Po sjell sot përpara jush një pikturë që vazhdon të jetë ndër kujtimet e mia më të bukura, madje të dyfishta, sepse ka për ta treguar piktori i Popullit Nestor Jonuzi edhe në festën e 80 Vjetorit të Lindjes, të pandarë nga shoku i tij dhe yni, Dionis Qirzidhi. Fati nuk e la Dionisin të jetë me ne në shumë festa, por për çudinë e mjekëve, ndonëse ka 15 vite që dergjet në shtrat, zemra e tij e mban fort në jetë, për të na e kujtuar si nisiator buzagaz i veprimtarive artistike e kulturore të suksesshme, shkurt përherë gëzimsjellës. Piktura ka firmën e Nestorit, po ai vetë s’do të ishte aspak kundër për ta quajtur edhe Dionisin si bashkautor. Sepse vepra ka lindur nga shtysa e imagjinatës eferveshente të Dionisit, që e bëri forcën impresionuese të artit të Nestorit të shpërthejë. “ Ka qenë pragmbrëmje e një dite pune intensive, – më ka thënë dikur Nestori. Po përgatiteshim për hapjen e një ekspozite me portrete punëtorësh në fushat e Llakatundit. Dionisi, si iniciator i hapjes së kësaj ekspozite në mjedis të hapur, “atje ku punohej,” “më vuri përpara” për të punuar dhe, krahas të tjerave, u krijua dhe kjo “Natyrë e Qetë”! Mbaje, po ta fal, – më tha ai, – sepse je i vetmi që ke mbetur pa u shkëputur së pikturuari që kur ishim bashkë në “Rrethin e vizatimit të Shtëpise së Pionierit” me profesor Vasil Talon.”
Nuk po e zgjas duke përshkruar emocionet e mia, po s’mund të rri pa treguar historinë e krijimit të veprës, të cilën edhe pse kanë kaluar mbi 40 vite nga koha kur lindi, jam i sigurt që po e riprodhoj me saktësi. Sepse Nestori, ndërsa më fliste, nuk ndahej nga shprehjet plot humor, sidomos kur në qendër kishte Dionisin, të cilin ndonëse e ngacmonte shpesh që të nxehej, e donte dhe e çmonte shumë.
“Kot po lodhemi, ulu të rrimë një çikë se vdiqëm – i tha ai, teksa po ktheheshin mes fushave me grurë për te qendra e pushimit. – Dhe përse? Për një copë Fletë Lavdërimi. Të na jepnin ndonjë medalje, ku ma ke, se mbase nuk do na shohin politikisht me hije, si deri sot…”
“Ta kisha në dorë unë do t’i jepja të gjitha llojet e medaljeve e shpërblimeve, se ke bërë tërë ato portrete e peizazhe të shkëlqyera e mori me të mirë Dionisi. – Megjithatë, si artist, një merak, e kam . Ekspozita ka nevojë për larmi. Bëj dhe një natyrë të qetë me lule dhe ke për ta parë se sa do të kënaqen njerëzit!”
“Tallesh ti apo e ke me gjithë mend?- i erdhi radha Nestorit që të nxehej- Do natyrë të qetë? Mirë, ta bëj unë, po nesër nuk do dalim nëpër fusha. Do punojmë te zyra jote. Lulet do t’i gjesh ti se unë s’di ku t’i kërkoj. “ – vazhdoi ai për ta bërë “mat” Dionisin. Po pse, bëhej “mat” Dionisi?
“Lule? Hidh një sy rreth e rrotull… pak lule ka fusha?” Dhe pa e zgjatur filloi të mblidhte ç’t’i zinte dora aty pranë.
“ S’të kam thënë kot që je i paduruar, – i tha Nestori. – As që mendon se deri nesër ato do të fishken”.
“Pse nesër, pikturën do ta bësh tani!” dha “urdhër” të prerë Dionisi.
“E bëj, e kam pa shaka që e bëj, vetëm më sill një tavolinë të vogël, ku të vemë vazon me lule dhe një telajo të papikturuar, ndryshe ku do të pikturoj?”
Nestori e dinte që Dionisi s’kishte ku t’i gjente mjetet e duhura në atë çast. Qendra ishte larg. Po errej dhe s’kishte kohë për vajtjeardhje. E, megjithatë
“Kollaj fare, – foli pa e zgjatur Dionisi. Vazon për lulet e kemi me vete. Ujë s’ka, po uji nuk ka për t’u dukur në pikturë se vazoja s’është e tejdukshme. As për tavolinë s’është nevoja. E shikon atë gungën e dheut të ngritur atje tej? Ajo do të jetë tavolina “speciale” ku do të vemë vazon”. Dhe qeshi gjithë qejf, ashtu si dinte të qeshte vetëm ai kur fitonte në zënkat me Nestorin.
“Po telajon, e harrove? Ku kemi telajo të papikturuar? Vetëm po të punoj sipër këtij portreti me djalin e vogël.“
Nestori priste që Dionisi t’i hidhej përsipër për ta ndaluar, se portreti ishte i një fëmije që, kur e kishte parë të përfunduar, ai i kishte thënë Nestorit: “Kaq të bukur sa ky, nuk ke për të bërë më tjetër herë!”
Kjo u duk se e frenoi Dionisin. Ndërkaq, ai kishte ulur kokën, gati- gati si për t’u dorëzuar. Po jo!
“ Ja, pikturo mbi këtë kompesaton ku ke përzier ngjyrat gjatë punës“- i tha.
“Ashtu?! Epo na, bëje vetë se ti di të llaqurisësh mbi këto njolla që janë të mëdha e të pathara , – iu vërsul Nestori, duke ia vendosur kompesaton përpara.
“E, po të duash ti, njollat s’i ke problem. Pikturo mbi to, të dalë ç’të dalë! S’ma bëre një herë qejfin!” – i tha pa shpresë. E pikërisht atëhere kur Dionisi nuk e priste, Nestori, që po e mbante akoma kompesaton në duar, e largoi pak nga vetja dhe po e shihte me sy gjysmë të mbyllur, siç bënte shpesh kur niste nga puna. Dionisi e kuptoi që shoku i tij kishte ndërruar mendje, kruajti kokën i gëzuar dhe vajti me vrap për t’i rregulluar “tavolinën” prej dheu, me vazon mbushur me lulet e fushës, përpara se Nestori të pendohej. “ Natyra e Qetë me lule fushe”, që s’mund të quhet e qetë se është shpërthyese, për të mos thënë e fishekzjarrtë, do të kërkonte një analizë të veçantë. Gjithsesi, kushdo që e sheh, merr një goditje të rrallë artistike, sidomos nga kontrastet e ngjyrave blu e të verdha, jeshileve të ftohta e të ngrohta, okrave, që Nestori “ i kishte të tijat”, të kuqes së kursyer, të bardhave të argjendta si dhe lëvizjeve të hijshme të penelit dritësjellës mbi të errëtat e mëdha, që ai i ruajti siç ishin krijuar gjatë punës së një dite. Po sot s’është rasti të zgjatem me këto hollësi. Veç, nuk mund të mos bëj një pyetje, që ndonëse s’është e re, nuk rri dot pa e bërë ngaqë jam i bindur që edhe ju do të jepni po atë përgjigje, që kam dhënë e jap dhe unë: A nuk do ta vendosnit këtë pikturë të realizuar çuditshëm e, ndoshta, nga asnjë artist tjetër, mbi një “paletë-kompesatë”, plot ngjyra të pathara, krahas me një seri veprash, që sipas Mirò-it legjendar, edhe pse mund t’i shohësh vetëm në pak sekonda, të bëjnë të mendohesh për to gjatë gjithë jetës?..