S’jam inxhinier apo mësues,
nuk jam fermer të korr tërfil.
Kam një diplomë që bëj karrierë!
Jam diplomuar për servil.
Nuk jam as agronom për fusha.
Unë i kam ëndrrat të mëdha;
jam doktor shkencash si servil.
Ky profesion më dha gjithçka.
Nëse shikoni udhën time;
Gjithë ç’kam arritur s’është sekret.
Duke lëpirë dorën e shefit,
kam ngjitur shkallët në pushtet.
E ardhmja ime është e sigurt:
paraja, puna dhe karriera,
sepse diploma e servilit
është shkencë përmbi shkencat e tjera.
Unë e njoh artin e përuljes,
sepse e praktikoj gjithmonë,
Disa më quajnë zvarranik,
po punë e madhe se çfarë thonë.
Sot ka me qindra të papunë,
me grada, tituj në seri,
po s’njohe artin e servilit,
S’i plas askujt se kush je ti.
Shikoni në administratë,
gjithë punët ne i kemi kapur,
se raca jonë, racë e servilëve,
Kudo e ka derën të hapur.
S’jam inxhinier apo mësues!
Nuk jam fermer të korr tërfil.
Kam një diplomë që bëj karrierë,
Jam diplomuar për servil.




















