Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu: Më pëlqen dashuria

Më pëlqen dashuria që më deh si vera;

që më bën të qesh, kur duhet të qaj;

Sigal

që më bën të fluturoj lakuriq si era.

Që më bën të shkumëzoj si jasemin i bardhë.

Më pëlqen dashuria që m’i lbyr sytë;

që prushin dhe akullin ma përzien përbrenda,

që zërin dhe ajrin ma dridh e ma ndrydh; që gjakun e nxehtë ma rreh në tëmbtha.

Më pëlqen dashuria që s’e përfill dimrin. Më pëlqen dashuria që e sfidon verën,

që e erëmon dhe të vyshkur trëndafilin; që e erëmon dhe të tharë luleshqerrën.

***

Kam një mendim që shpesh e kruaj.

Kam një mendim që s’jua kam thënë:

“Zot, pse i bëre kuajt

të dashurojnë e flenë në këmbë?!

***

Më jep një buzëqeshje ta marr me vete, Mbase më bie rruga në të tjera planete. Mbase më bie rruga të shkel dhe në hënë! Atje buzëqeshja, mbase më bëhet këngë. Më jep një buzëqeshje si trëndafil të bardhë,

t’i marr pak erë, kur të mbushem me mall.

 

Homeri

Mbi një muzg shkon shaluar

Homeri i lashtësisë.

“Iliadën” e mban ndër duar,

“Odisenë” mbi kurriz.

Preku mjekrën

edhe tha:

“Fati është si unë i verbër.

Dhelpra lindi në Itakë,

qyqja në Trojën e vjetër.

Kal’ i drunjtë nuk është zhdukur;

rri i strukur në çdo skutë.

Hapni sytë,

një ditë të bukur

dheun prapë do ta tund”.

Pastaj shkon mbi muzg shaluar

sipër maleve me borë.

“Iliadën” e mban në duar,

s’e lëshoka plak i gjorë!