Suplementi Pena Shqiptare/ Historitë e dashurisë së shkrimtarëve më të famshëm shqiptarë

740
Petro Marko & Safo
Jo vetëm jeta e Petro Markos, por edhe historia e dashurisë së tij me Safon Çelon është e denjë për një vepër. Një histori e nisur në oborrin e Hotel Dajtit, kur shumë të rinj u vendosën në Tiranë pas Luftës. Ai, një gazetar që punonte në gazetën “Bashkimi”, ndërsa ajo një bukuroshe e pasionuar pas pikturës. Intelektualit që kishte njohur që herët moden dhe shijet evropiane nuk kish si të mos i tërhiqte vëmendjen vajza simpatike e veshur me pantallona si vajzat e Grenoblit kur shkonin për ski. Një vështrim që zgjati vetëm pak sekonda dhe karakteri i fortë i poetit që duroi luftën dhe burgjet fashiste është thyer nga bukuria. Më pas fati do të bënte që Safo të ishte kolege me Petron dhe dita e parë e punës do të ishte dhe dita jozyrtare e martesës së tyre. Vetëm një dialog i shkurtër ku ai e pyet, nëse ajo është dashuruar dhe pas pëgjigjes negative Petro Marko i thotë se “Ti do të bëhesh gruaja ime”. Kështu lindi historia mes shkrimtarit dhe piktores Safo. Një Dashuri që do të kurorezohej me dy fëmijë Jamarbërin dhe Arianitën. Një dashuri me shikim të parë që do ti rezistonte edhe furtunave të tjera që kaloi jeta e Petro Markos. Në vitet e burgu gjatë diktaturës kujtimi për Safon do të mbante gjallë, shkrimtarin. Kjo duket në letrat që Marko i dërgonte nga qelitë. Asnjë fjalë për vuajtjen, asnjëherë nuk përmendet fjala, torturë apo gardian. Të gjitha letrat janë një himn që Petro Marko i këndonte gruas së tij.

Ismail Kadare – Helena
Dashuria me një shkrimtar të madh, duhet të jetë dashuri e madhe. Dhe Ismail Kadare me Helena Kadarenë, nuk e kanë prishur rregullin. As me faktin që kontakti i parë mes tyre nisi nga një letër që vajza adoleshente nga Elbasani ia dërgonte studentit në Moskë afro 50 vjet më parë, për t’i lexuar një tregim të saj në gazetën “Zëri i Rinisë”. As kur ai e takoi për herë të parë dhe ajo shtangu me të folurën snobe që Ismaili tregoi në sy të një kushëriri. As kur i shkoi në konvikt në Qytetin ‘Studenti’ dhe nxori një brisk e ashtu pa folur e papandehur i preu një pjesë të gërshetit dhe veprimin-habi e shoqëroi me fjalët “e dua për kujtim”. As kur i shkoi në shtëpinë e prindërve në Elbasan dhe të gjithë kujtuan se do i kërkonte dorën, ndërsa ai vetëm fjeti gjumë atje pa e hapur fare muhabetin e shumëpritur. As kur një ditë të bukur i dërguan familjeve nga një telegram, ku njoftonin se ishin fejuar, një veprim-çudi i asaj kohe, e as kur bënë ceremoninë e dasmës me kushtin që të gjithë të ftuarit të mos ishin me bashkëshortët. Shumë varën buzët nga ky kusht, por beqarët u kënaqën pa masë. Mes tyre ishin edhe Dritëro dhe Sadija, dy miqtë e vjetër të çiftit Kadare që u njohën pikërisht në atë dasmë të kolegut dhe mikut të tyre. Çifti ishte nga më interesantët. Ajo një bionde e bukur rrezëllitëse, ai një shkrimtar race gjithnjë në rritje. Të dy te një ere që frynte në Shqipërinë e viteve ‘60. Pak erë Moske, pak erë Perendimi dhe me shumice erë dashurie. Të një dashurie të papërsëritshme. Me të bukurat dhe të papriturat e saj. Me tallazet dhe emocionet plot ndjenjë. Për të vërtetuar përherë edhe tashmë që mosha po ecën drejt pleqërisë, duket se dashuria e tyre është një dashuri e madhe.
Lasgush Poradeci – Nafija
Historia e tyre e dashurisë është po aq e bukur sa lirikat e tij. Poeti i dashurisë e njohu Nafijen, atëhërë kur po shkruante gjithnjë e më pak, pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria po zvogëlohej gjithnjë e më shumë nga izolimi e nga pamundësitë për të udhëtuar në botë. Njohja e tyre është bërë shumë vonë publike nga botimi që bënë vajzat e tyre, të letërkëmbimit të çiftit të viteve ’40. Kështu nga to, del që Nafija dhe Lasgushi për herë të parë takohen në shkollën e vizatimit, në Tiranë, në vitin 1937. Një grup poeteshash të shkollës “Nëna Mbretëreshë” vizitojnë një ekspozitë, aty ku Lasgushi jepte mësime vizatimi. Para këtij takimi ai kishte lexuar poezitë e Nafijes. Drejtori i shkollës i prezantoi. Ja çfarë do t’i shkruante së ëmës Llazari, zonjës Kostandina Gusho, për vajzën që do të bëhej gruaja e jetës: Nena ime e dashur, duke dashur të martohem me një çupë pe shkolle që më ka hije, kërkoj lejen tënde, është një lesh-verdhë e hollë, ashtu siç më pëlqen mua, por më shumë se këto më pëlqen mendja dhe shpirti i saj. Une me çupën jam njohur përpara dy vjeteve kur ajo ishte nxënëse në klasen e tetë… U fejuan dhe në qershor të vitit 1939, vumë kurorë civile në Bashkinë e Durrësit. Lindja e dy vajzave e lumturuan çiftin. “Ime më e ka adhuruar tim ate”, tregon vajza e tyre. Bashkëshortja e poetit vdes në Pogradec, në 3 gusht 1983, pese vjet para tij. Ai është zgjuar i tmerruar tek ka parë se e shoqja po jepte shpirt. Ishin të dy në një shtrat. Kur trupi u nda nga shpirti, ai, poeti i madh, nuk reshtte së puthuri këmbet e duart të së shoqes.
Dhimitër – Mynever Shuteriqi
Ata nuk ndaheshin kurrë nga njëri-tjetri. Nëse do shikoje Dhimitrin, duhet të ktheje kokën përqark për të “gjetur” Myneverin. Tani që ai s’është më, ajo e ka gjetur një mënyrë që të jetojë sërish me të. Me kujtimet e tij, me librat dhe fjalët e lëna në ditar, fotografitë e vendosura në çdo cep të shtëpisë dhe me dashurinë që e ruan të freskët, ashtu si para 60 e ca viteve. Atëhere kur u njohën ishin të dy shumë të rinj, por po ashtu mbeten edhe shumë vite më pas. Ja çfarë shkruan shkrimtari i njohur për bashkëshorten e tij në ditarin që ka mbajtur më 21 qershor të vitit 2001. “Sot, Myneveri mbushi 77 vjeç. Dhe mua më dukesh po e re! Memoria, humori, gjallëria e saj, po njësoj. Është shëndoshur pak, po jo si njerëzit që trashen e rëndohen me moshën, përkundrazi, i vete. Kur vinte, në rini të saj, dita e lindjes të saj, 21 qershori, – dita e parë e Verës, kjo dite, le të ishin pjekur qershitë e mushmollat e fiqtë shëngjines, i sillte përsëri freskinë e saj të habitshme, veç e përtërin sot, nuk e plak…”. Dashuria e tyre bazohej në miqësinë e tyre të fortë dhe në sakrificë. “Kur isha shumë e re pata një sëmundje shumë të rëndë. Në atë kohë në Shqipëri nuk kishte ilaçe dhe gjendja ekonomike e vendit ishte shumë e rëndë. Për të më ndihmuar mua shiti të gjitha gjërat, madje edhe gjënë më të shtrenjtë që kishte: makinën e shkrimit, që e kishte marrë me vete nga Franca”. Çifti Shuteriqi kanë tre femije, dy vajza dhe një djalë.
Sigal