-skicë, ngjarje e jetuar-
Ka qenë muaj fushate elektorale për zgjedhjet lokale. Agjitatorët, të ngarkuarit si aktivistë nëpër lagje bëjnë punën e tyre me dhe pa pagesë që të thithin sa më shumë vota. Te Ruzhdiu, klubisti i njohur i lagjes sonë tashmë prej afër 25 vjetësh, një mëngjes kishte vajtur Selmani:” Sot kemi një takim me popullin. Kam nja njëzet vetë, a mundesh që të na lejosh një pjesë të lokalit për rreth një orë?”-kërkoi ai. Ruzhdiu, shpirt njeriu, iu përgjigj:” -Për partinë’ time’ demokratike unë jap tërë klubin , jo vetëm disa tavolina e karrige! Kur të doni e si të doni, mua këtu më keni!” E lanë për në orën 19.
Pak më vonë, në klub, Ruzhdiut i vjen një vajzë e re. Ajo pasi përshëndet prezantohet, duke kaluar drejt e në temë:” Quhem Desida. Jemi të Partisë së Lirisë. Ju lutemi na ndihmoni që të bëjmë një takim sot pasdite në orën 19 këtu tek ju. Nuk jemi shumë, rreth 12 vetë!” Ruzhdiu me një buzagazje shumë të ëmbël i thotë: “Megjithëse unë jam plotësisht i depolitizuar, për ju po e bëj një përjashtim. Sepse tek e fundit, jam vetëm në shërbim të komunitetit për çdo rast e hall, qoftë për mirë, apo qoftë për keq. Lokalin e kini në dispozicion! E ngarkuara me këtë aktivitet u largua e kënaqur. Por ama Ruzhdiu nuk ia tha se kishte ‘prenotuar’ sallën edhe ai i partisë demokratike. Klubisti modest në punë e në fitime, po mendonte ku dhe si t’a menaxhonte sasinë e karrigeve dhe tavolinave që ‘dy partitë’ të punonin sa më rehat.
Mirëpo, kur vjen e mira, hapi derën! Në orën 12 vjen Elpiniqia, që e thërresin Niqi. E njeh tërë lagjja. Kot nuk i thonë “nona e të gjithave”. Me humorin e saj të veçantë, me fjalët e zgjedhura dhe me zërin plot tingëllimë ajo i drejtohet Ruzhdiut me një batutë mashkullore. Ruzhdiu, domosdo nis të qeshë dhe të shtyjë bisedën më tej. Niqi del në temë:” Sot pasdite kemi një takim me disa shokë e shoqe të partisë. Na siguro sallën dhe ato pijet e gjërat e tjera i bisedojmë bashkë pastaj. Me një qeshje të tij karakteristike, Ruzhdiu ia ktheu Niqit: “Si urdhëron zonja shefe!- dhe vazhdoi me një tjetër hundëqeshje :” Po ju e dini se unë jam i depolitizuar dhe u rri larg partive?” Niqi e vështroi se mos e pati seriozisht dhe kur u sigurua, i shkeli syrin dhe çapiti tutje rrugës. Kësisoj tri partitë u mblodhën në një lokal me dy salla, një e madhe ku lejohej edhe duhani me dy hyrje prej xhami në të dy anët dhe një pak më e vogël me derë druri. Ruzhdiu, me që ishte rast i rrallë,dhe për t’i prerë udhën çdo të papriture, mendoi që sallën më të madhe ta ndante në dy pjesë. I vendosi një perde në mes.”Hallexhiut i punon mendja për më të mirën, kurse atij që i varen këmbët mbi kalë i punon mendja vetëm për gjëra të liga, për pasuri e qejf!? Sajova një perde që nga ana ku ishin ata të partisë demokratike të qe me ngjyrë blu dhe ana tjetër të ishte ngjyrë rozë për ata të socialistes.Vura re se ky sfond u pëlqye jo vetëm nga ata të lagjes, por edhe nga të deleguarit”, -rrëfen Ruzhdiu.
Filluan punimet e tyre të tri palët dhe Ruzhdiu, veç punonjësit të përditshëm mori edhe një mbesë, veshi edhe vetë xhaketën e kamerierit. Shërbimet u kryen më së miri. Të gjithë mbetën të kënaqur nga cilësia, shpejtësia dhe gatishmëria në plotësimin e kërkesave të klientëve ‘partiakë’.Aty nga ora tetë e gjysmë-nëntë të mbrëmjes, kur po delnin në trotuarin e gjerë ata njohën njeri-tjetrin dhe panë se kishin qenë tri partitë në një strofkë. Niqi, paksa e nxehur, ngriti zërin:” Po pse je kaq i keq more Ruzhdi!? Si guxove që na fute të gjithëve në lokal, kur ti e di se ne jemi kundërshtarë?” Zonja shefe, – foli Ruzhdiu, duke marrë frymë me vështirësi. E para, unë ju falënderoj që më bëtë nder të madh me pjesëmarrjen tuaj. Kjo është reklama më e mirë për klubin tim deri më sot. E dyta, unë ruaj traditën e kohës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, që siç më tregonte babai, në katin e parë bënin mbledhje ballistët me armë dhe në katin e dytë partizanët e armatosur. E treta, me këtë punë unë mbaj familjen dhe rrallë mund të ndodhë që të bëj kaq shumë xhiro sa më kini bërë juve. Ju faleminderit të gjithëve. Mirëse të na vini përsëri e përsëri.!” Edhe sot e kësaj dite tri partitë e lagjes i bëjnë takimet te klubi i Ruzhdiut, sepse, thonë ata, “Ruzhdiu është tërësisht i depolitizuar”!






















