Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferi: Dëshirë

Këtu s’do rri se u mërzita,
sepse të gjithë flasin me vete.
Do shkoj diku të bëhem pemë,
do shkoj diku të bëhem gjethe.

Do shkoj në det të bëhem dallgë,
kur nata gjoksin mbush me yje.
Do shkoj diku të bëhem këngë,
të rend pas zogjve në korije.

Sigal

Do fle një natë diku mbi bar,
do bëj ato që më thotë zemra.
Do vendos hënën si jastëk,
do humbas natën nëpër ëndrra.

Do shkoj në fushat e Atdheut,
do bëhem erë nëpër burbuqe.
Të mbushen fushat me tërfil,
të mbushen fushat me lulëkuqe.

Do shkoj diku në një bregore,
të shoh magjitë në këtë maj.
Të bëhem vesë nëpër mëngjese,
të rri mbi flokun e asaj.

Këtu s’do rri se u mërzita,
sepse të gjithë flasin me vete.
Do shkoj diku të bëhem pemë,
do shkoj diku të bëhem gjethe.

 

Larg…

Do të iki larg në male,
nën një bredh a nën një lis,
të më dehë era e luleve,
dhe jo era e rakisë.

Do të ngjitem m’u në krye,
të shoh zogjtë kur çajnë reve,
larg nga shpifjet, nga intrigat,
larg nga tymi i kafeneve.

Do të rri në malet tona,
larg nga djajtë që bëjnë shenjtorët,
larg nga gjithë politikanët,
larg nga “profesorë-doktorët”.

Do të shkoj të rri i vetëm,
ku rrjedh uji nëpër male,
pa fytyra hipokrite,
pa “Big Brother” dhe pa lajme.

Larg nga zhurma e partive,
atje, në malet e larta,
të dëgjoj zërat e zogjve,
larg nga fytyrat me maska.

Do të iki lart në male,
nën një bredh a nën një lis,
të më dehë era e luleve
dhe jo era e rakisë.