Ngrehu more popull ngrehu,
Derisa shpirti të dhemb,
Tregoju politikanëve,
Se je zot i fatit tënd!
Ngrehu dhe tregoju vendin,
Ndryshe plagët kurrë s’do zbuten,
Ngrehu dhe bëji partitë,
Të mos gjejnë vrimë të futen
Ndërsa bota shkon në hënë,
Ty more popull punëtor,
Vazhdojnë që të të premtojnë,
Ngrehu o popull i lodhur,
30- vjet të kanë gënjyer,
Mos shko më për të votuar
Vetëm për një thes me miell!
Ngrehu more popull ngrehu,
Shplaji nga e keqja trutë,
Mos voto më milarderët,
Që e kanë vendin në burg!
Ngrehu o popull mos prit,
S’ke pse rri e s’ke pse hesht,
Se kjo klasë politike
Duhet shporrur sa më shpejt!
Ngrehu se nuk ke çfarë humb,
Mere fatin vet në dorë,
Ngrehu edhe zgjidh me krye,
Jo padronë, por shërbëtorë!
Ngrehu, se ti morën të gjitha,
Ti punon e lodhe kot,
Ndërsa klasa politike,
I ka mbushur bankat plot!
Ngrehu u popull i heshtur,
Popull që vuan kaq shumë,
Se kjo klasë politike,
Duhet të të bjerë në gjunjë!
Ngrehu more popull ngrehu,
Popull nga hallet zhuritur,
Detyroji politikanët,
Të të kthejnë ç’të kanë grabitur!
Ngrehu o popull i varfër,
Ngrehu në këmbë vetëm një herë,
Dhe trego se zot i vendit,
Je veç ti e s’ka të tjerë!
Ngrehu o populli ynë,
E keqja të rri tek pragu,
Mos prit që padrejtësitë,
Të t’i zgjidhi vetëm SPAKU.
Ta shkelën shpresën me këmbë,
Ta bënë fatin copa- copa,
Ngrehu vet edhe mos prit,
Të t’i zgjidhë hallet Evropa!
Ngrehu o popull që vuan,
Vendosi mjerimit pikë,
Fati yt dhe i atdheut,
Prej vitesh është në rrezik!
Ngrehu popull mjaft durove,
Ndryshe s’ke për t’u shëruar,
S’ka të majtë e s’ka të djathtë,
Ka vetëm të korruptuar!
S’ka të majtë e s’ka të djathtë,
Të shkoi dhimbja në eshtra,
Mos beso asnjë prej tyre,
Mos beso më në gënjeshtra!
Ngrehu more popull ngrehu,
Mere veç një herë guximin,
Ndali këta që të vodhën,
Dhe mos bashkëjeto me krimin!
Ngrehu more popull ngrehu,
Si një uragan nga dheu,
Se mbi të gjitha partitë,
Qëndron ti edhe Atdheu!

























