Zgjedhjet e lira do ta çlirojnë Shqipërinë nga Lukashenko i “Rilindjes”

Prof. Dr. Edmond Panariti, ish- ministër i Jashtëm

 Zgjedhjet parlamentare do të bëhen dhe opozita do t’i fitojë ato, thellë. Me koalicione, pa koalicione, me qarqe pa qarqe,  me zona, pa zona, me lista te hapura , apo pa to….

Sigal

Jakup B. GJOÇA

 Pof. Dr. Edmond Panariti, ish- ministër i Jashtëm në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë se kryeministri Rama, nuk i ka kredencialet që të ndërmjetësojë si kryetari i OSBE-së në zgjidhjen e krizës në Bjellorusi, derisa mbi të rëndojnë akuzat e vjedhjes dhe manipulimit të votave në zgjedhjet vendore e parlamentare, të faktuara nga dosjet 339 dhe 184 të prokurorisë.  As Këshilli i Europës nuk i njohu zgjedhjet e 30 qershorit 2019, derisa mohoi të dërgonte misionin e vëzhguesve të përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale për të vëzhguar këtë maskaradë. Prof. Panariti përsërit edhe një herë, se pa dënuar krimet elektorale të “Rilindjes” Socialiste, nuk mund të ketë zgjedhje të lira, duke thënë se zgjedhjet e lira do ta çlirojnë Shqipërinë nga Lukanshenko i “Rilindjes”.

 

-Prof. Panariti, Kryeministri Edi Rama a ka autoritetin dhe kredenciale që të jetë bashkëbiseduesi me Bjellorusinë, për zgjidhjen e krizës, derisa “Bild” dhe “Zëri i Amerikës”,  i zbardhën vjedhjen e votave në Shqipëri dhe në 2019 bëri zgjedhje moniste?

-Çështja e autoritetit dhe e kredencialeve është komplekse dhe delikate. Sepse autoriteti të  delegohet, ndërsa kredencialet ose fitohen, ose humben. Shqipërisë ju besua drejtimi i OSBE-së mbi bazën e një dakordësie të arritur para disa vitesh dhe i takon ministrit të Jashtëm të vendit kryesues,  ta  kryesojë organizatën me një mandat një vjeçar. Edi Rama është kryeministër dhe ministër i Jashtëm  në këtë kohë,  dhe për rrjedhojë iu besua dhe caktua ky rol. Këtu nuk ka as surprizë, as ndonjë  meritë  personale.  Kjo ka ndodhur edhe më parë, kur Shqipërisë i është besuar drejtimi i organizatave dhe të institucioneve ndërkombëtare. Në vitin 2012, përshembull unë në cilësinë e ministrit të Jashtëm, kam qenë edhe Kryetar i Komitetit  të Ministrave të Këshillit të Europës, sepse Shqipërisë i takonte kryesimi i këtij institucioni. Por ajo që është thelbësore në këto mandate drejtuese, janë kredencialet e atij që drejton, domethënë ajo paketë besueshmërie dhe vlerash që ti vendos përpara të tjerëve në funksion të lidershipit, që të është besuar për ta bërë atë produktiv dhe rezultativ.  Thënë  më shkurt dhe me pak fjalë: “Të udhëheqësh me anë të shembullit pozitiv”.  Tani le të vijmë te negociatat e Kryeministrit në cilësinë e drejtuesit të OSBE-së me Lukashenkon, për të kundershtuar zgjedhjet e manipuluara presidenciale te tij.  Kush është shembulli që ne japim për udhëheqjen e këtyre negociatave? A mund të jenë dhe të përdoren si shembuj, vjedhja e zgjedhjeve në nivel qendror dhe lokal nga partia në pushtet, e vërtetuar qartë në përgjimet e dosjeve 184 dhe 339? A mund të jenë shembull votimet farsë në zgjedhjet vendore ku partia në pushtet, fitoi me 94 përqind të votave, pra dhe 14 përqind më shumë se vetë Lukashenko në rizgjedhjen e tij si President?

-E imagjinoni, që edhe në Shqipëri, në zgjedhjet parlamentare të ardhshme, të ndodhë “Lukashenko”,  siç ndodhi edhe në 30 qershor 2019, ku Rilindja Socialiste  fitoi  94% të votave, pa opozitë?

– Sigurisht që i imagjinoj, sepse e kemi për fat të keq edhe një precedent të afërt dhe të shëmtuar në këtë drejtim. Precedentin e farsës  së  zgjedhjeve lokale. Por kjo nuk ka për të ndodhur më, sepse nuk do të lejohet në asnjë rrethanë dhe me çdo kusht dhe çmim. LSI, PD dhe opozita do t’i fitojnë këto zgjedhje në mënyrë bindëse.

-Pse komuniteti ndërkombëtar e pranoi në 30 qershor 2019, rezultatin zgjedhor me 94% dhe nuk reagoi si zgjedhje moniste? A nuk janë të njëllojta 30 qershori 2019 me zgjedhjet në Bjellorusi? Kujtojmë deklaratën e Palmer, që tha, se  për kushtetueshmërinë e 30 qershorit 2019 do vendosë Gjykata Kushtetuese, e cila ende nuk funksionon.

– Unë qëndrimin zyrtar dhe institucional të faktorit ndërkombetar lidhur me votimet farse për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, e lexoj qartë te refuzimi i Këshillit të Europës për të dërguar misionin e vëzhguesve të përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale për të vëzhguar këtë maskaradë. Ata nuk pranuan të vëzhgonin këtë farsë, duke ruajtur prestigjin dhe integritetin institucional dhe me këtë veprim, “de facto”  nuk i njohën ato. Kësaj ju bashkëngjit me atributet e një gjykate të mirefilltë, edhe qëndrimi i Komisionit të Venecias, i cili i konsideroi këto të ashtuquajtura zgjedhje, të rëna dhe të pavlefshme.

–Komisioni i Venecias e tha qartë në opinionet e veta. 30 Qershori i 2019 ka rënë. Pse Opozita dhe komuniteti ndërkombëtar nuk kërkojnë ribërjen e zgjedhjeve vendore? Heshtja, a nuk merret si mbështetje politike për politikat e kryeministrit Rama?

–Opozita dhe LSI-ja, as nuk ka heshtur, dhe as nuk po hesht.  Ne nuk i njohim këto zgjedhje, gjë që nënkupton ribërjen e tyre sa më parë, sapo kushtet demokratike dhe sistemi të futet në binarë kushtetues. Tashmë situata është bërë komike dhe e kriminalizuar në Bashkitë e uzurpuara. Socialistët, edhe pse nuk kishin rivalë në zgjedhje për kryetarë bashkiakë, gjë që nënkupton që ata janë të emëruar dhe jo të votuar,  sapo i morën mandatet  dhe hynë në zyra, rezultuan me precedentë kriminale të fshehur dhe të padeklaruar. Pra kemi jo vetëm një pushtet të pa votuar, por ajo që është edhe më skandaloze është kriminalizimi i tij.

–A nuk duhej që Reforma Zgjedhore të fillonte nga ndëshkimi i atyre që vodhën dhe manipuluan  votat,  siç zbardh faktet dosja 184 dhe 339?

–Nuk ka gjë më të rëndësishme dhe me më shumë përparësi se hetimi dhe dënimi i krimeve zgjedhore, tashmë të zbuluara dhe të bëra publike nga përgjimet e dosjeve 184 dhe 339.  Mbi të gjitha,  ky është dhe një ndër 15 kushtet e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të antarësimit në Bashkimin Europian. Arrestimi i një grushti komisionerësh si përgjegjës për grabitjen e madhe të votave, mandateve përfaqësues dhe lënia jashtë hetimit dhe ndalimit  të urdhëruesve dhe teë drejtuesve të këtij operacioni kriminal të evidentuar qartë nga përmbajtja e dosjeve të hetimit, tregon dhe dëshmon mungesën e vullnetit për të kapur dhe dënuar rrënjët e vërteta të këtij skandali.

–Sa garanci mund të kenë zgjedhjet e ardhshme, derisa bashkëhartuesit e Reformës së re Zgjedhore janë ata që Prokuroria i akuzon se bashkëpunuan me njerëzit e Krimit për blerjen e manipulimin e votave?

–Sigurisht asnjë garanci, por asgjë nuk është e pandryshueshme , e pakthyeshme, kur është e paligjëshme dhe kur ndodhet  nën  akuzë. Ka ende kohë dhe besoj se nga shtatori dhe në vijim do të kemi zhvillime të rëndësishme transformuese.

–Prof. Panariti, mos ndoshta kryeministri Rama provokon opozitën që të bojkotojë zgjedhjet parlamentare, derisa njëanshmërisht  bëri ndryshimet Kushtetuese që ndalojnë koalicionet parazgjedhore?

–Nuk mund të ndalet shembja e një godine, të cilës i janë gërryer themelet. Shqipëria po rrënohet, varfërohet, zbrazet dhe izolohet si kurrë më parë. Zgjedhjet parlamentare do të bëhen dhe opozita do t’i fitojë ato, thellë. Me koalicione, pa koalicione, me qarqe pa qarqe,  me zona, pa zona, me lista te hapura , apo pa to…. Vitin tjetër partia- shtet,  kalon në opozitë.

–Deri tani, kryeministri Rama ka patur përkrahjen e ambasadave në Tiranë, të BE-së, të DASH-it, për hir të stabilitetit politik. Çfarë e detyroi tashmë Ramën, që ndërkombëtarëve t’u thotë se nuk mund të marrë urdhëra nga ata, duke u kujtuar…sovranitetin?

–Regjimet, që për hir të ruajtjes me çdo kusht të pushtetit, sipas rastit, bëjnë edhe internacionalistin edhe sovranistin, janë të dala boje dhe nuk mund të kenë më mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë. Askujt nuk i duhet një stabilitet antidemokratik dhe Perëndimi e di mirë këtë. Maska ka rënë dhe fytyra e vërtetë tashmë është shfaqur.  Askujt nuk i duhen  Lukashenkot e rinj që shtypin popujt nën pretekstin e dorës së fortë për rend, qetësi dhe stabilitet fiktiv.

–Bashkimi Europian për të tretën herë i mbylli portat Shqipërisë për hapjen e negociatave, madje këtë herë duke treguar qartë se shkaku i vetëm, është vetë Shqipëria, që nuk ka plotësuar kushtet e standardet demokratike. Mos vallë ky është vullneti i kryeministrit Rama? 

–E ardhmja e vetme dhe e pa diskutueshme e vendit dhe që buron nga vullneti dhe  aspiratat e mbi 90 përqind të shqiptarëve është bashkimi me Europën. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka skemë tjetër. Nuk ka mini union apo shengen që mund ta devijojë këtë kurs. Kjo nënkupton rikthim në demokraci funksionale, me drejtësi të stabilizuar dhe ndarje dhe kontroll të pushteteve.  Kjo nënkupton luftimin e krimit zgjedhor dhe të trafiqeve. Kush dështon në këtë proces duhet të largohet  sa  më parë. Kjo qeveri, ka dështuar dhe duhet të largohet që të mos e mbajë më gjatë peng vendin.

–Prof. Panariti edhe opozita e denoncon se Kryeministri Rama ka marrë peng të gjitha pushtetet. A mendoni se në zgjedhjet  parlamentare do të “çlirojnë” pushtetet në Shqipëri nga Edi Rama? Opozita ka strategji, për rivendosjen e rendit kushtetues? Përshembull, do të zhbëni reformën në Drejtësi? 

–Unë jam i bindur se përpos çdo përpjekje antikushtetuese dhe makinacioneve për të krijuar avantazhe të kundërligjëshme në zgjedhje, duke deformuar votën në mënyrë të qëllimshme për të siguruar fitore në tavolinë, fitorja e opozitës do të jetë e papërmbajtëshme dhe historike. E njëjtë si tridhjetë vite më parë. Sepse si edhe atëhere, edhe sot bëhet fjalë për një përmbysje të sistemit.  Bëhet fjalë për çlirim nga diktatura e parties- shtet. Kjo bindje më vjen edhe nga degradimi i shpejtë rrënues dhe i pa shembullt i vendit dhe i ekonomisë, si pasojë e  këtij modeli qeverisës, i cili e ka zbrazur dhe varfëruar vendin përtej çdo përfytyrimi. Populli shqiptar nuk do t’i falë arkitektët e këtij rrenimi, ashtu si dhe tre dekada më parë. Qeverisja e re do ta rikthejë  Shqipërinë nga një  republikë, sundimtarësh autokratë  në një Republikë Kushtetuese me kontroll të balancuar të fuqive dhe pavarësi të pushteteve  Reforma në Drejtësi do të vazhdojë, por e çliruar nga kapja dhe antikushtetueshmëria.

– Faleminderit!

Somario

1

Arrestimi i një grushti komisionerësh si përgjegjës për grabitjen e madhe të votave, mandateve përfaqësues dhe lënia jashtë hetimit dhe ndalimit  të urdhëruesve dhe të drejtuesve të këtij operacioni kriminal, tregon dhe dëshmon mungesën e vullnetit për të kapur dhe dënuar rrënjët e vërteta të këtij skandali

2

Qeverisja e re, do ta rikthejë  Shqipërinë nga një  republikë sundimtarësh autokratë,  në një Republikë Kushtetuese, me kontroll të balancuar të fuqive dhe pavarësi të pushteteve.  Reforma në Drejtësi do të vazhdojë, por e çliruar nga kapja dhe antikushtetueshmëria