shkasin gjetheve të rëna,
kur qajnë, kur qeshin, kur puthen në thellësi,
dhe shuhen në guaskën e vetmisë balada dhe ëndrra.
Sot, në moshën gjashtëdhjet e trevjeçare,
shpall para jush agjërimin tim të madh,
S’krraurriva si korb,
s’u bëra manar,
po shirave të verdhë pak kuptim u dhashë.

Sot, në moshën gjashtëdhjet e trevjeçare,
kur jam edhe s’jam i gatshëm për qefin,
Ty, që më përgjove pas kuintave e gardheve,
në ta fal unë, s’ta falin shirat e shpirtit tim.
Sot, në moshën gjashtëdhjet e trevjeçare
me fasho drite e errësire mbështjellë,
shpall para jush të vërtetën e madhe:
Asgjë… Asgjë s’më rrjedh në trup pa më përqethur thellë.

SHTEGU I ARTË

Më kot i kthej unë sytë mbi shtegun mbetur shkret,
mos shoh një rreze drite, një trëndafil kërmëz.

Këtej e nisi rrugën, mbi shteg e vuri këmbën.
Këtu e la tek unë a pas e mori ëndrrën.

Sa zogj e prekën shtegun, sa drerë qanë aty,
po mua më ka zënë, do mbaj shtegun në sy.

Mbi të fërshëllen era, tufani shfryn si ujk,
po unë rri e pres, i heshtur mbledhur shuk.

Gjithë natën gjer sa zbardh, gjithë ditën gjersa ngryset,
aty numëroj yjet, aty numëroj sythet.

Mbi shteg e pres pranverën, si hyn edhe si del,
mbi shteg shoh jargavanin, si zhvishet e si çel,

Më ëndërrtar i flaktë a gjendet vallë në botë,
Që prêt te shteg’ i artë e prej atij nuk lot?

Më kot i kthej unë sytë mbi shtegun mbetur shkret,
Gjithmonë si shkabë mali dhe asnjëherë si shterg.

BREGU I BRENGËS

M’u thërmua breg i brengës,
Po durimi nuk m’u sos.
Në kafaz
Tërbim i zemrës
Pikëllimin ma rropos.

Në rrëpirën shkëmb e gurë
Qielli im loton i kaltër.
Pse kjo xhungël-
Katrahurë
Mbeti tempulli i varfër?

Edhe pse plot ajër e diell,
Heq gërmuqur sa më s’ka.
M’u thërmua breg i brengës,
Krahërori keq m’u ça…

* * *

“Vetëm në varrezë gjen prehje udhëtari”,
Vetëm në varrezë… Po ku tjetër?
E ka thënë me mendje ari,
Ndjesë pastë, i urti i vjetër!