Troket një natë, kur bie muzgu!
Troket pas saj edhe një ëndërr.
Troket një yll në portën tënde.
Troket një zemër tek një zemër…
Troket dhe hëna pas një kreshte,
dhe pak nga pak fillon e del.
Troket në portën e pranverës;
një degë qershie që po çel…
Troket çdo vit Shën Valentini;
kjo ditë e bukur dhe e shenjtë.
Trokasin djemtë në zemra vajzash,
dhe vajzat nëpër zemra djemsh…
Troket një vjeshtë dhe bien gjethe,
ca taka shkelin përmbi të.
Trokasin foshnjat që do lindin,
trokasin dasmat, një nga një…
Troket një natë, kur bie muzgu;
një natë e bukur dhe me ëndrra.
Trokasim gotat ne të dy,
troket një mall i ngrohtë në zemra…