Makina rrokulliset kurrizit të malit, veshur me hijen e qiellit. Rruga kërcet. Shoferi ndërron orë e çast marshet. – Të mos qenë të katra gomat aktive, zor se mbërrinim, – thotë i mërzitur.
Heisi pothuaj nuk e dëgjon. Si kalorësi që i lëshon frerin kalit, këmbët e çojnë përpara shtëpisë së vjetër. Mezi e njeh. I duket më e vogël, e mpakur, e tkurrur… Prag dita ndalon, ndërpret frymëmarrjen. Heshtja fryhet, trashet. Koha kthehet mbrapsht. Përmes gjelbërimit dërguar me plisa e baltë, si në rënie të ngadaltë shfaqet fëmijëria zhytur në bukuri dhe trishtim. Arra e vjetër, tani vjetruar edhe më, e shpërfill hapur. Mbi trungun e pjerrët, mijëra herë pati qëruar frutat e pabëra me gishtërinjtë e nxirë prej çaçanikut. Fërkon lëvoren e trashë të çarë gjithandej. Duart i dridhen. “ Sa qenke plakur!”, – mërmërit. Diçka e ujshme i ngjitet nëpër trup, e pengon të marrë frymë. Një palë sy bojë gruri shfaqen papritur, vërtiten rreth trungut. Stërmundohet t’i kapë, ata i largohen. Kur kujton se i ka pranë, regëtijnë në vend tjetër. Trungu beter i gjerë i fsheh me hijen e vet të përjetshme. “ – Paske ardhur?” – zëri vjen si jehonë e zbehur nga largësia. Hap sytë, kthen kokën nga të katër anët. “ – U vonove shumë…” Tingulli del nga zgavra e nxirë në fund të trungut. Një lëng i zi katran kullon me zhurmë monotone. Tak… tak… tak… “- Afrohu! Sa më ka marrë malli!”- i lutet.“ – S’më lë dielli, – psherëtin vajza e ngarkuar me pikëllim, – dhjetë vjet që më largon…” Dhimbja rritet, mahiset. Barra e kujtimeve bëhet e rëndë… Mezi shtyn këmbët. Porta e vjetër sa s’thuhet me fjalë e pret si gojë e hapur. Dhoma e thjeshtë ku lëshoi të qarat e para, shtëpia e rinisë, e ëndrrave përvëluese e shikon me miqësinë që me kohë ka zënë e ftohet. Shkallët, dy dhomat e sipërme, parmakët e ballkonit, korridoret, dheu i ngjeshur… Nuk janë fryt i imagjinatës. S’ka se si. Diçka reale qëndron pezull njëlloj si vite më parë. Çdo gjë kaq e lashtë dhe e afërt njëherësh. Ndien aromën e prindërve, të njelmët, të dashur e të pangjashme me asnjë tjetër. Tataja mbledh flokët e dendur ngjyrë floriri, lidh shaminë mënjanë, përvesh mëngët. Në fytyrën bardhoshe ndrisin bula djerse. Lëviz me mashë saçin e rrjepur vende-vende, i hedh prush nga zjarri i oxhakut. Kacia copë-copë mezi mban nja dy thëngjij. Përmes oxhakut, në çengelin e zi e të rëndë, rri varur kusia e nxirë nga përdorimi i gjatë. “Kusia e xha Demes, – thotë ajo, – e Korçës ishte më e madhe, ia dhashë çupës në Tiranë. Ç’e do, e hodhi dosa!”. Xhaxhai vjen rrugës së pusit, nga ana e sipërme e shtëpisë. I bie shkurt. I drejtë, i thatë e i mprehtë, thua ka më shumë kocka se mish! Hapi i shkathët prej djalë të ri. Kali prin përpara i djersitur, qimet e vitheve kullojnë. Mbi stivën e druve, një deng bari me lule të verdha prej Serdillëkut ndrin nga pastërtia. Në mes të lëmit ndalojnë të dy. “ – Selo, moj!” – gjëmon zëri i njohur.
Tataja del me të shpejtë, rregullon në ecje e sipër shaminë rrëzuar mbi vetull. Në fytyrë i rrëzëllen ajo nënqeshja e butë që ia gropëzon faqet. Sytë kaltëroshë i vërvit dinakërisht mbi profilin burrëror. Mban anën e druve. Zgjidhin litarët, barra rrëzohet me zhurmë të thatë.
“ – Ku është djali? “ – Ja, dëgjoje!”. Ai i ka futur pipëzën glyrës së arrës, buçet me të madhe. Në ajrin e kristaltë të mbrëmjes tingujt fluturojnë si në balada. Burri qesh ngadalë nën zë. “ – Thuaji të vijë!” – Po tani ku jeni, të dashurit e mi? Mos vallë të lodhur nga tërë ato punë, preheni këtej rrotull? Kthen kokën, mban vesh. Dëgjon zhurmën e sëpatës, që çan dru, fëshfëritjen e përbaltur të fustanit nëpër kopshtin e vaditur… Tataja përkulet, këput misra të butë. “ – Vëri në prush të përcëllohen!” – i hedh sytë kalimthi, thua e ka pranë çdo ditë. I mbetet hatri, kërkon t’i afrohet ta përqafojë. Seç e pengon, një si perde e qelqtë, e rëndë… Mblidhet nga e keqja. Hidhërimi e mposht. – Khë, khë… Zëri i ngjirur e sjell në vete. “- Nga duhani”, – i kujtohet në çast. Turpërohet, nxjerr fshehurazi shaminë të fshijë lotët. I ati as e ka mendjen, i përcjell vështrimin e atëhershëm sikur sapo janë ndarë. Ulet në stolin para portës, zgjat këmbët, mbështet kurrizin pas murit. I lodhur. Ka pasur ditë të ngarkuar. Heq kapelën, kruan kokën për forcë zakoni, e ngjesh përsëri. Nxjerr takëmet e duhanit, dredh cigaren. Me një të goditur ndez eshkën. Era e gërxhallit i shpon hundët. Vë duart përpara gojës, kollitet mbytur. Atij nuk i shpëton asgjë. “ – Ama burrë i thua vetes!” – qesh me shpirt. Tingëllimat e zërit gazmor zgjaten e zgjaten… Mbrëmja e verës venitet ngadalë, rruga malore spërdridhet dhe lahet në dritën e mjerimit të vet. Kujtimet e Heis Brianit lundrojnë në erë si betim…






















