Suplementi pena Shqiptare/ Gentiana Minga: Mjeshtër, është madhështore, por sfilitëse për ju

32
Sigal

– Letër e poetes Gentiana Minga për shkrimtarin Zija Çela. –

Nga Gentiana Minga -Itali-

I dashur Mjeshtër!

Me shumë dashuri kemi lexuar me Tikun lajmin e Çmimit letrar dhe të ribotimit të romanit “Ora e Zooparkut” në Prishtinë. Rastisi me mbërritjen e dy librave, që kisha porositur në një librari të Bolzanos, Antologia me veprat e autorëve italianë e të huaj, që u botua para ca ditësh në Itali, ku unë kam fatin të jem pjesmarrëse me ju, falë dashamirësisë suaj për të ofruar kontributin në mbështetje të IOM. (Insititutit Onkologjik të Marchigiano). Ju falenderoj edhe në emër të organizatorëve, doemos nga ana ime. Libri tjetër është ai me përralla nga Virgjil Muçi, i botuar në Itali me përkthimin përrallor të Dritan Çelës, Tanit siç e thërrisni ju, Çela siç e thërrisnin në fakultet. Po e lexoj me kënaqësi e kam ndër mend ca gjëra të bukura, por druaj t’i them para kohe. Tashti më duhet të ndalem në diçka të veçantë, që të dy me Tikun e menduam si një detyrë të vështirë e delikate. Ju lutemi të na falni nëse çikim një terren, që nuk na përket drejpërdrejt. Ka të bëjë me facebook-un e me trazirat herë të ëmbla, shpesh të lodhshme, në të cilat të hedh kjo botë që e quajnë “kafaz i artë”, xhungël e pamëshirshme. I dashur Zija, ju keni bërë një trimëri të paimagjinueshme, duke krijuar një açaount personal në facebook. Dhe do të mundohem të shpjegohem me pak fjalë. Eshtë e vërtetë që këtë e kanë bërë shumë shkrimtarë, të huaj e shqiptarë. Por shumë pak autorë të nivelit tuaj, për aq sa kam vënë re unë, ndërfuten me kaq dashamirësi e përkushtim në komentet e lexuesve. Dy raste njoh personalisht: shkrimtarin e famshëm kilian Luis Sepulvelda dhe ju. Që të jem më e saktë, Sepulvelda përpiqet t’u kthejë përgjigje jo më shumë se dhjetë komenteve ndër 50, kundrejt përtej 200 përgjigjeve të juaja në 300 komente e 800 klikime. Mjeshtër i dashur, pa dyshim kjo është diçka madhështore, prandaj është theksuar shpesh nga komentuesit. Natyrisht, komunikimi juaj përbën një mundësi të mrekullueshme e kënaqësi për shumëkënd. E kush mund ta imagjononte që shkrimtari i madh Zija Çela (pendarti, siç ju cilësojnë shpesh) të krijonte një faqe personale, ku të postonte rregullisht shkrimet e reflektimet e tij! Po të zhvendosemi në dekada, është si të shohësh Mitrush Kutelin apo Lasgush Poradecin të hyjnë në komunikim të përhershëm me lexuesit, t’u ofrojnë shkrimet letrare, duke i trajtuar sikur të ishin bujtës realë në shtëpinë e tyre. Çfarë respekti i lartë për mysafirët! Sipas meje e Tikut, po të ishte mundësia, ju edhe kafe e cigare do t’u kishit dërguar nga fb mijëra miqve. E për këtë bujari vetëflijuese ju heqim kapelen! Mirëpo ka një problem përbri. Kjo “grackë” e bukur, e këndshme për ndjekësit, për ju është sfilitje e madhe. Aq më tepër që ka vërshim në fb drejt jush. Shpesh, e interesuar për mendimin tuaj kritik, edhe unë joshem që t’u dërgoj diçka nga krijimtaria ime për të ma lexuar. Por fakti që do shpenzoni kohë për leximin, pastaj do të uleni për të më kthyer përgjigje, më stopon menjëherë. Me sa di unë e Tiku, ju po shkruani roman. E si e përballoni shpërndarjen e vëmendjes, Mjeshtër?! Ju po ashtu jeni mësuar të lexoni botime konteporane. E si ia bëni për kohën, Mjeshtër?! Një vit pasi Tan Çela ndërroi jetë, ju keni bërë kirurgji në zemër, ndërkohë që bashkë me moshën edhe sytë vijnë duke rënë. E prapë pyesim, si e duroni tensionin nga brenda dhe presionin nga jashtë, Mjeshtër?… Dua të them që, ndoshta, mund t’i ngushtoni përgjigjet e komenteve. Për mua, t’i evitoni sa më shumë, sepse kjo do të bëhet gjithnjë e më rraskapitëse, do t’ju gllabërojë kohë e energji, teksa priten nga Zija Çela, „Nderi i Kombit“, vepra të reja. Për mua, nga njohjet që kam, ju jeni njëri nga autorët e shquar më me zemër të madhe, me një përkushtim besnik e sublim ndaj miqve virtualë, kudo qofshin në botë. Kush është ai që nuk i gëzohet kësaj mundësie? Më kujtohet çfarë ndodhte kur isha në fakultet. Mundësia e vetme, që kishim për të parë shkrimtarët, ishin librat me një foto të vogël në kopertinën e pasme. Ne kishim fiksuar foton tuaj në librin “Pëllumbat e janarit”, e vetëm më të rrallë ju shihnim tek ecnit i nxituar nëpër rrugët e Tiranës. Kaq na jepej mundësia të shihnim nga shkrimtarët, i dashur Zija. Ju ia keni hapur portën zemrës dhe po i ofroni një rast fatlum lexuesve. Por t’u përgjigjesh mijëra komenteve, siç keni bërë ju deri tashti në profilin tuaj, lipset një fuqi e tejskajme, përveç kohës që rrjedh pa kthim. Ndoshta do të ketë lexues të fb që mendojnë ndryshe. Por jam e bindur se shumica, miqtë e miket që ju ndjekin me adhurim, do të na mirkuptojnë mua dhe Tikun. Madje ca prej tyre s’është çudi t’ju kenë rekomanduar para nesh. Sepse atyre u mjafton Vepra që e ofroni me bollëk, pa kurrfare kufiri. Me ndjesën se do t’ju kem lodhur me këtë letër të gjatë, para se ta mbyll, të dy bashkëshortët kemi një kërkesë për ju. Para disa ditësh, kur provova që letrën ta bëja tag në profilin tuaj, ju më shkruat se nuk dini ta pranoni tagun. Kuptohet, ne vumë buzën në gaz. Por tashmë, duke jua dërguar në postën elektronike, mos thoni “nuk di”, ju e keni të mundur publikimin. Dhe kjo është lutja jonë.