GUATAN TAVARA
QË TË JESH PEMË
Që të jesh pemë,
duhet të mësosh se si të bëhesh hije,
të paktën një herë.
Që të jesh pemë,
duhet të kesh një jetë që rrjedh brenda teje
e të jesh i përzier me ngjyrat e botëve,
që gjallojnë diku tjetër.
Që të jesh pemë,
duhet të dish si të bëhesh gjethe dhe rrënjë,
të sfdiosh erën, të fshihesh brenda tokës.
Të dish të rritesh rreth rrathëve koncentrikë të kujtesës,
si një shënjë kohërash, që ndjekin jetën nga pas.
Që të jesh pemë,
që të jesh vërtet pemë,
duhet të dish të zgjatesh drejt qiellit,
dhe të dish të flasësh vetëm për vetëm me hënën,
të dish të shihesh në pasqyrën e një fjordi,
dhe të ndjekësh rrjedhjen e jetës përgjatë një lumi,
si një seri historish që duhen treguar pa i ndërprerë…
TASOS LIVADHITIS
EPILOG
Gjatë natës kam gjetur një mënyrë për të fjetur:
i fal të gjithë. Një nga një.
Herë të tjera dëshiroj të shpëtoj njerëzimin,
po ai s’pranon;
i ka humbur besimi.
Sonte nxitoj të vë mënjanë gjithë harresën
për t’u kujtuar që në vend të saj
të vendos një lule të vogël,
anemonë.
Zot, kam mëkatuar ndaj teje,
kam mëkatuar shumë,
se duke ëndërruar këtë lule ere
harrova të jetoj.
Dhe vetëm nganjëherë, me një sekret të vogël
të zbuluar që në fëmini,
kthehesha nga ëndërra në jetë përsëri.
Veç, askush s’më afrohej,
se askujt s’i besohej që isha unë,
që isha si jam dhe sot,
si jam dhe tani,
gjithmonë i njëjti,
gjithmonë po ai.
MARINA DE LUCA
NËNAT E ANËVE TONA…
…kanë vullkane në zemër,
fëmijë në mitër,
ëndërra të thyera.
Nënat e anëve tona,
madhështore,
të pafjala,
të ditura e
plot urtësi,
presin e shpresojnë
me sy të larë nga lotët,
lodhur nga dhimbja,
veç heshtur si malet.
Nënat tona
vela në erë,
çajnë dete
e kthehen prej çdo stuhie
në copa kaltërsie.
Janë gra me prush në sy.
Jetën
e kanë të gjithën
etje për liri.





















