Suplementi Pena Shqiptare/ Izet S. Çulli: Njeriu i punëve të ndershme

1204
Ka dalë në qarkullim libri “Qemal Isa Koxhaj”, shkruar nga Ilmi S. Qazimi, që botohet në nderim të inxhinierit gjeolog për naftën,  i cili u nda nga jeta para një viti. I ndërtuar në skemën e një monografie, libri  jep detaje, por më shumë në të spikat përshkrimi i sinqertë i një jete  të   ngjeshur me aktivitet të dobishëm  shtetëror, shoqëror dhe shkencor të Qemal Koxhajt, lindur  në Greshicë të Mallakastrës  më 30 janar 1940. Njeriu i dy diplomave profesionale të përfituara me studime sistematike, e para, si politeknik i mesëm (gjeolog, topograf, hidroteknik) dhe e dyta si inxhinier gjeolog për shpim-shfrytëzim e prodhim nafte e gazi, punoi 35 vjet rresht në   16 detyra në profilin e vet si inxhinier në sektorin e naftës. Një nga të veçantat e këtij  drejtuesi të palodhur të sektorit të naftës në Ballsh, siç mësojmë nga libri, ishte  se nuk iu nda edhe punës shkencore. Ai përpunoi e referoi  nëntë tema shkencore, një pjesë  e të të cilave gjetën zbatim  edhe në praktikën e naftë-nxjerrjes  dhe shfrytëzimit sa më racional e aspak barbar të rezervave të  arit të zi. Po ashtu një ndihmesë të posaçme,  ai ka dhënë edhe në ndërtimin  digës së hidrocentralit të Shkopetit, ku punoi si teknik gjeolog, por në detyrën e inxhinierit, sepse kish mbaruar shkëlqyer shkollën e mesme dhe atëherë kuadrot e larta shqiptare ishin  shumë të pakët. Ai ka derdhur djersë, drejtoi punime dhe dha përvojën e tij të vyer në  shtatë   rrethe të Shqipërisë: Dibër, Sarandë, Fier, Mallakastër, Lushnjë, Tiranë, Mat duke hedhur kudo hapa të sigurt e duke lënë gjurmë  e mbresa të pashlyeshme. Për shumë vite ka kryer  detyrat shoqërore,kryetar këshilli popullor i lagjes” 5 Shkurti”,anëtar i komitetit ekzekutiv të qytetit të Ballshit, mësues matematike në shkollën e mesme të Ballshit për një periudhë  të shkurtër dhe së fundi anëtar i kryesisë së shoqatës “Mallakastra”, dega Tiranë. Në libër jepen informacione të shumta për pasurinë tjetër jo të vogël që ai ka lënë me shkrim, siç janë shkrime historike, letrare, pamflete, letra, refleksione, përjetime njerëzore e shoqërore etj. Qemal Koxhaj nuk ishte vetëm një inxhinier me vizion të qartë e me kulturë të gjerë, po edhe bashkëshort, prind e gjysh shembullor… Autori ka gërshetuar më së miri  faktet, të dhënat dokumentare e fotografike me thëniet e shumë prej atyre që e kanë njohur e punuar bashkë me të, si dhe karakterin  e fortë të inxhinierit të talentuar, i cili nuk u përkul para asnjë lloj vështirësie e pengese. Po ashtu me besnikëri, autori i librit ka përshkruar edhe anën tjetër të Qemalit, aktivist shoqëror, njeri i drejtësisë dhe harmonisë, ndershmërisë dhe  dashurisë, duke hyrë kështu në fondin e vlerave që duhet të ruhen për vijimësinë e brezave të ardhshëm të atdheut tonë.
Sigal